Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel

Kurti akuzoi Lajçak se po mban anën e Vuçiç, i përgjigjet DASH: Po bën përpjekje të palodhura për dialogun Kosovë-Serbi

19 Shtator 2023, 07:48| Përditesimi: 19 Shtator 2023, 07:55

  • Share

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi. Komentet erdhën si përgjigje ndaj një kërkesë të Zërit të Amerikës për një reagim rreth pohimeve të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili akuzoi Lajçak për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës, në takimin e javës së kaluar mes palëve.

Kryeministri Kurti tha se u kishte dërguar letra mbi këtë çështje vendeve kryesore perëndimore ndërsa akuzoi zotin Lajçak ndër të tjera për “deformim të procesit”. Në përgjigjen drejtuar Zërit të Amerikës zëdhënësi i DASH-it nuk konfirmoi apo mohoi nëse letra kishte mbërritur në Uashington, por tha se:

Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

Ne presim që të dy vendet t'i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Zëdhënësi i DASH-it e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut. Ai tha se SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm.

Të hënën gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak se nuk ishte “i paanshëm” në takimin e javës së kaluar ndërmjet palëve. Ai tha se më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit, kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër marrëveshjes bazike në veçanti.

Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi e plotëni të saj ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që dëshiron Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë".

Kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e kishte pranuar një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e arritur ne Bruksel dhe në Ohër.

Kryeministri Kurti njoftoi se u ka dërguar letra kryeqendrave kryesore të vendeve perëndimore për të sqaruar takimin e fundit dhe akuzoi zotin Lajçak se ka “deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm e të pakushtëzuar të marrëveshjes bazike dhe aneksit implementues, por duke lejuar që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave njëherë e pastaj shohim”.

Udhëheqësit e dy vendeve u takuan në Bruksel mes tensionesh të larta dhe thirrjeve të diplomatëve perëndimorë për shmangien e veprimeve që mund të nxisin një ripërtëritje të dhunës në rajon. Tensionet shpërthyen në fund të muajit maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave me mbështetjen e policisë.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?