Kryeministri grek dhe gazetarja holandeze

Bota

'Kur do të pushoni duke gënjyer? ', Mitsotakis, debat me gazetaren holandeze: S'mund të vish në Greqi dhe të më ofendosh

10 Nëntor 2021, 12:56| Përditesimi: 10 Nëntor 2021, 13:03

  • Share

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis është përfshirë në një debat me një gazetare holandeze, në lidhje me politikat e qeverisë së Greqisë për emigrantët.

Gjatë konferencës për shtyp në Athinë me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, gazetarja Ingeborg Beugel iu drejtua Mitsotakis duke i thënë: 'Pse gënjeni për kthimin mbrapsht të emigrantëve? Kur do të pushoni së gënjyeri? Gënjeshtra për atë që po ndodh me refugjatët në Greqi'. Ajo vijojë më tej duke thënë se ky është një "abuzim narcist".

Mitsotakis hodhi poshtë akuzat, ndërsa i tha se nuk mund të pranonte që 'të ofendohet populli grek".

"Kuptoj që në Holandë, ju keni një kulturë të shtrimit të pyetjeve të drejtpërdrejta ndaj politikanëve, që unë e respektoj shumë. Ajo që nuk do ta pranoj është që në këtë zyrë ju të më fyeni mua ose popullin grek me akuza e shprehje që nuk janë të mbështetura në fakte materiale. Në vend që të fajësoni Greqinë, ju duhet të fajësoni ata që kanë instrumentalizuar emigracionin duke i shtyrë në mënyrë sistematike njerëzit të dëshpëruar nga një vend i sigurt, sepse më duhet t'ju kujtoj se njerëzit në Turqi nuk janë në rrezik, ju duhet të fajësoni të tjerët, jo ne", iu përgjigj ai.

Mitsotakis tha se autoritetet, në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian u kishin dhënë azil 50,000 njerëzve, përfshirë "dhjetëra mijëra afganë". Gazetarja e ndërpreu duke thënë se kushtet ishin "të tmerrshme".

I irrituar, Mitsotakis ia ktheu: "Shiko, nuk mund të hysh në këtë ndërtesë dhe të më ofendosh. A jam i qartë për këtë?"

Ai tha se një kamp i sapondërtuar, i financuar nga BE në ishullin e Samos ishte "i patëmetë... nuk ka krahasim me atë që kishim në të kaluarën".

"Kjo është politika jonë, ne do t'i qëndrojmë saj dhe nuk do të pranoj që dikush t'i drejtojë gishtin kësaj qeverie dhe ta akuzojë atë për sjellje çnjerëzore", shtoi ai.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?