Kush e kryqëzon Jezusin ditën e Pashkës!

21 Prill 2019, 12:41| Përditesimi: 21 Prill 2019, 12:42

  • Share

Të shkrihesh gazit, këta edhe Pashkët na i urojnë si ateista!

Bëhen më katolikë se Papa, dhe urojnë përpara Kishës! Pa lidhje me mesazhet e krishtera!

Nuk dinë të heshtin edhe sot, duke u lutur që Ai t’i fali me mëshirën e vet të madhe!

Flasin me ashpërsi, si ai që i shprehte dashurinë të vluarës të tij te bytha e Rrapit në Mashkullorë a te Rrapi i Treshit a te Rrapi i Trapit : Të dua moj qëne, të dua moj zagare e qelbur!

Ca na urojnë sikur Jezusi i varfër të kishte qenë komandant çete: Gatiiiii tu! Para marsh!

Ca të tjerë sikur të kishte qenë zyshë kujdestare : Bëjuni djem dhe çupa të mira dhe silluni mirë me njeri tjetrin!

Në vend të shohi te vetja mëkatari i përlyer, na jep mësime ne të tjerëve!

Ca urojnë sikur të ishin paganë dhe na bekojnë bukën, ushqimet plot me pesticide brenda!

Ca bëjnë sikur të ishin gazetarë të politikës dhe u kërkojnë pushtetarëve dhe opozitës të kuptojnë se duhet të bashkëpunojnë! Cfarë hipokrizie!

Ca urojnë si politeista duke na uruar të gjithëve njësoj, pa kuptuar se është festë e krishterë, është Zoti i tyre i madh, dhe të tjerët festojnë, por sepse ata kanë festë. Festojmë festën e tyre!

Ca urojnë si kryetarë kooperativash duke na dashur të kemi bereqet dhe prodhime mollësh e dardhash për t’i bërë komposto!

Ca kujtojnë se është dita e ballokumes dhe zhdepen në të ngrëna e të pira!

Po mesazhi i Jezusit, ai i vërteti, ai autentiku ku është?

Ndonjë lan duart si Pons Pilati që e çoi Jezusin në Kryq!

Nuk e vrava unë qafsha robt e shpisë! Ata janë të këqinjtë, unë jam i pafajshëm!

Pons Pilati bërtet : Unë jam Krishti!

Qan Pons Pilati dhe lan duart prej vitesh!

Qan Juda dhe këlthet : Kush është tradhëtariiiiii!

Barabai thërret në kryqin anash : Atë kryqëzoni jo mua hajdutin!

Pons Pilati fal hajdutët dhe dënon Jezusat!

Atje larg qan e vetmuar Maria me dy a tre besnikë që i kanë mbetur! Të tjerët e kanë braktisur atë ditë!

E kanë kryqëzuar Jezusin, cdo vit e kryqëzojnë tamam atë ditë që ai u ringjall, e kryqëzojnë të dielën pikërisht që ai të mos e thotë fjalën e tij hyjnore! E censurojnë!

Përunjësi ju o të fortë me pushtet! Kështu festojeni! Shtrihuni në tokë dhe kapni me duar këmbët e çdo kalimtari dhe qendroni me kokën te shputat e tij derisa ai ndofta ju fal!

Hajdeni na lani këmbët këtë të djelë, pastaj na merrni frymën dhe shpirtin!

Faleni pasurinë tuaj për të varfërit, pra për të gjithë ne të tjerët!

Lutuni për mëkatet tuaja pasi t’i keni pohuar në sheshin para stadiumit dhe na kërkoni falje!

Hiqni dorë nga forca dhe nga pushteti, nga gazi lotësjellës, që ka humbur cdo legjitimitet!

Shkoni pajtohuni me vëllezërit tuaj opozitarë, kërkojuni falje atyre mëkatarëve dhe pastaj hajdeni vendosni ofrandën tuaj në altar!

Pranoni se ne, të fundit, do të bëhemi të parët dhe ju të parët do të bëheni të fundit!

Qani për fatin e shqiptarëve shpërndarë gjithandej në botë!

Pranoni se dita e gjyqit të madh po afron për të gjithë pa përjashtim, por sidomos për lakmitarët, për bukëshkalët!

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lavdi jezu KRISHTIT!: 21/04/2019 16:01

    BRAVO! Nje shkrim i shkelqyer! Je i madh o Artan FUGA! Akoma kane ngelur ca njerez qe mund ti shkruhet emri me germa te medha. Te Lumte!

    Përgjigju
    • dea: 27/04/2019 19:26

      Era Artan Fuga eshte filozof di cfare shkruan

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?