Presidenti Ilir Meta

Kur nuk të besojnë, as premtimin për dorëheqje!

12 Shtator 2020, 07:55| Përditesimi: 12 Shtator 2020, 07:57

  • Share

Ilir Meta vazhdon të mos heqë dorë nga “kërcënimet” që do të japë dorëheqje.

Fillimisht kërcënoi ende pa shkuar në zyrën e presidentit, në fushatën e vitit 2017. Ndërkohë që kishte marrë votat në Kuvend dhe priste të merrte detyrën në korrik, ai u angazhua në fushatë elektorale, me eskortë si president, duke kërcënuar dhe shantazhuar në Lezhë se nuk i interesonte posti që i kishte dhënë Edi Rama, por ishte gati të përballej me të.

Nuk e mori njeri seriozisht, madje as Aldo Bumçi, që ishte rivali partisë së tij në Lezhë. Zgjedhjet mbaruan, Edi Rama fitoi i vetëm, ndërsa Ilir Meta u kthye në Presidencë, për të filluar betejën si president i opozitës.

Në pranverën e vitit 2019, pasi kishte bërë disa beteja me Qeverinë për mos dekretime ministrash, duke i hequr deputetëve kompetencën e tyre thelbësore, që ka të bëjë me votimin e një Qeverie, ai kërcënoi për herë të dytë. Ndërsa turmat me molotov mbushnin një herë në javë Bulevardin, ai sërish hapi fjalë se do të jepte dorëheqje.

Këtë e bëri pasi ç’dekretoi zgjedhjet dhe i shtyu me mendjen e vet më 13 tetor. Pas kësaj u hap dhe lajmi se do japë dorëheqje që të bëhet krizë institucionale dhe askush të mos ketë fuqi të vendosë asgjë.

Kur e pa që askush nuk përfilli ç’dekretimin e zgjedhjeve dhe dekretin për zgjedhjet e reja, por shkuan në kuti të votimit më 30 qershor, i futi një xhiro maleve me Çim Pekën dhe u kthye prapë në Presidencë me bisht në shalë.

Herën e tretë që kërcënoi me dorëheqje, ishte kur socialistët ngritën Komisionin Hetimor për shkarkimin e presidentit, për shkelje të rënda kushtetuse. Ai deklaroi se, “nëse Komisioni i Venecias deklaron se kam shkelur Kushtetutën, do jap dorëheqjen”.

Komisioni i Venecias deklaroi se ç’dekretimi i zgjedhjeve të 30 qershorit ishte shkelje kushtetuese, por shtoi se meqë shumica nuk e përfilli Metën, ajo nuk shkaktoi pasoja të rënda. Pra presidenti u certifikua edhe si shkelës Kushtetute, edhe si njeri që nuk përfillet. Pra dy herë më keq.

Ai sërisht e hëngri fjalën dhe nuk dha dorëheqjen, duke u justifikuar se e shkeli Kushtetutën, ‘por ju nuk më përfillët’. Kjo në fakt përbën dy arsye për të dhënë dorëheqje, e para si shkelës Kushtetute, dhe e dyta si një president që nuk e respekton askush, por kjo e dyta i duket alibi. Nuk e dha dorëheqjen.

Tani në prag të zgjedhjeve parlamentare, kur LSI del në sondazhe 1,4 për qind, dhe kur duket se ai nuk ka asnjë shans të faktorizohet për zgjedhjet e tjera, kur reaksioni ndaj shfaqjeve publike të gruas së tij, është 100 për qind negativ dhe kur ai ka plane të tjera për të ribërë një parti të re, po e mendon dhe një herë këtë punën e dorëheqjes.

Por këtë radhë krejt ndryshe. Këtë radhë premton se do ta japë dorëheqjen një ditë pas zgjedhjeve, për t’ia ngrirë Lulit buzëqeshjen. Kjo, duke nënkuptuar nëse ata do fitojnë.

Nëse ata do humbasin akoma më keq, ai do jetë lideri suprem i opozitës dhe do nisë ofensivën e madhe kundër Edi Ramës.

Por ky premtimi i fundit për dorëheqje duket se e ka një problem serioz, pasi tregon më shumë pasigurinë e tij për të ardhmen, se sa sigurinë çfarë do të bëjë.

Nëse ai është gati për luftë, duhet të jepte dorëheqjen ditën që dekretoi zgjedhjet dhe të dalë në betejë. Pastaj pas 25 prillit, le të bëjë ç’ti dojë zemra, po fitoi.

Por ai do që betejën dhe përgjëgjësinë ta kenë të tjerët, kurse ky të shfaqet me lugë në brez, ose me pushkë në dorë më 26 prill, pasi ka premtuar dorëheqje.

Ky është paralajmërimi i katërt për dorëheqje, që i bie nga një për çdo vit që ka qenë president. Po të duronte dhe një vit, i mbaron mandati dhe s’ka nevojë të premtojë më dorëheqje, pasi është e qartë që ai nuk është duke kërkuar të iki nga pushteti, por duke kërkuar pushtet më shumë.

Problemi është, kush ja ka mbushur mendjen, që po të paralajmërojë ky dorëheqje, njerëzit mërziten apo shqetësohen.

E vërteta është se njerëzit mërziten pse ky nuk jep dorëheqjen, apo pse nuk e heqin, dhe jo pse paralajmëron dorëheqje.

Edhe dje, sikur të mos ishte paralajmërimi i katërt për dorëheqje, në Tiranë do kishte nisur festa. Por ngaqë është e katërta herë që gënjen, as mërzitet dhe as gëzohet njeri, nga paralajmërimet për dorëheqje.

Është rasti kur njerëzit kanë hequr dorë nga presidenti, duke mos i besuar as premtimin për dorëheqje. Merre me mend sa mund t’i besojnë premtimet e tjera.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Une i besoj: 12/09/2020 16:10

    7% edhte i mjaftueshem

    Përgjigju
  • sheef: 12/09/2020 10:57

    eshte e rendesishme qe gjobat te mblidhen pasi athere ligji merr jete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?