Politikë

Kujton si u zgjodh deputet në Kombinat në 2001-n, Kryemadhi: Do ta çojmë deri në fund betejën e kombinatësve! Shtëpitë e tyre do të rindërtohen me paratë e buxhetit të shtetit

11 Prill 2021, 13:02| Përditesimi: 11 Prill 2021, 14:29

  • Share

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë paradites së sotme ka zhvilluar një takim me banorët e Kombinatit në Tiranë, ku mes të tjerash ka kujtuar edhe vitin 2001, në të cilin ajo është votuar deputet e Partisë Socialiste.

“Kujtoj kohën, vitin 2001 kur kombinatasit me votuan mua si deputet të PS-së. Ai moment kur Kombinati, Misto Mame, Qyteti i Nxënësve, unaza e re, i dhanë Monika Kryemadhit 71% të votave si deputet në mazhoritar. Që të vije në Kombinat, duheshe mbi 1 orë e gjysëm sepse nuk kishte rrugë. Kombinatasit bllokonin rrugën se nuk kishte ujë, nuk kishte çerdhe. Këtu pas nesh ishte kanali i famshëm i Sharrës, që përmbyste Kombinatin sa herë binte shi. Dritat mungonin në Kombinat, në Fushë Misto Mame, në Unazë të re, sepse sa herë binte shi, shtyllat e tensionit apo kabinat elektrike fikeshin.”, u shpreh Kryemadhi.

Gjatë fjalës së saj Kryemdhi ka përmendur edhe situatën trafikut me të cilën ndeshen qytetarët përditë për shkak të ndërtimeve në Tiranë, duke shtuar se ajo do ta çojë deri në fund këtë çështje, që kombinatësit të cilët kanë shtëpitë e tyre art, t’i rindërtohen prap me paratë e buxhetit të shtetit dhe jo

“Sot në Kombinat si para 21 vjetëve na u desh përsëri me zotin Vasili 1 orë e 20 minuta për të ardhur nga zyrat e LSI deri në kombinat, për shkak të trafikut, bllokimit të rrugëve, absurditetit që po ndodh çdo ditë e më shumë për shkak të ndërtimeve në Tiranë. Sot nga ky vendi ku jam unë shikoj godina të shembura, të rrënuara. Të kthesh kokën do të shikosh fasadën e dëmtuar që Edi Rama i ka bërë Kombinatit. Ajo që unë dua të theksoj dhe them, dhe që tha edhe Floida, sepse unë besoj tek të rinjtë dhe të rejat, sepse dëshirat dhe ëndrrat e tyre, janë të patjetërsueshme. Çdo kush do jepte jetën për të realizuar ëndërrat e fëmijëve të tij dhe prandaj unë besoj tek të rinjtë, besoj të forca që Floida ka për ta çuar deri në fund betejën për shtëpitë e kombinatësve, që bashkia e Tiranës me Edi Ramën në krye duan të shembin. Pallatet që kombinatësit i kanë ndërtuar me gjakun e tyre, të prindërve të tyre, siç ndërtuan Kombinatin, tashmë Edi Rama kërkon ti largojë nga shtëpitë e tyre, pronat e tyre për të ju dhanë oligarkëve për të ndërtuar kullat dhe për të kthyer truallin e kombinatësve në lulishte. Betejën e parë qytetarët e kombinatit e fituan. Fituan në Gjykatën Administrative për vendimet e parregullta që Bashkia e Tiranës ka marrë për tjetërsimin e pronave të kombinatësve. Ky është vetëm fillimi. Ne do ta çojmë deri në fund për të mbajtur jo veç fjalën që ju kemi dhënë, por sepse kjo është më njerëzorja, e ndershmja që secili nga ne ka. Nëse ne nuk respektojmë pronën e tjetrit si mund të respektojmë të drejtat e njeriut, të shkollës, të shëndetit, të fjalës. E pra, kombinatasit që kanë shtëpitë aty do ti rindërtojnë sërish me paratë e buxhetit të shtetit dhe jo paratë e tyre.

Sepse sot jo vetëm Bashkia e Tiranës por edhe çdo institucion tjetër duhet të jetë shumë i kujdesshëm, dhe i bëj thirrje Prokurorisë të hetojë për lëvizjen e parave që bëhet nëpërmjet bankave të nivelit të dytë nëpër qytetarë të tjerë, të cilët kërkojnë t’ju tjetërsojnë pronën apo votën.”, tha ajo.

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI-së, shtoi se Kombinati sipas saj është një njësi administrative, një mini qytet që ka emocion, forcën dhe kurajën për punë.

 "Ajo që dua të theksoj është që Kombinati është një njësi administrative, që për hir të së vërtetës është një nga mini qytetet që ka emocionin, forcën, kurajën, dëshirën për punë. Është nga ato mini qytete, që kanë nxjerrë intelektualë, ekonomistë, shumë njerëz që i kanë dhënë shoqërisë shqiptare. Dhe jam e bindur që do vazhdojë. Pse? Sepse Kombinati është një strukturë e majtë. Kombinati është i majtë se është i punëtorëve, sepse është i shtresës së mesme, është e familjeve të varfra, është e njerëzve që e duan vendin e tyre, është e njerëzve që janë të lidhur me luftën nacional çlirimtare, është e njerëzve që besojnë tek vlerat e solidaritetit dhe ti japin dorën njëri – tjetrit. E pra Kombinati është komplet tjetër nga ajo çfarë kërkon ta shesë rilindja e Edi Ramës.”, tha ajo.

Kryemadhi në fund premtoi se pavarësisht se problemet janë të shumta ajo do të angazhohet që t’i çojë deri në fund.

“Problemet janë pa fund, por ne angazhohemi që do ti çojmë deri në fund çdo angazhim tonin, çdo premtim tonin, sepse ne jemi partia e fjalës së mbajtur, ne jemi nga ata që e mbajmë fjalën dhe i çojmë gjërat deri në fund. Ne mbajmë fjalën për të krijuar mundësi jo vetëm për të punësuar të rinjtë, por edhe për të pasur një punë të mirë paguar, për të pasur një shëndet të mire për njerëzit, por shëndeti tek njerëzit nuk vjen duke paguar faturat e kripura të ilaçeve, por duke u dhënë mundësinë për ti kuruar, për ti ndihmuar dhe për ti ofruar të njëjtin standard të gjithëve. Ne jemi nga ata që jo vetëm mbajmë fjalën por nuk kemi dy standarde, sepse për ne të gjithë janë njëlloj, pavarësisht bindjeve të tyre politike.”, u shpreh Kryemadhi.

 

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?