FSHF ‘autogol’ me ‘transparencën’, fondet e FIFA erdhën për COVID, ‘qeveria’ e futbollit shqiptar i ndryshon destinacionin! Censuron gazetarët, s’lejon pyetje nga ata që publikuan skandalin

Manipulimet me zgjedhjet në shoqatat rajonale detyruan Federatën Shqiptare të Futbollit të mbante sot një konferencë të jashtëzakonshme me pretendimin se do të bënte transparencë, por vetëm kështu nuk ndodhi. Kjo pasi organizatorët e konferencës nuk lejuan asnjë prej gazetarëve që ka denoncuar ditët e fundit shkeljet që të bënin pyetje. Një situatë që krijoi edhe një debat në sallë.

Ndërkohë për transparencë të qëndrimeve të FSHF-së, institucioni i futbollit shqiptar tregoi një vendim gjykatë në lidhje me shoqatën rajonale të Durrësit, për të cilën prokuroria ka nisur hetimet për dy persona, Marius Shahini dhe Fundim Dollaku. Si Shahini ashtu dhe Dollaku janë akuzuar për falsifikim firme në dëm të Altion Kecit, me këtë të fundit që pretendon të jetë i deleguari i bashkisë Shijak si anëtarë i shoqatës Klub Futbolli Erzeni në shoqatën rajonale të Durrësit. Mirëpo sipas FSHF-së përfaqësuesi ligjor i shoqatës Klub Futbolli Erzeni është Marius Shahini, i cili ndërkohë ka zgjedhur si anëtar Fundim Dollakun. 

Sakaq akuza për Armand Dukën erdhën nga kryetari i bashkisë Tiranë Veliaj, i cili kërkoi transparencë për zhdukjen e 2.1 milionë dollarëve të FIFA-s, ndërsa shtoi se presidenti i federatës po përdor futbollin për politike. Në lidhje me këtë FSHF u përgjigj me një kundër-akuzë.

"Ndiej keqardhje që bashkia nuk njeh territorin e vet, po investojmë te kompleksi Partizani. Janë 3 fusha të reja në kompleksin Halili në menaxhimin e bashkisë së Tiranës. Te kompleksi Dajti në mes të Tiranës po ndërtohen pallate, i jemi drejtuar me shkresë Erion Veliajt. Presioni më i madh nuk është askund tjetër më shumë, më i pastër dhe më i qartë se në shoqatën e Tiranës ku anëtarët e saj thirrin në zyrën e bashkisë dhe u bëhet be e rrufe se nëqoftëse nuk votojnë për kandidatin e tyre do largohen nga puna,"- thuhet në deklaratë.

Vetë FSHF për fondin e FIFA-s, i akorduar për të ndihmuar futbollin shqiptar në periudhën e pandemisë, pranoi se i kishte ndërruar destinacionin.

“Në federatën tonë kanë ardhur rreth 1.5 milionë dollar. 500 mijë dollar janë tërhequr në 6 gusht dhe i është dedikuar dhënies së pagave të luftës gjatë pandemisë. 500 mijë dollarë të tjera janë dedikuar për futbollin e femrave dhe janë tërhequr më 18 gusht 2020. Pjesa tjetër është e gjitha e alokuar dhe e miratuar nga FIFA për incentivimin e skemës së futbollit të femrave,”-u shpreh Erand Ibrahimi, drejtori i marrëdhënieve me jashtë i FSHF-së.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?