Kur Sali Berisha është shumë në hall dhe nuk ka asnjë rrugëzgjidhje, të gjithë ata që e njohin e dinë se çfarë është në gjendje të bëjë. Madje rikthen ‘përmbys’ të gjitha pritshmëritë. Ai menjëherë hidhet në sulm, sipas strategjisë popullore të mësuar dhe në manualet ushtarake të kohës së diktaturës së komunizmit, për të “përballuar sulmin me sulm”. Këtu Berisha është në ‘habitetin’ e vet, dhe sipas nivelit të hallit që e ka mbërthyer, përgatit dhe strategjinë që do të përdorë për të goditur e përlyer pa pyetur se mund të jenë ‘goditje poshtë brezit’ kundërshtarin politik apo në përgjithësi atë që mendon se e ka prekur në ‘venomin’ e tij.
Nuk kursen as familjet dhe familjarët e “shënjestrës” së përzgjedhur për ta pasur armik dhe për ta linçuar, duke përdorur nga epitetet fyese, denigruese e deri te teoritë e konspiracionit, me një fantazi që është për t’ia pasur zili dhe autorët më në zë të librave fantastiko-shkencorë, duke e vënë gjithçka në shërbim të lehtësimit të hallit apo halleve të shumta të tij dhe të familjes. Ata që e njohin e dinë, se nëse Berisha nuk ia del që të përfitojë ndonjë gjë përmes strategjisë së sulmit dhe forcës, ai është në gjendje të heqë “parzmoren e luftës” dhe të bëjë të bindur, të përgjëruarin dhe të përkushtuarin ndaj të fortit. Nuk e ka për gjë ta bëjë këtë!
E ka bërë për 25 vite si ish anëtar dhe sekretar i Partisë së Punës së Shqipërisë kur u ‘lëpihej’ liderëve të atëhershëm komunistë duke bërë, sikurse e akuzojnë, dhe shërbimet më të rëndomta ndaj tyre apo duke bërë ‘dadon’ e fëmijëve të ish diktatorit nëpër udhëtime me varka dhe “pikniqe” pranë oxhakut në Pogradec, e deri tek goditja e njerëzve që kishte afër, thjeshtë dhe vetëm se ishin në kundërshtim me “vijën e partisë”.
E ka bërë dhje në vitin 1990, kur deklarohej se pluralizmi i dedikohet udhëheqësit të madh “shokut Ramiz Alia”, pikërisht në fjalimin e parë pas shpalljes së pluralizmit në Shqipëri, të mbajtur në Qytetin Studenti. Gojët e liga thonë se Berisha dhe atë ditë kishte teseren e anëtarit të PPSH në xhep, dokument që ndoshta e ka hedhur vetëm pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. E ka bërë dhe në mars 1997, kur pranonte gjithçka që krerët e partive politike i propozonin dhe i lëshonin në tryezën presidenciale, vetëm që të shpëtonte pa shumë pasoja. Ndoshta kishte frikë dhe për jetën pasi kishte dërguar jashtë vendit familjen, ndërkohë që vetë atë e priste çarteri për t’u arratisur nga Shqipëria, nga frika se Komitetet e Shpëtimit të ngritura pas humbjes së parave në firmat piramidale, mund të hynin në Tiranë, sikurse dëgjonte lajmet lart e poshtë.
E ka bërë dhe në vitin 2004 e 2005 kur po përgatitej të vinte në pushtet, teksa s’linte kundërshtar brenda dhe jashtë vendit pa lajkatuar, madje dhe ata të shpallur ‘non grata’ nga qeveria e tij siç ishte rasti i veprimtarit grek në SHBA, Nikolas Geixh, të cilin e takoi më se një herë. Madje dha garanci se do të bënte çfarë t’i thonë fqinjët tanë jugorë, dhe mbi të gjitha u betua se do të bënte çfarë të kërkonin amerikanët, pikërisht ata që i kishte akuzuar në vitin 1997 se në bashkëpunim me qarqet greke kishin përgatitur ‘rebelimin komunist’. Dhe që kishte marrë mbrapsht izolimin.
Por dhe gjatë tërë këtyre viteve, ku nga armiqësia e hapur me Metën, ndaj të cilit ka renditur mbi 40 akuza që nga vrasjet me pagesë, vjedhjen e floririt në Krrabë, vdekjen e punëtorëve dhe varrosjen sekrete të tyre në Malin e Dajtit, e deri tek akuza të tjera për korrupsion dhe krime politike. Ndërkohë që sot janë “gëlltitur” të gjitha dhe sillet si një “ushtar” i bindur ndaj Metës, vetëm e vetëm se ka hall regjistrimin e “Rithemelimit” dhe të kandidatëve të saj për kryetarë bashkie për zgjedhjet e 14 majit nën siglën e Partisë së Lirisë apo koalicionit të përafërt me këtë emër, për shkak se vulën dhe logon e PD i ka grupimi i Alibeajt.
Nuk është kaq trim Berisha. E tregoi ndalimi i tij nga Meta në vitin 2000, ku për pak u ‘mbeti në dorë’ policëve tek drejtoria e policisë së Tiranës, sepse ishte shumë i frikësuar. Sidomos kur i çoi rrobat e trasha bashkëshortja Liri Berisha, për të mos pasur ftohtë në qeli, nuk e mbajti dot veten. Apo dhe kur e goditi më 6 dhjetor 2022 një i sëmurë mendor me grusht në fytyrë, duke e palosur keq më trotuar, mu në mes të Tiranës dhe në mes të truprojave të tij.
Pra sa herë ai ka pasur një hall të madh, të cilin nuk e ka zgjidhur me ‘gjuhën e forcës’, atëherë ka përdorur stilin ‘kameleon’ me shpresën e zbutjes së qëndrimeve ndaj tij, familjes dhe forcës politike që ka drejtuar, apo grupimit më të madh në PD që drejton aktualisht. S’ka asnjë skrupull për të arritur qëllimin e tij, përtej amoralitetit normal të politikës.
Dhe sot në Parlament, teksa dëgjuam deklaratat e tij kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzon për tradhëti kombëtare sepse ka takuar ish zyrtarin e lartë të FBI, kundërzbulimit amerikan, dëgjuam dhe togfjalëshin ‘tradhëti ndaj SHBA, aleatit tonë më të madh”. Ndokush mund të ketë fërkuar sytë, pasi një qëndrim i tillë artikulohej nga Berisha, politikani i parë që është shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Familjarisht ‘non grata” madje. E deklaron Berisha, njeriu i cili ka sulmuar që nga sekretari i shtetit Blinken, për të cilin thotë se është në gjyq në Paris, e deri tek ambasadorja aktuale e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, të cilën e cilëson “guvernatore të Shqipërisë” që komandohet nga Rama. Ndonëse ka një kontraditktë këtu, por për Berishën, është e rregull, pasi nuk mund të jesh dhe “guvernatore” dhe të komandohesh nga “vartësi” njëherësh.
Nuk ka lënë gjë pa thënë për SHBA dhe qeverinë amerikane, por pa mundur të ndryshojë qëndrimin e përtej-Atlantikut, të cilët vijojnë të qëndrojnë në vendimin dhe bindjen se Berisha është njeriu më i korruptuar në këtë vend, minuesi më i madh i demokracisë në Shqipëri, dhe shkatërruesi i drejtësisë shqiptare nga themelet. Por teksa dëgjuam dhe lexojmë me vëmendje deklaratën e sotme teksa paralajmëron ‘uraganin opozitar më 11 shkurt’ në mbrojtje të SHBA nga ‘tradhëtari” Edi Rama, të cilin e akuzon se ka bashkëpunuar me zyrtarin e lartë të FBI në atë kohë, McGonigal, kundër interesave të Shqipërisë dhe amerikanëve, e kuptojmë mirëfilli se Berisha është në një hall tepër të madh. Aq sa nuk i ka bërë punë as presioni, as sulmi dhe as akuzat ndaj SHBA, Ramës, Drejtësisë dhe kushdo që i ka dalë para, duke e konvertuar qëndrimin e tij në një shërbim të pakërkuar ndaj atyre që i ‘bënë’ gjëmën.
Por që të arrinte deri aty se të fliste dhe të garantonte në emër të Kongresit amerikan që hetimi i Edi Ramës do të shkojë deri në fund, këtu nuk e kishte imagjinuar as mendja më e guximshme në Shqipëri dhe më tej.
“I përgëzoj të gjithë deputetët që kanë firmosur në këtë Komision Hetimor Parlamentar dhe ju siguroj se ashtu si Komisioni Hetimor Parlamentar i Kongresit të SHBA, edhe komisioni ynë hetimor do të bëjnë gjithçka për të zbardhur veprimtarinë kriminale të Edi Ramës, të McGonigal në Shqipëri, të Marco Ross-it dhe grupit të tyre.
Duhet të dini se, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në aspekte të tjera, këta aventurierë kanë luajtur me interesa të një rëndësie jetike për SHBA. Komisioni do t’i rreshtojë të gjitha këto, si një detyrim madhor ndaj SHBA. Mos prisni nga SKAP-i i partisë. Mc Gonigal është ulur këmbëkryq me ta. Jo një herë, por disa herë. Hetimin më të plotë do ta bëjë komisioni hetimor parlamentar”, tha Berisha, në takim me drejtuesit dhe deputetët e “Rithemelimit”. Pavarësisht se dhe zyrtarë aktualë të “Rithemelimit” janë takuar me zyrtarin e FBI, dhe me kutin e Berishës i bie që edhe ata ia paskan ‘futur’ Bashës me urdhër të vetë Berishës për lobimin me para ruse.
Por halli është shumë i madh, dhe me mendjen e Berishës nuk mund të kalohet thjeshtë dhe vetëm duke akuzuar Ramën si tradhëtar të kombit shqiptar e kombit amerikan, por dhe duke garantuar SHBA dhe folur në emër të kongresit amerikan, se këtë radhë do ta ‘linçojnë’ tamam, derisa të tregojë se çfarë ka biseduar me zyrtarin e lartë të FBI në takimin e zhvilluar në kryeministri, cilat janë lidhjet e tij me të. Ndërkohë që përmend të gjitha ato akuza, të cilat për koincidence vetë Berisha mban në kurriz dhe për të cilat ‘laku’ po i shtrëngohet rëndë nga drejtësia. E kemi fjalën për lobimin me para ruse në Uashington për të cilat është akuzuar vetë Berisha se i ka përfituar si ‘bonus’ për të shkaktuar destabilizim në Shqipëri, e ndezur një vatër destabiliteti në tërë rajonin e trazuar të Ballkanit, ndërsa në Lindje vazhdon agresioni rus në Ukrainë. I ka fiksuar dhe CIA amerikane në raportin e saj se PD mori gjysmë milionë dollarë nga Rusia.
I dhemb shumë kjo Berishës, ndaj akuzon Ramën se i ka dhënë informacione zyrtarit të lartë të FBI për hetimet që janë zhvilluar në SHBA në atë që quhet “çështja Nick Muzin”, lobuesi amerikan që ka marrë dhe dënimin sipas ligjeve amerikane. Si i fajshëm u dënua Muzin. Për hir të së vërtetës Berisha është trembur më shumë për këtë rast pasi ka zëra se Nick Muzin është gati të dëshmojë për drejtësinë e re shqiptare në lidhje me këto para, nga kanë ardhur dhe si kanë ardhur dhe atëherë situata për kreun e “Rithemelimit” bëhet shumë e rëndë. Ndaj ka hall.
Për më tepër që ndjehet akoma më keq, pasi dhe vetë ka takuar zyrtarët e lartë të FBI përpara se të vinte opozita në pushtet më 2005, për të dhënë informacione për korrupsionin e ish kryeministrit Fatos Nano. Por që nuk u morën parasysh, ndërsa vetë Berisha u cilësua nga FBI si një njeri jo serioz dhe i papërgjegjshëm për t’iu marrë për bazë akuzat. Me një fjalë, në pleqërinë e thellë as për këtë punën e spiunit nuk e pranuan, megjithëse zërat thonë se ka shërbyer fort si i tillë në boshtin Beograd-Rusi. Por që nuk bën për një vend demokratik si spiun.
Berisha akuzoi ish këshilltarin e papaguar të Ramës, njëherësh ish zv.ministër i Metës, se është marrë me trafik armësh. Nuk flet kot Berisha. Eshtë në hall se politikisht por dhe kombëtarisht është nën akuzë se ka thyer embargon e OKB dhe ka furnizuar me naftë dhe armë regjimin e Milosheviçit që shtypi, vrau e deportoi të pafajshëm në ish republikat ish Jugosllave dhe në veçanti shqiptarët e Kosovës. E ka prauar dhe nga vetë Berisha se ka bërë trafik nafte.
Por teksa mundohet të ‘sondojë’ sulmin për trafikun e armëve ndaj Duçkës, me ‘teh’ goditjeje Ramën, Berisha kërkon të lirohet pak dhe nga akuza për shpërthimin e biznesit të demontimit të municioneve në Gërdec, por dhe të furnizimit me fishekë kinezë të Diverolit nga depot e ushtrisë shqiptare në kundërshtim me direktivën e SHBA. E bën për të treguar se janë të gjithë si ai. Por dhe se është në hall të madh.
Mësohet se në kuadër të letër-porosive dërguar anembanë botës nga drejtësia shqiptare por dhe kërkesës për të dëshmuar para SPAK, Efraim Diveroli është shprehur i gatshëm të dëshmojë për takimet me “djalin e kryeministrit”, bisedën me të ndjerin Kosta Trebicka, shtetas amerikan ky, i cili humbi jetën në një ‘aksident automobilistik’ në mes të një fushe në Korçë. Ka dhe leje amerikane për këtë dëshmi për palën shqiptare. Dhe dinë shumë ata, shtuar këtu edhe dëshminë e dhënë tashmë nga ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare gjeneral Luan Hoxha. Janë të rënda këto dëshmi. Që sollën dhe pyetjen e Shkelzenit në SPAK përmbi dy orë. Nuk e pyetën për shënimin e Aldos atë, por për bëmat e veta.
S’po ndalemi tek paditë për vrasjen nga Garda më 21 janar 2011 të 4 demonstruesve të opozitës, teksa protesta thuajse ishte mbyllur, apo dhe hetimi i aferës së privatizimit të ish kompleksit “Partizani” ku akuzohet dhëndëri i tij si përfitues, apo për aferën me vlerë 500 milionë euro të CEZ-DIA, zhdukjen e 230 milionjë eurove të Rrugës së Kombit dhe akuza të tjera që po hetohen, përfshirë dhe zhdukjen e thesarit të shtetit. Ato janë peshë e rëndë në kurrizin e tij. Por Berisha ka hallin se e turpëruan tani në pleqëri teksa SHBA-të e kanë shpallur “non grata” familjarisht dhe për më tepër në raportin zyrtar të CIA-s amerikane Berisha akuzohet se ka marrë gjysmë milionë dollarë nga Rusia për të destabilizuar Shqipërinë e rajonin. Kjo e “vret” shumë.
Prandaj po mendon t’i qaset me të butë SHBA-së, madje duke folur dhe në emër të Kongresit amerikan për hetimin e “tradhëtisë” së Ramës ndaj Uashingtonit. Eshtë në një hall të madh, që nuk ka asnjë zgjidhje, që vepron në këtë mënyrë. Nga njëra anë shpreh gatishmëri të pakërkuar për shërbim të pakufizuar ndaj SHBA, ndonëse është ‘non grata” dhe nuk i japin madje as dorën, ndërsa nga ana tjetër kërcënon me revolucion për rrëzimin e Ramës dhe ‘hedhjen në Lanë’ të tij.
Vetëm mendja e Berishës mund t’i bashkojë këto dy pole qëndrimesh, pikërisht atëherë kur halli i tij është pa zgjidhje. Pjesa tjetër, interpelanca me Ramën për të treguar çfarë bisedoi me zyrtarin e FBI, hetimi parlamentar i Ramës, në një kohë që kryeministri i Shqipërisë nuk figuron në asnjë rresht të dosjes së hetimit në SHBA si i akuzuar për asgjë, është thjeshtë histori. Berisha e di se bisedat me zyrtarët e FBI nuk e shohin dritën e diellit, e di dhe se McGonigal nuk akuzohet për takimet me Ramën, por për paratë që mori nga një shtetas shqiptaro-amerikan borxh dhe nuk i deklaroi, akuzohet dhe për hesap të SHBA për rusët. S’ka lidhje me Shqipërinë. Kaq.