Skuadra e Kukësit

Kukësi në vazon 1 të Champions, nëse Skënderbeu nuk merr pjesë

14 Maj 2018, 17:08| Përditesimi: 14 Maj 2018, 17:10

  • Share

Kukësi barazoi 2-2 në ndeshjen e fundit me Luftëtarin dhe siguroi matematikisht vendin e dytë. Menjëherë kanë filluar të bëhen llogaritë sa i përket pjesëmarrjes në Europë. Kukësi zyrtarizohet në vazon e skuadrave të forta në shortin e turit të parë të Champions League, gjithnjë nëse Skënderbeu nuk do të marrë pjesë.

Sigurisht, verilindorët duhet të presin të mësojnë se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun dhe apelimin e tij në CAS para se të fillojnë përgatitjet për një aktivitet të tillë.

Por në kushtet aktuale, vendimi në fuqi i përjashtimit nga Europa i korçarëve për 10 vjet, bën që kuksianët të jenë pjesëmarrës në Champions. Nëse Skënderbeu dihej se e kishte të sigurt praninë në vazon e më të fortëve për turin e parë, kësaj arritje tashmë mund t’i gëzohet edhe Kukësi, kjo falë pjesëmarrjes rregullisht vitet e fundit në Europë dhe rezultateve, duke rritur koeficientin.

Me mbylljen e pjesës më të madhe të kampionateve në Europë dhe me përllogaritjet e koeficienteve, skuadra e drejtuar nga Pacult e sheh veten mes 15 emrave në pjesën e sipërme të grupit të ekipeve që marrin pjesë në Champions.

Kjo do të thotë një mundësi më e madhe për kalimin e turit të pare, pasi do të ketë ekipe të kampionateve më të dobëta si rivalë, ndërsa evitohen emra si Ludogorets i Bullgarisë, Celtic i Skocisë, APOEL Nicosia i Qipros, Astana i Kazakistanit, Qarabag i Azerbajxhanit apo Crvena Zvezda e Serbisë, skuadra që më parë kanë pjesë edhe në grupet e Champions League.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?