Godina e Teatrit Kombëtar

Kur kauza bie përpara ndërtesës së kalbur të Teatrit

28 Qershor 2018, 21:03| Përditesimi: 28 Qershor 2018, 21:26

  • Share

Unë nuk jam aktor, por teatrin e dua shumë. Jo godinën, dua artin, intepretimin e artistëve në skenë. Më kujtohet kur mbaja radhë për të blerë biletën për komedinë “Pallati 176”. Nuk mbaj mend sa herë kam shkuar ta shikoj, edhe kur biletat shiteshin një javë përpara. Nuk i jam ndarë asaj salle edhe kur nuk shkonin më shumë se 20 vetë, në kohën kur njerëzit kishin nevojë më shumë për bukë se sa për art.

Kam punuar 16 vjet në një vend pune, dhe sot më duket se në atë ndërtesë, edhe pse është pronë private e dikujt tjetër, më përket edhe mua diçka. Mendoni ata aktorë që kanë punuar prej dekadash aty. Jam i bindur se u shijon edhe pluhuri i skenës. Eshtë një ngjizje mes njeriut dhe objektit, që bëhet kaq e madhe me kalimin e kohës sa të duket si pjesë e vetes.

Aq më shumë kur bëhet fjalë jo për nëpunës administrate, që nuk “u bëhet vonë” nëse ua ndërrojnë zyrat, por për njerëz të botës së artit që kanë tjetër ndjeshmëri, edhe shpirtërore. Kjo justifikon tërë kontestimin e artistëve, të vjetër dhe të rinj, për ta mbrojtur atë godinë.

Por të gjithë e dinë, edhe ne e dimë, se ajo nuk është një monument kulture, as trashëgimie. Edhe pse historia jonë e artit është kaq e varfër sa edhe një ndërtesë si ajo mund të na bënte punë në aspektin muzeal. Por para se të kemi nevojë për një muze, ne kemi nevojë për një teatër. Dhe teatri nuk u përket vetëm artistëve që punojnë aty, por të gjithëve, edhe neve që ndjekim shfaqjet e tyre.

Ajo godinë nuk mund të jetë një teatër më. Jo sepse këtë e thonë ekspertët që nxjerr bashkia, por sepse kamerat e televizioneve kanë treguar me kohë gjendjen e saj teknike. Dhe po ashtu edhe mungesën e kushteve për aktorët dhe spektatorët. Ajo që përbën thembrën e Akilit në këtë debat, në fakt duhej të ishte përdorimi i territorit, që sot është “pronë” e teatrit, në shërbim vetëm të artit. Jo për kulla, por për art. Një ndërtesë të re teatri, një ndërtesë të re cirku, objekte të tjera kulturore etj. Pra një mini “Qytet i artit”.

Por artistët, me gjithë të drejtën e tyre morale, e fiksuan stekën e kundërshtimit tek mbrojtja e godinës së vjetër, për t’u tërhequr më pas një nga një përballë argumentave që janë me thes kundër kësaj kauze. Tashmë ata po vihen në rresht të firmosin dakordësinë për prishjen e teatrit. Pa patur asnjë të drejtë ligjore të jenë ose jo “dakord”, pasi ata nuk janë bashkëpronarë të truallit.

Kauza e ngritur mbi një ndërtesë të kalbur, ra përpara vetë ndërtesës. Dhe bashkë me të edhe kauza e qytetarëve për të kërkuar jo thjeshtë ruajtjen e godinës së vjetër, por ndërtimin e një “qyteze arti” në mes të kryeqytetit.

Komento

Komente

  • tir: 29/06/2018 04:38

    Nuk i heq as nje " . " apo " , " ketij shkrimi.Mentor Kikia mbetet gazetari qe nuk ben kompromise ne dem te moralit, etikes, personalitetit. Largimi nga Top- channel ishte nje minus per kete kanal. Me gishta numerohen figura te tilla mediatike( Kikia, Bollino, Minxhozi,Anri Bala etj )

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?