Opinion
Periferi

Kur na vjen keq për policin dhe jo për gazetaren

8 Nëntor 2021, 16:28| Përditesimi: 8 Nëntor 2021, 16:35

  • Share

Eshtë njerëzore që shumë prej nesh të ndihen solidalë me policin e ndëshkuar pasi shtyu drejt greminës gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha dhe kameramanin afër saj. Gazetarja tregoi me sinqeritet se i pari ishte babai i saj që ja kishte kërkuar të rishikonte qëndrimin, se “kushedi si ishte në atë moment. Ndoshta i lodhur, i mërzitur etj.” Edhe të tjerë patën këtë ndjenjë keqardhje për policin. E megjithatë kjo keqardhje (për mendimin tim në shumë raste shumë hipokrite) vihet së shumti në pah kur diçka që nuk shkon i ndodh një tjetri, e kundërta është parë në reagime dhe në mallkime e ekzagjerime kur “halli” i ka rënë secilit prej nesh në kokë, në rrethana edhe më të thjeshta. E megjithatë, një e përbashkët duhet të na bëjë solidalë, një vijë e kuqe si kufi i paprekshëm duhet të na bashkojë: Shërbëtorët e Shtetit duhet të jenë tepër korrektë në çdo veprim që bëjnë. Nëpunësit, oficerët, në radhë të parë duhet të jenë shembulli i veprimit të mirë dhe të drejtë, e pas tyre kushdo tjetër me radhë. Sidomos me gazetarët. Kur një punonjës i shtetit sillet keq me një gazetar dhe me një kameraman, do ta gjejë kurajon 1000 herë më të madhe të shtyjë dhe të flakë tutje një qytetar të thjeshtë. Gazetarët as nuk shtyhen, as nuk flaken, as nuk përbuzen, pasi duke shtyrë, flakur përbuzur ata, nënkuptohet nënvleftësimi që i bën gjithë publikut që përfaqësojnë, sado i madh apo i vogël të jetë.

Ai i gazetarit, nuk është një profesion me shumë popullaritet. Bën pyetje që bezdisin, gjendet në vende ku nuk duhet të jetë, kërkon llogari, tregon fakte dhe të vërteta që pak i pëlqejnë. Dihet, shumë pëlqejnë më mirë një sajim se një të vërtetë, madje, ka studime që tregojnë se gënjeshtra është më e pranueshme dhe më e përqafueshme nga shumë vetë, në krahasim me të vërtetën. Por ama vetëm kjo e fundit ka vlerën e pamohueshmë të çojë përpara një shoqëri e ta përmirësojë. Pra, mund të ndodhë kollaj që një gazetar të mos e marrë përkrahjen popullore kollaj. Madje, gazetarët me përkrahje të madhe popullore, ndoshta nuk janë më gazetarë, ndoshta humoristë, ndoshta aktorë, por jo gazetarë. Një gjë është e sigurtë: të majtë apo të djathtë, një gazetar i vërtetë, do të bëjë gjithnjë rolin e zërit që kërkon llogari aty ku nuk mund të arrijë qytetari i thjeshtë.

Nuk është rasti i parë dhe as i fundit që një njeri i Shtetit shtyn, apo trajton me përbuzje një gazetar. Ndëshkimi i tij nuk duhet të shkaktojë qejfmbetje tek asnjë qytetar, pasi, rast pas rasti, tolerim pas tolerimi, kush është në anën e pushtetit e ka si ves të përforcojë pozitat e veta komode e të shtyjë cilindo që i futet në territor: sot një gazetare, nesër një kameraman, pasnesër, një qytet të tërë. Kemi njohur gazetarë që kanë interpretuar e kanë bërë skena kushedi se përse; nëse nuk dimë të dallojmë se nuk ishte i tillë rasti i Anila Hoxhës, e cila bashkë me shumë kolegë priste dhe kërkonte të vërtetat pas kordonit të verdhë, pa asnjë levë në dorë, pa asnjë shishe molotov, mes guroreve dhe shkrepave të pasDajtit, do të thotë që problem jemi ne!

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jaho: 08/11/2021 18:36

    Nje polic nuk ka nivelin e nje gazetareje. Gazetaret duhet te tregiohen te paret superkorrekt me kerkesat e policise ne vend-ngjarje dhe jo te shkojne atje e i pengojne ne punen e tyre.

    Përgjigju
  • Erzeni: 08/11/2021 16:44

    atehere cfaj ka polici qe gazetaret gjenden ne vende qe nuk u lejohet polici eshte ne krye te detyres

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?