Kur bien alibitë, mbetet krimi!

3 Shtator 2020, 20:38| Përditesimi: 3 Shtator 2020, 20:40

  • Share

Në vitin 2007, edhe unë u pata ngatërruar me dy historitë e Gërdecit, atë që shpërtheu dhe vrau 26 vetë, dhe atë të Diverolit. Ngatërresa vinte nga fakti, se në të dyja historitë ishin të njëjtët personazhe, Shkëlzen Berisha, Rrahmani, Delijorgji, dhe po ashtu një kompani amerikane…

Shefi i zyrës së New York Times në Moskë, Chris Chivers, më dërgoi një email, ku kërkonte të dinte nëse kisha dokumente që provonin se djali i kryeministrit po merrej me një histori fishekësh në një repart ushtarak afër Vorës.

Unë ju përgjigja pozitivisht dhe i dërgova të nesërmen të përkthyera, gjithë vendimet e Qeverisë, lobuar nga Shkëlzeni, rreth historisë së Gërdecit, refuzimet e zëvendëskryeministrit Rusmali dhe pastaj PPP e dhënë nga Mediu për Delijorgjin.

Përgjigja ishte dëshpëruese. Personat ishin të njëjtët që më shkruante Chivers, por historia ime ishte një histori tjetër. Ai interesohej për një kompani amerikane që po blinte fishekë kinezë dhe që djali i kryeministrit ua kishte marrë përsipër….kurse unë i tregoja për një histori ku djali i kryeministrit demontonte fishekë, po për Delijorgjin, po për amerikanë, por që nuk ishin këta që po çonin në Kinë.

Aty kuptova se në Gërdec ka dy histori dhe një grup kriminal.

Mu kujtua kjo gjë sot, kur shikoj që Shkëlzeni akoma vazhdon me shpresë të gënjejë shqiptarët, duke thënë që ai nuk është akuzuar në SHBA për Gërdecin, por për një histori tjetër. Në fakt, janë dy histori që i bashkon i njëjti grup kriminal, dhe që lidhen me njëra- tjetrën.

Libri të cilin ka paditur Shkëlzeni dhe ka humbur gjyqin, flet pikërisht për historinë e dytë të Shkëlzenit, ku gjendet dhe dëshmia e Diverolit dhe ortakut të tij, për takimin me djalin sy peshkaqen, presionin tek një apartament në Tiranë në emër të kryeministrit dhe pastaj historinë që dimë të gjithë, që përfundoi me vdekjen e Kosta Trebickës.

Edhe në këtë histori, sërish del Delijorgji, një kompani ndërmjetëse në Qipron turke, e cila e çoi çmimin e fishekëve nga 2 në 8 , MEICO, Pinari etj.

Tani Shkëlzen Berisha nuk ka mundur t’i provojë dot drejtësisë amerikane, se nuk është pjesë e kësaj historie, çka do të thotë se gjithçka është shkruar për të është e vërtetë dhe ai duhet të hetohet si përgjegjës në të dy këto histori.

Emri i Shkëlzen Berishës u shfaq në New York Times disa ditë pas shpërthimit të Gërdecit, në një shkrim prej 5 faqesh dhe 11 autorësh, një rast i rrallë në historinë e gazetarisë amerikane. As skandali i Wotergate, apo “Pentagon Papers”, nuk kanë pasur një grup kaq të madh gazetarësh si nënshkrues të një shkrimi investigativ.

I vetmi reagim ishte ai i Sali Berishës, që e quajti New York Times letër higjenike. Dhe ai shkrim e lidhte Shkëlzen Berishën dhe me historinë e parë të Gërdecit.

Por nëse për skandalin e dytë me fishekët kinezë, për Shkëlzenin vlen dëshmia e regjistruar e Diverolit, që thotë se kjo punë shkon deri lart tek djali i kryeministrit dhe flet për takimin me “sypeshkaqenin”, dhe kjo nuk është hedhur poshtë nga gjykata, për skandalin e parë, atë të Gërdecit, ka dhjetëra fakte e prova që Shkëlzen Berisha ishte partner i Delijorgjit.

Ato fillojnë me tabulatet telefonike Delijorgji-Shkëlzen Berisha, apo Mediu- Shkëlzen Berisha, me interesimin direkt të Shkëlzen Berishës për kontratën, me presionin mbi Ilir Rusmalin që ta firmoste si PPP të Qeverisë, me faksin që i raportonte privatisht vendimin e Aldo Bumçit për ta miratuar kontratën, me deklaratën e sekretares së Aldo Bumçit, që dëshmon para prokurorit se Shkëlzeni ka qenë në zyrën e Bumçit kur ka marrë përgjigjen e çuar me faks, e dhjetëra dëshmi të tjera fizike.

Sa për alibinë e dytë të Shkëlzenit, atë që Diveroli e ka thënë nën betim, që nuk e ka takuar Shkëlzenin, me këtë ai mund të gënjejë ata punonjësit e shtypit të “Syrit”, që të mos u duket si pronar kriminel. Diveroli normal që nuk ka ndërmend të kalbet në burg për Shkëlzenin, se po pranoi atë gjë para drejtësisë, do ishte ende në burg tani, e jo duke shijuar paratë e bëra me Shkëlzenin.

Por tani këto nuk kanë shumë rëndësi. Shkëlzen Berisha është prej sot një i akuzuar nga gazetarët më të njohur në botë, që drejtësia amerikane nuk i lëviz asnjë prej atyre akuzave. Ai mund të vazhdojë të rrijë i lirë në Shqipëri, mund të vazhdojë të pastrojë lekët e gjakut në Gërdec, duke shitur boronica apo brekë tek një dyqan lukzos në Bllok, apo duke hapur televizion me lekë të padeklaruara, duke rekrutuar papagaj që t’i pastrojnë imazhin, ai mund t’ia hedhë drejtësisë së shkatërruar shqiptare, por ai njeri ka punë me të vdekurit.

Ata aty në anë të rrugës kryesore, ku ai shkon përditë tek “dyqani” i boronicave, janë të vdekurit e tij. Asnjë shqiptar i gjallë nuk ka 26 të vdekur për një histori korrupsioni dhe një të zhdukur mes maleve për historinë e dytë të korrupsionit, Kosta Trebickën.

Falë atij krimi Bujar Nishani na u bë president dhe gruaja e tij “Zonjë e Parë”, vetëm se u angazhuan për alibinë e vdekjes. Mes të vdekurve të tij është dhe burri i tezes së tij, si një dëshmitarë i pamanipulueshëm tashmë i përfshirjes së tij në atë biznes vdekjeprurës.

Të vdekurit nuk manipulohen më, si të gjallët që shantazhon Shkëlzeni. Ata kanë kohë të presin gjatë drejtësinë.

Drejtësia amerikane i rrëzoi gjithë alibitë e një të akuzuari për korrupsion dhe vrasje për shkak të korrupsionit, që quhet Shkëlzen Berisha. Dhe kur bien alibitë, mbetet krimi. Ai krim duhet ndëshkuar para se Shkëlzeni të shkojë pranë viktimave të veta.

Komento

Komente

  • Korca: 04/09/2020 18:16

    Shume shkrim i bukur, por vetem neper letra ngelet cdo gje. Askush ne Shqiperi nuk ka fuqi ta ndeshkoje, keshtu qe eshte per te erdhur keq qe ai shijon parate e tij, pi leng boronice dhe Armina shet tanga firmato ne Bllok !!!!

    Përgjigju
  • BRILANT: 04/09/2020 12:45

    MERO BAZE SHKRIM BRILANT PO KUJT TI FLASËSH KA AKOMA NJERËZ IDJOT QË I JAPIN VOT PARTIS QENEF WC. PO KTA NJERËZ IDJOT QË I JAPIN VOT KSAJ PARTIE ANTISHQIPTARE JAN NJERZIT MË PISA LEFIN PA PUSHIM PËR DREJTËSI PO AMAN KTO PA DREJTËSI KTA DERRA SI KUPTOJN. ZOTI E NDIMOFT SHQIPRIN.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?