Kombëtarja shqiptare e futbollit zyrtarisht është në Europianin 2024. Për herë të parë në histori kuqezinjtë e mbyllën grupin kualifikues në vendin e parë (15 pikë), duke lënë pas emra si Çekia dhe Polonia. Tanimë e gjithë vëmendja është e përqëndruar në Gjermani, ndërsa forma e mirë e ekipit ka futur në telashe Federatën Shqiptare të Futbollit.
Gjithçka lidhet me të ardhmen e trajnerit Sylvio Mendes Campos Júnior. Sylvinho ka kontratë me FSHF-në deri më 31 korrikun e 2024. Me Europianin e Gjermanisë që luhet nga 14 qershori - 14 korrik, 49-vjeçari nga Brazili mund të jetë në krye të ekipit edhe pa kontratë, kjo nisur nga ecuria e ekipit në fazën finale të Euro 2024.
Veç këtij formaliteti që duket një "kleçkë" që merr zgjidhje, e ardhmja e trajnerit ka futur në mendime drejtuesit e Federatës. A e dëshirojnë ata një rinovim me trajnerin? Sigurisht që po. Pyetja që duhet të shtohet është se a dëshiron Sylvinho të vijojë të jetë pjesë e Kombëtares kuqezi?
Për të qenë realist, trajneri është në fazën e parë të karrierës dhe ecuria me Kombëtaren tonë ka qenë më e mira që ai ka bërë. Sylvinho mund ta përdorë arritjen e suksesit si një "trampolinë" për të siguruar ndonjë kontratë në kampionatet më prestigjoze të Evropës, ku për të thënë të drejtën ka një karrierë të pasur si futbollist dhe lidhjet në botën e menaxhimit nuk mungojnë.
Dikur pjesë e Corinthians, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona dhe Manchester City, si lojtar Sylvinho ka luajtur në kampionatet "top" të Evropës dhe është mëse normale që ofertat e ndryshme t'i "prishin mendjen" trajnerit.
Egoja e tij personale në këtë pikë të karrierës nuk mund të jetë të stërvisë vetëm pak ditë dhe dëshira padyshim do jetë një punë e përditshme me anën taktike dhe teknike.
Nëse FSHF-ja do arrijë të bindë Sylvinhon për një rinovim edhe për kualifikueset e Botërorit, kjo mbetet të shihet në muajt e ardhshëm, teksa nëpër klubet evropiane ideja për ta pasur në stol pas këtij suksesi nuk mungon. E sigurt është se nënshtetësia shqiptare nuk do ketë fuqinë për ta mbajtur Sylvinhon në krye të kuqezinjve, nëse atij do i oftohet një projekt diku në Premier League, Serie A apo La Liga.