Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon i vendosur në rrugën e tij: mbron vendimin e futjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të komunave me shumicë serbe dhe bashkë me ta mban në territor ende edhe forcat speciale.
Sepse, shpjegoi ai për CNN “të gjitha organet ndërkombëtare i njohën zgjedhjet që kishim. Pasi procesi zgjedhor dhe rezultatet e tij të jenë njohur, kryetarët e komunave duhet t’u drejtohen komunave. Kush tjetër duhet të jetë në këto ndërtesa komunale përveç kryetarëve të komunave?”.
Po në të njëjtën intervistë ai shton “për sa kohë që ka një turmë të dhunshme jashtë ndërtesës, unë nuk mund të kem pak policë. Unë kam nevojë për një forcë policie që ruan rendin, paqen, sigurinë”.
Në frontin e rendit publik është e qartë se, nëse këto do të ishin objektivat e kryeministrit, ai arriti të kundërtën, aq sa u desh të zbatonte mandatin kontingjenti i KFOR-it, duke ndërhyrë për t’i garantuar ato realisht.
Edhe pse për “The Geopost” Kurti do të deklaronte “…ishim në një situatë të vështirë, ku nuk kishim një zgjidhje ideale, por megjithatë mendoj se dolëm mirë dhe i jemi shumë mirënjohës për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që na kanë dhënë dhe po na japin”.
Por çështja e vërtetë nuk është aq rendi publik, sa marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të dhe strategjia për arritjen e një marrëveshjeje me Vuçiç-in.
Mbi këtë Kurti minimizon dallimet që janë shfaqur me kancelaritë perëndimore duke anashkaluar apelet brutale (nëse nuk duam t’i quajmë kërcënime reale) që vijnë nga ai drejtim ndaj qeverisë në Prishtinë.
Kurti falënderon SHBA-të dhe rikonfirmon aleancën strategjike me ta në një intervistë për “Washington Post” kur deklaron se “jemi përjetësisht mirënjohës për rolin që luajtën për çlirimin dhe pavarësinë tonë”.
Por shton “tani është koha që t’u themi të vërtetën tonë demokratike autoritarëve në pushtet”, duke kujtuar që vetëm një ditë më parë në një intervistë për “Politico” në margjinat e konferencës GLOBSEC, kryeministri kosovar do të deklaronte “kemi një dallim të vogël në qasje, dhe mendoj se të mendosh për sanksione kundër Kosovës duket jo proporcionale dhe e padrejtë”.
“Isha i befasuar”, shtoi ai, duke e karakterizuar përgjigjen amerikane si një “reagim të tepruar”.
Kështu, hedhja poshtë e përjashtimit nga stërvitjet në Kosovë për Defender Europe 2023 dhe kërcënimi i pasojave të rënda për vendin në rast se qeveria në Prishtinë do të mbajë linjën e saj të ashpër duket në më të paktën e rasteve arrogante dhe e papërgjegjshme.
Por pikërisht kur flet për frontin e brendshëm të politikës së tij, Kurti shpalos ideologjinë e tij.
“Republika mbështetet nga Kushtetuta, nga ligji dhe nga institucionet. Unë duhet t’i ndihmoj këta njerëz, sepse për këtë më sollën në këtë karrige. Unë kam vlerësimin dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier, mund të them fuqishëm mbi të gjithë ambasadorët e tjerë”, ka shpjeguar ai për televizionin KTV, “por populli më votoi, ambasadori nuk më propozoi. Ju duhet ta kuptoni këtë. Populli i Kosovës më zgjodhi mua, populli i Kosovës voton, ju largon edhe ju. Nuk është një emërim nga kryeministri, kryeministri është zgjedhja e atij që është burimi i sovranitetit”.
Pikërisht duke filluar nga kjo deklaratë e fundit dhe apelet e ruajtjes së sovranitetit që Albin Kurti bën, shpaloset më qartë së kurrë rrugëtimi dhe agjenda e tij si një politikan populist me konotacione të forta sovraniste.
Literatura e të paktën tre dekadave të fundit dhe vetë praktikat politike na mësojnë se populizmi i interpreton zgjedhjet si një mjet për të vlerësuar liderin dhe jo për të krijuar konsensus mbi bazën e të drejtës universale të votës individuale.
Në dukje ultrademokratik, kur populizmi nga lëvizje kalon në qeverisje (edhe pse në fakt ka më shumë formën e marrjes së pushtetit se sa të qeverisjes) ai është në të vërtetë antidemokratik, duke pasur parasysh se demokracia nuk është e reduktueshme në sundimin e shumicës, por domosdoshmërish përfaqësuese dhe pluraliste, e përbërë nga debati publik, kompromisi i racionales në kërkim të zgjedhjes optimale.
Në fakt, populizmi në pushtet pretendon të qeverisë sikur vullneti i shumicës të ishte vullneti i popullit sovran në tërësi, duke qenë se partia që fiton është “partia e duhur”.
Midis tij dhe fashizmit – për të cituar Ludwig Wittgenstein – ka në fakt “ngjashmëri familjare” të cilat e shtyjnë partifobinë populiste drejt një aspirate gjithëpërfshirëse të konsensusit, e cila kërkon neutralizim të pluralizmit partiak pa e ndrydhur megjithatë atë.
Fashizmi shkatërron demokracinë, ndërsa populizmi si pjellë e saj kërkon ta transformojë atë. Dhe këtë e bën duke ndryshuar shtyllat e saj si parimin e shumicës, përfaqësimin dhe institucionet e bazuara në kushtetutë.
Në momentin kur arrin pushtetin, nga kritika e establishmentit (të cilën e bënte përpara), populizmi rrëshqet – drejt kritikës së demokracisë përfaqësuese – përmes zëvendësimit të një politike partiake me një politikë fraksionesh.
Pasi të jetë në pushtet, populizmit i duhet të angazhohet në një fushatë të përhershme elektorale në mënyrë që të mos hedhë dyshimin në popull se ai vetë tashmë është bërë një establishment.
Ndërsa kur bëhet fjalë për anën pragmatike të punës demokratike (siç është kompromisi dhe ndërmjetësimi, populistët e bëjnë vetëm në mënyrë të kamufluar.
Kjo, duke krijuar kriza për të dhënë përshtypjen e një “zgjedhjeje të detyruar”.
Synimi është qeverisja e drejtpërdrejt në emër të popullit, legjitimiteti i pushtetit përmes plebishiteve, brohoritjeve teatrale në rrugë apo votave në internet, duke diskredituar garancitë, parlamentin dhe autoritetet gjyqësore.
Për të mos u dukur asfiksues, populizmi duhet të vërshojë, të pushtojë me obsesion hapësirën publike derisa të mbysi çdo ligjërim tjetër, të ndryshëm nga versioni i tij.
Audienca, e cila në populizëm ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe individuale me liderin, ndihmon atë në shpërfytyrimin e një prej shtyllave të demokracisë, parimin e shumicës, i cili interpretohet nga populizmi si fuqia dhe forca e atyre në qeverisje.
Populli është vetëm Një, ai që mbështet liderin, duke përjashtuar nga kahu i duhur këdo që është në kundërshtim me të.
Ndaj dhe kur flitet në emër të popullit, në realitet konsiderohet i tillë vetëm ai mbështetës.
Nga deklaratat e sjella më sipër dhe nga këto pak përkufizime përgjithësuese mbi populizmin, dy aspekte mund të vihen në dukje për kryeministrin Albin Kurti.
E para, është se Kurti lëviz me shqetësimin e ruajtjes së mbështetjes elektorale. Dhe ky është një lajm i keq, sepse kjo do të thotë që ndjenjat popullore të shprehura nga populli “i tij” mbështesin idetë provokuese dhe propagandistike të kryeministrit.
E dyta është se jemi përballë një lideri populist, i cili menaxhon pushtetin në dialog të drejtpërdrejtë “me popullin”, duke hequr nga vendimet çdo konfrontim dhe ndërmjetësim parlamentar.
Kurti flet për respekt të demokracisë, por e tija në fakt është një sjellje anti-institucionale dhe antidemokratike.
Nga ana tjetër, duhet të kujtojmë se historia e ka njohur tashmë shkatërrimin e demokracive liberale në të kaluarën me pëlqimin popullor përmes formave të populizmit.
Metamorfoza populiste është pjesë e një logjike që mund të shkatërrojë demokracinë.
Kurti është gjithashtu një politikan me konotacion të qartë sovranist, sepse ai e bazon veprimin e tij (dhe atë të partisë së tij që nuk ka një identitet të përcaktuar ideologjik) në nacionalizëm, pikërisht si Vuçiç, Orban, Putin dhe shumë liderë të tjerë bashkëkohorë.
“Për një regjim demokratik”, sipas Norberto Bobbio “transformimi është gjendja e tij natyrale”.
Ndaj, ndërsa demokracia dhe populizmi jetojnë dhe vdesin së bashku, populizmi shënon kufirin ekstrem, paradhomën për lindjen e autoritarizmave.
Komandanti i kontingjentit të KFOR-it tha se Kurti rrezikon të nisë një luftë të re në Ballkan.
Nuk është një akuzë e parëndësishme dhe vjen nga një burim autoritar dhe i ekuilibruar.
Kësaj akuze i shtohet edhe analiza e një gazetari me autoritet si Michael Martens, nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i cili qartësisht vë në dukje se politikat e Kurtit janë në përputhje më planet e Vuçiç-it për destabilizim në rajon.
Ndaj alarmi i ngritur përkthehet me pak fjalë: kujdes Kurtin, se është njeri i rrezikshëm.
I rrezikshëm jo vetëm për marrëdhëniet e Kosovës me aleatët, por dhe për vetë demokracinë kosovare.