Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë me një shpejtësi të re dhe më i fuqishëm. Ai tha se përmes komisionit ndërshtetëror që do të "monitorojë" ecurinë e marrëveshjeve pas mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, do të ketë zhvillim të dukshëm në aspektin ekonomik, të sigurisë dhe politikës së jashtme, që sipas tij janë prioritete të përbashkëta me kryeministrin Edi Rama.
"Unë jam shumë i gëzuar që sot ndodhem në Tiranë. Edhe një orë bëhet një javë që jam në këtë detyrë të re, si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Vendi i parë që vizitova jashtë Prishtinës kryeqytet ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jashari. Qyteti i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Mitrovica. Ndërkaq, natyrisht, shteti i parë jashtë Kosovës ku vij, patjetër që duhet të ishte Shqipëria. Unë ju falënderoj shumë edhe për mikpritjen, edhe për bisedën që kishim, për mikpritjen e përzemërt e për bisedën shumë konstruktive.
Unë dua që në këtë dekadën e tretë të shekullit 21-të të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Pra, Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk janë çështje që presin në asnjë fushë.
U dakorduam, siç e tha dhe Kryeministri Rama, që të formojmë një komision ndërshtetëror, i përbërë edhe nga ministra e deputetë që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja. Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin, duke e thelluar e duke e zgjeruar atë.
Me këtë rast dua ta falënderoj Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për ndihmën, përkrahjen e pakursyer e të parezervë për Kosovën. Kosova nuk do ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por, po ashtu, as në paqe pa Shqipërinë. Prandaj, ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21-të të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm. Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme. Besojmë që këto janë fusha në të cilat i kemi preokupimet e njëjta dhe gjithashtu, edhe partnerët e aleatët tanë demokratikë, të zhvilluar e perëndimorë janë po të njëjtët.
Ju faleminderit edhe një herë Kryeministër dhe besoj që do ta dëshmojmë se si dy kryeministra të dy shteteve tona do të avancojmë bashkëpunimin tonë ndërshtetëror në fusha dhe përmasa, çfarë i ka dëshiruar gjithmonë kombi ynë, por ende nuk i ka parë e këtë do ta ketë rastin pikërisht me ne", tha Kurti.
Lajmi kryesor:
Kurti: Prioritet makro-shengeni shqiptar! Rama: Jo pa shengenin ballkanik /Video
G.M./ReportTv.al