Kumbulla ndal Milanin, goli i tij i jep Romës barazimin (GOLAT)

27 Tetor 2020, 10:53| Përditesimi: 27 Tetor 2020, 12:28

  • Share

Mbrojtësi i Kombëtares Marash Kumbulla ndal ecurinë vetëm me fitore të Milanit duke shpëtuar ekipin e tij Roma nga humbja në “San Siro”. Ndeshja e fundit e javës së 5-të të Serisë A Milan-Roma dhuroi spektakël, emocione polemika por jo fitues pasi u mbyll në barazim 3-3.

Kuqezinjtë kaluan tre herë në avantazh por tre herë u barazuan nga verdhekuqtë. Ibrahimovic shënoi pas dy minutash lojë duke iu vjedhur Kumbullës pas shpine por në minutën e 14-të Roma barazoi me sulmuesin Edin Dzeko. Sapo filloi pjesa e dytë djemtë e Piolit shënuan sërish me Saelemaekers që tundi rrjetën në minutën e 47-të duke rikthyer kryesuesit e kampionatit në avantazh por miqtë sërish barazuan.

Këtë herë ishte Jordan Veretout që shndërroi në gol një penallti në minutën e 71-të. Ibra tregohet edhe njëherë fantastik duke realizuar dygolëshin personal nga pika e bardhë e penalltisë dhe u duk sikur Milani do merrte fitoren e pestë radhazi por Marash Kumbulla 6 minuta nga fundi shlyen gabimin e bërë tek goli i parë i pësuar dhe “ngrin” Milanin. Mbrojtësi shënon mjaft bukur nga zhvillimet e një goditje këndi dhe i prish festën Ibrës dhe Milanit. Pas 4 fitoreve Milani ndalet në barazim dhe kryeson Serinë A por nuk shkëputet dot. Ndërsa Kumbulla është njeriu i momentit tek Roma pasi shënoi golin e dytë brenda 5 ditësh./ Përgatiti Andi Kapxhiu.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?