Foto ilustruese

KUJDES: 'Pacienti Zero' mund të jetë tashmë mes nesh…

28 Shkurt 2020, 16:33| Përditesimi: 28 Shkurt 2020, 16:36

  • Share

Nga pandemia e gripit të Hong Kongut, pandemia e fundit në shekullin XX, më ka mbetur në mendje një kujtim fëmijërie i pashlyeshëm. Në rrugën e Fortuzit në Tiranë (në zonën ku ishte shkolla ime fillore), rrinin policë me turne 24 orë te porta e një familjeje që DYSHOHEJ se kishte një të sëmurë me gripin e Hong Kongut (i gjori ndoshta mund të kishte thjesht gripin e zakonshëm dimëror). Njerëzit kalonin të frikësuar në trotuarin tjetër, kur i afroheshin asaj porte, ndërsa ne, fëmijët, e vrojtonim nga larg, me frikën se mos virusi makabër “kapërcente” muret e shtëpisë dhe na hynte në mushkëritë tona të brishta…

Sot, kur koronavirusi COVID-19 është bërë lajmi numër një në botë, vetvetiu më shkon mendja tek ato skena të fëmijërisë. Dhe zura të kërkoja të dhëna për përhapjen e gripit të Hong Kongut në Shqipërinë e atëhershme, por nuk gjeta dot. Ndërsa të dhënat për përhapjen e tij në botë gjenden lehtë. Në dimrin 1968-69 humbën jetën prej gripit të Hong Kongut rreth 1 milion njerëz jashtë kufijve të Kinës. (Vlerësohet se 2 milionë të tjerë humbën jetën në Kinë, por informacionet nuk dilnin lehtë asokohe nga Kina hermetike e Mao Ce Dunit.)

Fakti që në një vend aq larg Hong Kongut dhe aq të izoluar nga bota sa Shqipëria, pati disa të dyshuar si të infektuar nga ai virus, ma bën të vetvetishme pyetjen: “Po koronavirusi COVID-19, që është përhapur sot në Italinë fqinje, nga vijnë përditë mijëra udhëtarë, ende s’ka mbërritur në Shqipëri?”

Çdo epidemiolog (dhe çdo statisticien në përgjithësi) do të përgjigjej se probabiliteti është i madh që ky virus të ketë mbërritur tashmë në Shqipëri, por thjesht nuk është evidentuar ende “Pacienti Zero” (pacienti sjellës i virusit), ngaqë periudha e inkubacionit është deri në 14 ditë. (Thënë ndryshe, dikush mes nesh mund ta ketë në trup virusin, por nuk shfaq simptoma deri në 14 ditë.)

Sidoqoftë, qeveria sot nuk vepron dot siç vepronte dikur qeveria e Enver Hoxhës, e cila ta instalonte policin 24 orë te porta, pas teshtimës më të vogël. Në ditët e sotme, ndiqet protokolli i OBSH-së, sipas të cilit, vetëm pasi konfirmohet me analizë mjekësore prania e virusit, përdoren masat e karantinës ndaj familjes.

Ndërkohë, çdo shqiptar që don ta ruajë veten dhe familjen nga koronavirusi COVID-19 nuk duhet të presë njoftimin e qeverisë se rasti i parë është konfirmuar në vendin tonë, por të zbatojë këshillën biblike “Ruaju, të të ruaj!”

Me pak fjalë, duke presupozuar se “Pacientin Zero” e kemi tashmë mes nesh dhe derisa qeveria të na informojë se është konfirmuar rasti i parë me këtë virus në Shqipëri (siç ka ndodhur në vendet përreth), secili prej nesh duhet të tregojë kujdes të dyfishtë për higjenën vetjake e të familjes. Dhe mbi të gjitha, secili duhet të shmangë vendet ku ka përqendrim të madh njerëzish (sidomos ambjentet e mbyllura), si edhe duhet të shmangë udhëtimet në vendet e prekura më shumë nga virusi.

Mënyra më e shpeshtë e përhapjes së koronavirusit COVID-19, sipas OBSH-së, është ajo nëpërmjet ajrit. Qëndrimi për disa minuta deri dy metra pranë një bartësi të këtij virusi mund të të infektojë. Vërtet që koronavirusi COVID-19 mund të mos jetë aq vdekjeprurës sa virusi i gripit të Hong Kongut, por askush s’ka pse ta provojë në trupin e tij këtë virus të ri…

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?