Berisha dhe Meta

Kur kërkon vetting, i ‘rehatuar’ në vilat miliona euroshe në Gjirin e Lalzit!

19 Tetor 2022, 18:50| Përditesimi: 19 Tetor 2022, 18:53

  • Share

Shqipëria me të vërtetë është një vend i çudirave, një përcaktim ky për të kursyer sadopak në shprehje sadopak thënien se “Shqipëria është vendi i absurdit”.

Në këto 32 vite të postkomunizmit sëpaku kemi parë zhvillime, të cilat janë të denja për të hyrë në manualet politike të botës, ndoshta dhe për t’i rezistuar dekadave, se si nuk duhet të jetë politika, politikani, qeverisja dhe qeveritari.

E kemi thënë dhe herë të tjera se si askund tjetër në Europën postkomuniste, demokracia në Shqipëri ka hyrë së prapthi. Ka hyrë praktikisht nga “deriçka” anësore, e sponsorizuar nga ata që po dorëzonin pushtetin që e kishin mbajtur për 45 vite me radhë, pikërisht në duar të sigurta.

Dhe për t’i vënë një emër ideatorit dhe ekzekutorit të lindjes dhe formatimit të kësaj demokracie në Shqipëri, të cilën shumëkush ka dëshirë ta identifikojë me të parën parti opozitare pas 45 viteve diktaturë të egër komuniste, pra me Partinë Demokratike që lindi në mesin e dhjetorit 1990, ai është as më pak dhe as më shumë por Ramiz Alia, presidenti i fundit komunist e pasuesi i diktatorit Enver Hoxha. Eshtë një gjykim i gjithëpranuar nga shqiptarët.

Ramiz Alia zgjodhi dhe drejtuesin e PD, për të lënë të gjallë frymën komuniste, por nën mbulojën e anti-komunizmit të egër. Ishte një pakt i mirëmenduar ai mes Alisë dhe Berishës, ku ky i fundit hyri si sekretar i PPSH dhe doli si demokrat e lideri i ardhshëm i PD dhe i Shqipërisë, një fatkeqësi e fundit që gatoi ish presidenti komunist Ramiz Alia për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Të gjithë e dinë se si u eleminuan të gjithë drejtuesit e lëvizjes së Dhjetorit e të PD të asaj kohe, nga Azem Hajdari e deri tek Aleksandër Meksi që mbajti për 13 orë drejtimin e kësaj partie, për t’u “zbritur” dhunshëm, dhe nga ‘abdikimi’ i Meksit përfitoi i “përzgjedhuri” i regjimit që po ikte, Sali Berisha. Dhe me pak ndihmë nga “fshati i gruas” sikurse e thonë gojët e liga, pra nga elementët e inteligjencës së Serbisë. E ka thënë Azem Hajdari i ndjerë që më 1995, me statusin e kreut të komisionit parlamentar të Rendit dhe SHIK-ut, teksa hodhi në publik alarmin e zhdukjes së dosjeve të ish agjentëve të UDB.

Ish kreu i SHIK Bashkim Gazidede heshti, ndërsa Hajdari më shumë qëndroi jashtë strukturave të PD se sa brenda tyre, derisa erdhi në momentin e mbramë, kur në rrethana tepër misterioze për nga shkaku dhe ekzekutimi, u vra para selisë së PD më 12 shtator 1998.

Ndërsa ish kreu i SHIK Gazidede, pas disa viteve në ekzil politik, për fatkeqësinë e tij, u rikthye në atdhe, mori një pozicion drejtues te Hipoteka dhe u shua ngadalë si shumë të tjerë ish bashkëpunëtorë të afërt të Berishës, nga një sëmundje misterioze, që ia mori jetën, duke e bërë të heshtë përgjithmonë. Dinte shumë ai.

Prandaj themi se demokracia në Shqipëri filloi së prapthi. Pasi në vend që të zgjidhej në krye të PD një antikomunist, një figurë përbashkuese për të gjithë, u përzgjodh një nga komunistët më të devotshëm, Sali Berisha. I cili i dha “drejtim”, duke institucionalizuar në keqen në Shqipëri për 32 vite me radhë, dhe prodhuar viktima shtetërore gati sa në komunizëm.

“Saga” e eleminimeve nisi nga viti 1992 me vrasjen misterioze të 4 djemve shkodranë me 2 prill dhe ka vijuar me përndjekje, zhdukje si ai i të ndjerit Remzi Hoxha, me nxjerrjen në “ankand” të dinjitetit kombëtar dhe interesave të vendit me thyerjen e embardos së OKB për Milosheviçin në kulmin e masakrave në Bosnje dhe Kosovë, me shkatërrimin e shtetit nga themelet në marsin tragjik 1997 që prodhoi afër 4 mijë viktima, me një grusht të dështuar shteti më 14 shtator 1998 pas vrasjes së ish liderit të dhjetorit Hajdari, një shpërthim shtetëror municionesh në Gërdec më 2008, biznes i Shkëlzen Berishës ky, ku u vranë 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë dhe vrasja nga Garda e Republikës e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janaar 2011. Por dhe shkatërrimin nga themelet të drejtësisë, që ishte në dorën e këtyre “kasapëve” të shqiptarëve. Si në diktaturë.

Këtu llogarisim në koston negative që startoi me shitjen e interesave të vendit te Serbia, Rusia e vendet arabike, aq sa as NATO ku u pranuam më vonë nuk na qaste në mbledhje, e deri tek falja e detit Greqisë, abuzimet pafund me paratë e shtetit dhe zullume të tjera, që “materializojnë” më së miri konstatimin gjithëpopullor se në Shqipëri gjithçka filloi së prapthi që në vitin 1990.

Fundja çfarë mund të presësh në një vend që kaloi diktaturën më të egër komuniste, kur nivelet e mesme dhe të ulta të komunistëve ishin më të egër se sa vetë kupola komuniste, pra “më katolikë se Papa”, thjeshtë e vetëm për të treguar devotshmëri. Pra për të garantuar “mbijetësën” e llojit, njeriun e ri të krijuar nga diktatura komuniste, ku Sali Berisha është personifikimi më i plotë e më ekzakt i “njeriut të ri” të partisë, i cili tashmë është ngulur në politikën shqiptare si “gozhda e Nastradinit” dhe për qamet nuk shkulet prej andej.

Fshihet prapa perdeve, zgjedh “birin” politik, duke i vënë kushtin jo që të qeverisë më mirë partinë për të riardhur në pushtet, por për të bërë pakt që “babai” të mos preket familjarisht as nga drejtësia, as nga “skifterët” e rinj politikë e mbi të gjitha as nga amerikanët dhe BE.

Fundja Sali Berisha veproi kështu me Lulzim Bashën “mot a mot” siç veproi “babai” i tij politik Ramiz Alia, që e përzgjodhi si vazhdues i denjë për jetë e mot të komunizmit, të konvertuar kuptohet në neokomunizëm, në Shqipëri. Dhe Berisha e “preu” në besë “babain” shpirtëror, e futi në burg Ramiz Alinë, ndonëse ish udhëheqësi i fundit komunist ia doli të mbijetonte fizikisht.

Të njëjtën gjë bëri dhe Basha pas shpalljes së “babait” politik “non grata” nga SHBA, e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD, më pas dhe nga vetë partia që lideri historik e konsideronte dhe e konsideron ‘pronë’. Nuk thonë kot, “atë që ti ia bën babës, hakun ta merr djali. Me të njejtën monedhë”.

Por këtu u bë ndryshimi. Nëse Ramiz Alia e kuptoi se i kishte kaluar koha dhe s’mendoi kurrë rikthimin, pavarësisht se ishte penduar në shpirt për emërimin e Berishës në krye të PD, për vetë natyrën liberale të ish udhëheqësit të fundit komunist, ishte thellësisht i penduar për numrin e lartë të “karatëve” që kishte si komunist i përzgjedhuri i tij Sali Berisha, ky i fundit dëboi ‘birin’ politik Basha dhe mori sërish shumicën e PD. Si askund tjetër.

Po fundja Shqipëri është, vendi i absurdit, ku dhe për të vlerësuar dikë, në vend që të thuash është i zoti, i shkolluar, politikan kalibri, gjendet në mënyrë të përmbledhur togfjalëshi që kudo tjetër bën që të kërcasë pushka, “është bir k…e”. I ke përmbledhur të gjitha vlerësimet për zotësinë, shkathtësinë në politikë apo në biznes, për një politikan apo njeri në Shqipëri me këtë togfjalësh.

Dhe Berisha, pasi rropi Shqipërinë, minoi demokracinë e shkatërroi drejtësinë, janë përcaktime të SHBA këto në motivacionin e shpalljes “non grata” familjarisht, i detyron shqiptarët që të dëgjojnë lajthitjet e tij prej plaku nepsli pushteti e më gjërë dy herë në ditë.

Berisha në krye të opozitës, i ndihmuar fort dhe nga Ilir Meta, një tjetër “dinozaur” ky i politikës, por që kryeson Partinë e Lirisë, të lindur mbi rrënimin e LSI, nuk e kanë për gjë ta paraqesin veten si të ardhmen e këtij vendi, si njerëzit që do të luftojnë korrupsionin e kësaj qeverie, si politikanë që do të sjellin demokracinë në këtë vend, do vendosin barazinë para ligjit e shprehje të tjera që në gojën e tyre duken të çuditshme për shqiptarët. Të cilët në të gjitha sondazhet i rendisin në krye të politikanëve më të urryer në këtë vend.

Anipse janë të dy me 8 kallzime penale sëbashku, janë përballë drejtësisë të akuzuar për abuzime dhe krime, anipse kanë akuzat nga më të rënda me afera deri në 500 milionë euro si ajo e Rrugës së Kombit, CEZ-DIA, privatizimet e ish kompleksit “Partizani” nga dhëndëri apo kërkesa për ryshfet 700 mijë euro e lobimet me para të errëta ruse në SHBA. As nuk skuqen dhe as nuk zverdhen nga këto akuza. Përkundrazi, bëjnë sikur kanë zbritur tani në planetin tokë.

Dhe sidomos me deklaratat e fundit, si Berisha ashtu dhe Meta nuk kanë zhgënjyer askënd në Shqipëri. Mjaftoi një deklaratë e kryeministrit Edi Rama, në takim me pedagogët se do të bëhet vetting në arsim në sensin e transparencës së të ardhurave nga punët e dyta apo të treta, përpos mbështetjes dhe masave të tjera në funksion të ngritjes së arsimit në Shqipëri, që të ngrihet ‘sentimenti’ i “dinozaurëve” të politikës dhe të sulmojnë.

Menjëherë pas kësaj deklarate opozita e Berishës dhe Metës foli për “kërcënimin” me veting që sipas tyre, Kryeministri po u bën pedagogëve në vend. Ky është një tjetër keqinformim që vjen nga ana e dyshes drejtuese opozitare, që po keqpërdor fjalët e kryeministrit për qëllime politike. Pasi në këtë takim Rama ka folur për fenomenin e shpeshtë të dypunësimit të pedagogëve, shtet edhe privat, të cilët sipas tij, duhet t’i bëjnë transparente fitimet e tyre në të zezë.

Madje Rama e tha në mënyrën më të butë të mundshme. Pasi nëse do të pyeste shqiptarët, ata që kanë pasur fëmijë në shkollat e larta, do të kishte evidentuar dhe faktin se duhet t’ua mbash “pompën” e lekëve gati shumë pedagogëve, për të marrë një notë kaluese, dhe akoma më të lartë për një notë të mirë. E thënë qartë: nuk e dëgjojnë kjo “specie” pedagogësh se çfarë thotë studenti në seminar apo në provim, por e shohin nga duart sa lekë ka. Jo të gjithë, të kuptohemi.

Pra teksa kryeministri flet thjesht dhe vetëm për një fenomen të tregut, ku paratë në privat nuk deklarohen apo profesorët figurojnë si sanitarë e deri dhe punëtorë krahu, opozita ka gjetur rastin të keqpërdorë edhe pedagogët për problemet e tyre si “non grata”. Duke i nxjerrë në shesh një pjesë për të protestuar dhe bojkotuar mësimin, nën kërkesën për rritjen e pagës jashtë takatit së arkës së shtetit dhe përtej normalitetit të një profesorati që dhe bën ndonjë punë veç leximit të leksioneve, në shumicën e rasteve jo të vetat dhe të kopjuara keq.

Dhe gjejnë kohën afër fillimit të vitit akademik për të protestuar, bllokojnë mësimin, anipse studentët e rretheve në masën më të madhe kanë paguar në konvikte për të gjithë vitin, apo të tjerë që kanë marrë shtëpi me qira në Tiranë, ta masin kokën me spango qiradhënësit, duke paguar me paratë e gjakut të familjeve të tyre të varfëra. Dhe në vend që të mësojnë, vërdallosen Tiranës, duke shpenzuar dyfish nëpër kafe, në pritje të pedagogëve. Diku do të rrinë dhe ata.

Madje janë të detyruar që pas këtij skrapatimi vetjak dhe familjar, të dëgjojnë dhe thirrjen e pedagogëve për të mbështetur protestën e tyre dhe bojkotin e mësimit, për të rritur rrogat e këtyre pedagogëve, të cilët Universitetin e Tiranës e kanë për të marrë pagën dhe paguar siguracionet, ndërsa punën e bëjnë në privat. Mjafton të shkosh pas protestës në cilido universitet privat dhe i sheh ‘non stop’ duke dhënë mësim. S’të fal privati, të do në punë, pasi të ka paguar lekët.

Dhe pikërisht këtu shpërthejnë Berisha, më pas dhe Meta, të cilët kërkesën e Ramës për këtë lloj transparence e përkthejnë si kërcënim, duke “kërcënuar” se do të bëjnë dhe ata vettingun e kryeministrit. I cili për hir të së vërtetës gjithçka e ka të deklaruar, madje dhe voton aty.

Një thirrje e tillë e Berishës dhe e mbështetur më pas dhe nga Meta dhe njerëzit e tij është me të vërtetë kulmi i fyerjes së inteligjencës së shqiptarëve. Pasi e bëjnë dy rrogtarë, si Berisha ashtu dhe Meta, por që jetojnë në vilat miliona euroshe në Gjirin e Lalzit. Pa llogaritur banesat e tjera,

Pasi janë “rehatuar” për të bërë pushimin e pasdites në këto vila, lëshojnë deklarata të tilla, që për një shqiptar normal, i cili ka të ardhura zyrtare mujore sa familjet Berisha apo Meta-Kryemadhi, është një “çekan” që i godet në kokë dhe që i tregon në sytë e fëmijëve të tyre sa të pazotë funksionalë që janë, pasi nuk kanë garantuar as vila, as makina të shtrenjta, as biznese. Pra që s’janë “bij k….sh”, si kjo “skotë” politikanësh, që me dy rroga shteti dhe pa asnjë biznes apo aktivitet tjetër të deklaruar kanë miliona euro e dollarë, pasuri të patundshme dhe nëpër bankat e huaja.

Nuk pinë ujë as justifikimet e Berishës se është pasuria e fëmijëve, njëri prej të cilëve nuk i ka thënë njeri ‘puna e mbarë’ tërë jetën, tjetri një rrogtar shteti, por që u kthyen në gjobvënës biznesesh në ermër të të atit kryeministër.

Por nuk pinë ujë as justifikimet e Monika Kryemadhit që thotë se tokën ku është ndërtuar vila në Astir dhe që ka “prodhuar” vilën në Lalz, harrohet ajo në Golem, ia ka dhënë babai, i cili e ka fituar me ligjin 7501. Nuk del dikush të thotë se toka me këtë ligj është dhënë në përdorim dhe jo në pronësi dhe nuk lejohet përdorimi për qëllime përfitimi. Aq më tepër që nëse e ke shitur apo blerë në atë vit që pretendon Kryemadhi ke shkelur ligjin dhe duhet të dënohesh, qoftë dhe për këtë akt.

Apo justifikimi tjetër se ndërhyrjet mjekësore, estetike dhe çdo shpenzim tjetër janë bërë përmes bankës dhe janë paguar të gjitha taksat. Nuk e ka pyetur njeri Kryemadhin nëse ka bërë evazion fiskal, të paktën unë nuk e kam dëgjuar një akuzë të tillë. Fjala është ku janë marrë këto para për të cilat janë paguar taksa kur i kanë përdorur në shërbim të zbukurimit. Kjo është çështja.

Dhe pa bërë vetting të plotë për Berishën, Metën dhe të gjithë politikanët në këtë vend që kanë “njomur sqepin” në paratë e shqiptarëve, duke u bërë milionerë me rroga shteti, sado të larta të kenë qënë ato, për t’i kthyer paratë e vjedhura në arkën e shtetit, ky vend nuk do ketë të përpjetë.

Ndryshe do të dëgjojmë pafund absurditete të tilla, që na fyejnë në inteligjencë. Ndërkombëtarët, më mirë të krijojnë një trupë hetimi e gjykimi jashtë sistemit të drejtësisë së Shqipërisë, me të huaj, për të hetuar zyrtarët e lartë shqiptarë. Do shpenzojnë një çikë, por është e garantuar se do kushtojë shumë e shumë më pak se sa financimi i një drejtësie shqiptare që vetëm merr rrogën dhe nuk bën asnjë punë. Nga frika, nga përlyerja apo nga maskarallëku, kjo mbetet për t’u parë.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ardi: 19/10/2022 23:58

    Te behet veting dhe kushdo me vila ne Lalz ti marri partia dhe shoku Eevin. Ndersa vilat neper kodrat e Farkes, te perjashtohen. Te shashtisin keta anadollaket komuramiste!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?