Opinion

Kur presidenti Meta flet si ‘kofini pas së vjeli’

12 Qershor 2021, 14:13| Përditesimi: 12 Qershor 2021, 14:14

  • Share

Presidenti Meta është përpjekur shpesh kohët e fundit që të deklarohet në publik se ka qenë kundër djegies së mandateve që opozita PD e LSI bëri në shkurt 2019. Ai ka gjetur një alibi se “djegia” mandateve ndodhi ndërkohë që ai ndodhej në një aktivitet në Mynih të Gjermanisë.

Nuk duam ta paragjykojmë presidentin Meta në këtë rast, por janë disa arsye që na bëjnë të dyshojmë në sinqeritetin e tij.

Vërtetë ai ndodhej në Gjermani ditën që ndodhi “djegia” e mandateve, por ajo “djegie” nuk ndodhi ashtu papritur, si një surprizë ku askush nuk dinte gjë.

Opozita kishte kohë që e deklaronte këtë dhe kjo çështje ishte temë e ditës në analizat politike. Bile aktet ekstreme që do ndërmerrte opozita gjatë fillim vitit 2019, ishin paralajmëruar në shtypin pranë LSI-së qysh në nëntor- dhjetor 2018.

“Djegien” e mandateve Lulzim Basha e votoi unanimisht në mbledhjen e grupit parlamentar në pasditen e 18 shkurtit 2019. Më datë 19 shkurt këtë vendim e dënoi si kundërproduktiv zëdhënësja Kocijançiç nga BE. Po më datë 19 shkurt presidenti Meta mbajti një fjalim në Mynih për temën për të cilën kishte shkuar atje.

Ilir Meta ka qenë në atë periudhë shumë i afërt me Lulzim Bashën, në çdo agjendë të tij politike, përfshi edhe aktet ekstreme që do nisnin me protesta masive kundër qeverisë “Rama”. Lulzim Basha nuk mundet që një vendim kaq të rëndësishëm, ta konsumonte vetëm me kryetaren formale të LSI-së, zonjën Kryemadhi dhe të linte pa dijeni presidentin Meta i cili ishte i vetmi pol pushteti që do i mbetej opozitës.

Presidenti Meta është justifikuar më vonë se për procesin e “djegies” së mandateve është gënjyer nga bashkëshortja e tij nëpërmjet një komunikimi me mesazhe në aplikacionet online. Sipas tij, zonja Kryemadhi i paska thënë që vetëm ajo do e “djegë” mandatin, sa për solidaritet, kurse pjesa tjetër e LSI-së jo.

Domethënë, për presidentin nuk përbënte problem që Partia Demokratike po digjte 43 mandate. As që kryetarja e LSI-së po shkonte në këtë linjë sa për solidaritet. Fakti që nuk ka këmbëngulur që të mos merrej asnjë hap pa ardhur ai, tregon se presidenti Meta ka qenë pjesë e këtij organizimi brenda opozitës për të “djegur” mandatet.

Do mjaftonte vetëm fakti që Lulzim Basha dhe grupi parlamentar i PD-së vendosi të djegë mandatet, që presidenti Meta të anulonte agjendën e tij në Gjermani dhe të kthehej urgjentisht në atdhe. Bile, përpara se të nisej, duhet të bënte edhe një deklaratë që nga Mynihu ku të mbante qëndrim kundër.

Po edhe kur erdhi në Shqipëri, nuk kujtoj ndonjë konferencë shtypi të mbajtur nga presidenti Meta që të ketë dënuar me forcë “djegien” e mandateve. Presidenti Meta ka treguar se edhe kur u çon sms fyese e kërcënuese bashkëpunëtorëve të tij del në konferencë shtypi ku kërkon hetim ndërkombëtar dhe pastaj nuk ndodh asgjë.

Kurse për një çështje kaq kardinale, që i shërbente destabilizimit politik të Shqipërisë, ai nuk ndërmori asnjë hap për të thirrur as tryezën e partive politike parlamentare, as tryezë të partive opozitare, ku të luante një rol moderator për ndikuar në ftohjen e gjakrave.

Ajo që pamë ishte se ai qëndroi në heshtje të plotë teksa Lulzim Basha dhe zonja Kryemadhi nisën ofensivën me molotov kundër godinave të kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.

U desh një deklaratë e fortë nga përtej oqeanit, ku Basha dhe zonja Kryemadhi do përmendeshin si emra të përveçëm, ajo që bëri që të dështojë sulmi final i opozitës më 8 qershor kundër selisë së qeverisë. Vetëm në atë rast presidenti Meta u detyrua t’u bëjë thirrje dy liderëve Basha e Kryemadhi për vetëpërmbajtje dhe pas kësaj protesta kaloi si një shëtitje në bulevard.

Zoti president sot mund të jetë bërë pishman për “djegien” e mandateve, por tashmë ai flet si “kofini pas së vjeli”. Atëherë kur duhej fjala e tij, ai heshti. Heshti sepse ishte pjesë e skenarit. Faktet që parashtrova më lart, për fat të keq, nuk më lënë shteg për të besuar të kundërtën.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?