Albin Kurti

Kurti ia fali veriun Vuçiçit, me refuzimin e Ramës preku fundin

6 Korrik 2023, 19:37| Përditesimi: 6 Korrik 2023, 19:38

  • Share

Me veprimet që po bën, pavarësisht retorikës patriotike dhe nacionaliste, Albin Kurti praktikisht ia ka falur Veriun e Kosovës Aleksandër Vuçiçit. I cili do ta përdorë këtë fitore të ‘dhuruar’ në “pjatën e argjendtë” si një ‘bonus’ shtesë në përballjen me kundërshtarët politikë brenda Serbisë.

Eshtë e drejtë e gjithkujt të shprehet kundër këtij qëndrimi që sapo thamë, me argumentin se Veriu është pjesë e territorit të shtetit më të ri në Evropë referuar marrëveshjes së Kumanovës, konventave ndërkombëtare dhe gjithë proceseve që kanë ndodhur që nga viti 1999 e këtej.

Madje mund të thotë ndokush, këta ‘patriotët’ e rrjeteve sociale që ngrysen e gdhihen në rrjet për të stërvitur gjuhën e artikuluar fjalët më të rëndomta s’kanë sesi të përjashtohen nga kjo kundërshti hipotetike, pra mund të thotë dikush se në Veri garantojnë sigurinë e kufijve trupat e KFOR.

Kosova ka dhe policinë, speciale ose jo speciale, e cila shyqyr që s’afrohet më andej nga kufijtë veriorë të shtetit, pasi pa shkrepur asnjë armë por vetëm me një ‘fishkëllimë’ kërcënuese të specialëve serbë do ‘popullonin’ dhomat serbe të paraburgimit, në këtë pik vape që është sivjet.

Unë teksa them se Kurti po ia fal Vuçiçit vëriun e Kosovës, u referohem vetëm deklaratave që ka artikuluar ai vetë gjatë tërë këtyre ditëve, teksa i është kundërvënë SHBA-së, Britanisë, BE-së e Shqipërisë, të cilët të gjithë në bllok i ka shpallur armiq e i akuzon se ia kanë me hile Kosovës.

Këto deklarata dhe akuza janë bërë tepër të zakonshme dhe nuk është se bënjë sens më në veshin e shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit. Vetëm shërbejnë për ‘luftën’ e fortë që ka shpërthyer në rrjetet sociale, ku spikasin mbështetësit e Albinit, që deklarohen se lideri i tyre i nivelit botëror nuk pyet as për Amerikë, Ingliterrë, Bashkim Evropian e mbi të gjitha për Shqipërinë sa të ketë në dorë Kushtetutën e Kosovës, të cilën e mban nën jastëk kur fle, apo në xhepin e brendshëm të xhaketës kur lëviz jashtë shtëpisë.

Dhe kur them se Kurti po e fal Veriun tek serbët, i referohem thirrjeve të tij në drejtim të SHBA, Britanisë, BE, NATO-s dhe më gjërë, në përpjekje për të treguar se është Aleksandër Vuçiç fajtor i situatës së tensionuar e konfliktuale në katër komunat serbe brenda territorit të Kosovës.

Dhe thirrja e Albin Kurtit në drejtim të partnerëve ndërkombëtarë se ‘duhet t’i kërkohet Vuçiçit të qetësojë serbët në veri të Kosovës, pasi është ai përgjegjës për situatën e tensionuar në Veri. Ai është fajtori të cilit i duhet kërkuar llogari”, pavarësisht kontekstit që kërkon Kurti t’i japë për të fajësuar presidentin serb, në të vërtetë është deklarata më kapitulluese që një kryeministër i Kosovës ka bërë deri më sot.

E themi këtë, sepse përmes kësaj thirrjeje të dukje të pafajshme, Albin Kurti ka pranuar pafuqinë e tij mbi veriun e Kosovës, ka pranuar në mënyrë të habitshme se presidenti serb dhe për pasojë dhe Serbia kanë shtrirë dhe ushtrojnë autoritetin e tyre mbi këtë territor, pjesë e Kosovës.

Duke bërë përgjegjës Vuçiçin dhe duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojnë presion, qoftë dhe përmes sanksioneve ndaj Vuçiç për të qetësuar situatën në katër komunat serbe që s’janë brenda Serbisë por brenda territorit të Kosovës, Albin Kurti praktikisht tregon se këto katër komuna janë nën përgjegjësinë e Beogradit.

Eshtë njëlloj sikur në momentet e përplasjeve mes Greqisë dhe Shqipërinë shumë kohë më parë, për Himarën apo dhe për minoritetin në përgjithësi, kryeministrat shqiptarë t’i bënin thirrje SHBA, BE apo Britanisë që t’i bëjnë presion Athinës që të marrë në dorë situatën, të ndikojë dhe të ulë tensionet në këto zona, pjesë e territorit shqiptar. Por dhe t’i kërkojnë aleatëve që ta penalizojnë fqinjin tonë jugor se përse nuk po kryen ‘detyrën’.

Ose në sjellim një shembull me serbë, meqë kështu e ka qejf Albini. Kjo që Kurti po bën me veriun e Kosovës është njëlloj sikur Aleksandër Vuçiç t’i bënte thirrje SHBA, BE dhe Britanisë që t’i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës apo të Shqipërisë që të qetësojnë situatën në Preshevë apo Bujanoc. As mendja më e ‘trazuar’ në këtë drejtim nuk e mendon se mund ta bëjë presidenti i Serbisë këtë. Madje as në Malin e Zi dhe as në Maqedoninë e Veriut, drejtuesit përkatës të këtyre vendeve, ku ka shqiptarë. Madje ka sa shumëfishi i 50 mijë serbëve që janë aktualisht në Veriun e Kosovës.

Ndaj themi që Kurti e ka lëshuar përgjegjësinë për këto 4 komuna brenda territorit të Kosovës, duke ia kaluar Serbisë dhe Presidentit Vuçiç detyrimin për t’i qetësuar. Ky është një lëshim i pastër territorit, por një lëshim i veshur me ‘mantelin’ e deklaratave patriotike dhe nacionaliste.

Ndaj dhe Vuçiç ka nisur të lëvizë, të bëjë si përgjegjës për Veriun e Kosovës, të kërkojë dhe seancë në OKB apo takim me kreun e NATO-s Stoltenberg për situatën e tensionuar në këto katër komuna me shumicë serbe, por që janë brenda territorit të Kosovës. Duke i cilësuar si zona vakuum, pa zot dhe duke kërkuar një ‘kartiabiankë’; për t’i pasur zyrtarisht nën hyqëm.

Kjo strategji e Albin Kurtit, me pëlqen ta quaj naive dhe prej kalamani politik pasi nëse është një kalkulim me qëllime të tjera të nëndheshme është tradhëti e pastër, po ia bën situatën tepër të ‘rrëshqitshme’ Kosovës, duke e katandisur në një nivel të tillë, sa shihet nga aleatët tanë si një partner i pabesueshëm, madje më pak i besueshëm se Serbia. E tha me gojën e tij zyrtari i lartë i NATO-s, pas takimeve me Osmanin dhe Kurtin një ditë më parë. Duke lëshuar plot 24 vite pas bombave në Beograd, ‘bombën’ e parë të botës demokratike mbi Prishtinë.

Ndërkohë që në vijim të përplasjeve me partnerët ndërkombëtarë dhe aleatëve pjesë e strukturave të NATO-s, është dhe përplasja me shtetin amë, Shqipërinë. Kulminacionin e arriti kjo përplasje, me refuzimin nga ana e Albin Kurtit të takimit me kryeministrin Edi Rama, teksa vizitoi pasdite Prishtinën, në kuadër të turit ballkanik për procesin e Berlinit, samiti i radhës i të cilit zhvillohet në tetor në Tiranë.

Pavarësisht se nuk vihen kushte mes vëllezërve sikurse e evidenton shpesh Kurti por që nuk e zbaton asnjëherë, kreu i qeverisë së Kosovës i vuri kusht Ramës zhvillimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive njëherësh me takimin për procesin e Berlinit, pasi pretendon se është gati, dhe firmosjen e 13 marrëveshjeve mes dy vendeve.

Paçka se Rama i dërgoi në Prishtinë të 13 marrëveshjet e firmosura nga ministrat përkatës shqiptarë, pavarësisht se ministrat e Kurtit i firmosën dhe ata këto marrëveshje, Kurti sërish nuk ka konfirmuar takimin me Ramën. Madje bën dhe spektakël para gazetarëve që e pyesin për këtë fakt, duke u tundur dorën apo bën takime të tjera.

Edhe nëse do të takohen, qoftë dhe jashtë institucioneve Kurti me Ramën, kryeministri i Kosovës e ka bërë dëmin e madh në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe shtetit amë, Shqipërisë. I ka vënë kushte kryeministrit Rama për takim, ndërkohë që ka takuar pa asnjë kusht Vuçiçin. Për më tepër që Kurti ia ka dalë që të thellojë përçarjen mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, jo në atë masë që ai shpreson, por ama ‘krimbin’ e ka futur përmes “patriotëve” të rrjeteve sociale apo ‘rezidentëve’ të tij në Tiranë, që “luftojnë’ fort për liderin e tyre legjendar kundër ‘armikut’ Rama. Madje ‘zgjatimet’ e këtyre ‘patriotëve’ mbërrijnë deri në polici, teksa bllokojnë kufirin me Shqipërinë duke krijuar radhë të gjata kilometrike të automjeteve nën justifikimin burokratik të skadimit të lejes nga komuna e Prizrenit për terminalin.

Por mbi të gjitha mund të themi se Kurti, me refuzimin e takimit me Ramën ka prekur fundin jo vetëm sepse ka refuzuar për herë të parë takimin me kreun e qeverisë së shtetit amë, duke arritur deri aty sa në aeroportin e Prishtinës ta presë vetëm ambasadori shqiptar, por më shumë në raport dhe me aleatët tanë të mëdhenj. Pasi të refuzosh vëllain tënd që të vjen për vizitë, me ligj dhe me kanun nuk ka të ngjarë, atëherë Kurti nuk e ka për gjë të mos i bindet jo vetëm sot, por dhe nëse sanksionet ndaj Kosovës vijojnë pafundësisht, as partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Dhe Kurti është vërtetë rast i pashpresë në sytë e ndërkombëtarëve. Por dhe i pabesueshëm. Megjithëse zgjidhja duhet të vijë nga qytetarët e Kosovës. Sa nuk është krejt vonë, dhe Kosova ende nuk është izoluar tërësisht dhe nuk janë ndërprerë vizitat e nivelit të tretë që kanë mbetur deri më tani në Prishtinë nga ana e aleatëve. Ndryshe komunikimin me botën do ta bëjnë vetëm përmes rrjeteve sociale, si ‘patriotët’ e thekur që ka kohë që janë në këtë habitat.

 

 

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Niko: 06/07/2023 22:49

    Kurti e ka humbur "rrugën"!

    Përgjigju
  • Arbëri: 06/07/2023 19:55

    O i mjeri të që shkruan bakllava…!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?