Ekonomi

Kush humbi e kush fitoi me paketën e re fiskale! Taksat, akciza dhe tatimi mbi pagat, çfarë u ndryshua

26 Nëntor 2021, 15:47| Përditesimi: 26 Nëntor 2021, 17:44

  • Share

TIRANË- Të katër projektligjet e paketës fiskale për TVSH-në, akcizën, taksat kombëtare dhe tatimin mbi të ardhurat, u miratuan në Kuvend me 76 vota pro dhe 46 kundër, përfshirë JO-në e ish-zëvendëskryeministrit Erion Braçe.

NDRYSHIMET TEK LIGJI PËR TVSH-NË
Humbësit më të mëdhenj të paketës fiskale janë fermerët, që pavarësisht protestave, një takimi me kryeministrit Edi Rama për të ndalur votimin e skemës për bujqësinë, nuk morën asnjë rezultat. Ndryshimet e taksave, siç u prezantua nnë fillim po ashtu u miratuan, pa pësuar asnjë ndryshim. 

Prej janarit të vitit të ardhshëm fermerët nuk do të marrin më kompensimin 6% të TVSH-së, pasi me ligjin e ri, rimbursimi zerohet, do të paguajnë taksë 10% për inputet bujqësore, nga zero që e kishin, dhe do të jenë të përjashtuar nga TVSH-ja importet e makinerive kur vlera e investimit është mbi 500 milionë lekë, nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

Për deputetin e PS-së Erion Braçe këto ndryshime do thellojnë humbjet e bujqve dhe do të favorizojnë importin, për këtë arsye ai depozitoi një sërë amendamentesh në Kuvend, ku përpos masave për bujqësinë kërkoi taksimin e ndërtuesve. 

Amendamentet e Erion Braçes për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)
- Të mos vendoset taksa 10% për inputet bujqësore 
-Furnizimi i ndërtesave apo i pjesëve të një ndërtese, si edhe furnizimi i tokës në të cilën qëndron ndërtesa, përveç furnizimit të ndërtimit. Nuk konsiderohet furnizim i përjashtuar për qëllim të këtij neni furnizimi me ndërtesë për shitjen e pari dhe furnizimi me tokë për qëllim ndërtimi i ndërtesave rezidenciale të ndërtuara jashtë zonave urbane dhe në zonat turistike.  
- furnizimi i shërbimeve të shtypshkronjave për gazetat, furnizimi i gazetave, i revistave dhe i librave të çdo lloji, si dhe furnizimi i shërbimit të reklamave nga media e shkruar dhe nga media elektronike.
- Kompensimi i fermerëve nga 6% të shkojë në 20% dhe kompensimi i akorduar të paguhet në llogarinë bankare të prodhuesit bujqësore nga struktura përkatëse në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë. Këshilli i ministrave përcakton rregullat dhe modalitetet për funksionimin dhe mënyrën e zbatimit të skemës së kompensimit. 
- Të mos aplikohet shkallë e reduktuar e TVSH-së për Hotelet me 5 yje, apo brand name, që aktualisht paguajnë 6% TVSH. 
- Të mos miratohet neni 3 i projektligjit të propozuar nga qeveria ku përjashtoheshin nga TVSH-ja për importimin e makinerive investimet me vlerë më të se 500 mln lekë, nga 50 mln lekë që është në ligjin e vjetër.

NDRYSHIMET TEK LIGJI I AKCIZËS
Kostoja tjetër e paketës fiskale bie mbi qytetarët. Duke unifikuar akcizën për hidrokarburet vendoset taksë 6 lekë për çdo litër gaz që përdoret për ngrohje, gatim apo nga bizneset. Për shkak të krizës energjetike kjo taksë do të aplikohet nga 1 korriku 2022 dhe jo më 1 janar siç ishte parashikuar. Kjo taksë deri tani ka qenë 8 lekë për litër vetëm për automjetet me gaz. Po ashtu hiqet rimbursimi i akcizës për lëndët djegëse që përdor industria. 

Ndryshimet e tjera në këtë projektligj që nuk janë kundërshtuar në komisione kanë të bëjnë me akcizën e duhanit. Qeveria ka vendosur të vijoj me një strategji tjetër 5 vjeçare për rritjen graduale të akcizës tek duhani e nënproduktet e tij. Si pasojë e strategjisë së parë 5 vjeçare që përfundon këtë  vit akciza e cigareve është rritur nga 5550 lekë për 1000 cigare në 2017, në 6500 lekë/për 1000 cigare në 2021.

Deri në përfundim të strategjisë së dytë në vitin 2026, Ministria e Financave parashikon që akciza paketat të rritet me 25 lekë. Nga rritja e akcizës në grupin e duhaneve, parashikohet efekt vjetor në rritjen e të ardhurave nga akciza rreth +750 milion lekë. Po ashtu parashikohet edhe Indeksim i nivelit të akcizës bazuar në indeksin e rritjes së çmimeve.

Sa i takon ndryshimeve në këtë projektligj Braçe, shkoi më tej me heqjen e favorizimeve, duke thënë që të taksohen më shumë prodhuesit e birrës, dhe të rikthet akciza për pijet energjike. 

Amendamentet e Erion Braçes për Akcizat në Republikën e Shqipërisë
- Rikthimi i akcizës për pijet energjike, që u hoq përfundimisht në vitin 2017. Sipas Braçes vendosja e kufirit të palejueshëm të atyre që nuk duhet të konsumojnë pije energjike nuk ka qenë efektiv, duke qenë se janar-korrik 2021 importi i pijeve energjike është rritur me 37% krahasuar me 2020.
- Akcizë 10 lekë për litër për pijet joalkoolike me sheqer të shtuar 
-Akcizë 30 lekë për litër për pijet energjike 
- Rishikim i akcizës për prodhuesit e birrës. Nëse aktualisht prodhuesit e birrës deri në 200 mijë hektolitër paguajnë 360 lekë për hektolitër, Braçe propozon që për prodhuesit deri në 30 mijë hektolitër taksa të jetë 100 lekë për hektolitër.  
- Nëse deri më tani prodhuesit e birrës mbi 200 mijë hektolitër paguajnë 710 lekë hektolitër,Braçe propozoi që të gjithë prodhuesit me mbi 30 mijë hektolitër birrë në vit të paguajnë taksë 800 lekë për hektolitër në shkallë alkoolometrike.

NDRYSHIMET TEK LIGJI I TAKSAVE KOMBËTARE
Fituesit e kësaj pakete, për të cilët u bënë ndryshime në komisionet parlamentare dhe u miratuan në Kuvend, janë jahtet dhe fabrikat e qumështit.  Qeveria propozoi taksë 65 lekë për çdo litër karburant që përdoret nga jahtet që deri më tani të gjitha mjetet e huaja lundruese e merrnin pa taksuar. Por pas diskutimeve me operatorët e turizmit, taksa u ul në 40 lekë me argumentin se dëmton turizmin. Me gjithë taksën çmimi i karburantit për jahtet do të jetë 110-120 lekë, ndërsa qytetarët po paguajnë për karburantin deri në 186 lekë, rreth 55% më shumë.

Përfitues  të paketës fiskale janë edhe fabrikat e qumështit. Duke parë rritjen e importit, qeveria mendoi të frenoi përdorimin e qumështit pluhur duke e taksuar për herë të parë, me 100 lekë për çdo kilogram dhe 150 lekë për nën produktet e tij. Por qeveria u tërhoq pas kundërshtimit nga fabrikat e përpunimit të qumështit. Në finale, qeveria vendosi se fabrikat që e deklarojnë në etiketë se e kanë përdorur qumështin pluhur në produktet e tyre bashkë me deklarimin e përqindjes së tij, nuk do të paguajnë taksë. 

Krejtësisht kundër këtyre favorizimeve për taksën e qumështit pluhur, deputeti i PS-së bëri dy propozime të tjera.

Amendamentet e Erion Braçes për Taksat kombëtare 
- Taksë 150 lekë për litër për vajin e palmës 
- Të mos përjashtohen nga taksa e qumështit pluhur as fabrikat që e tregojnë në etiketë përdorimin e qumështit pluhur në prodhimin e produkteve të tyre. 

TATIMI MBI TË ARDHURAT 
Nga 1 janari 2022 qytetarët me paga deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë tatim, nga 30 mijë lekë që është limiti i tanishëm. Ndërsa kur paga është deri në 50 mijë lekë, taksimi i pagës nis nga 30 mijë lekëshi me 6.5%. Pra qytetari do të paguajë 6.5% për pagën mbi 30 mijë lekë deri në 50 mijë lekë. 

Ndërsa pagat mbi 50 mijë lekë deri në 200 mijë lekë do taksohen me 13%, dhe pagat mbi 200 mijë lekë do të taksohen me 23%.

Në këtë pikë propozimi i Deputetit të PS-së konsistoi në faktin që për pagat 50 mijë lekë të mos fillojnë tek 30 mijë lekëshi, dhe të hiqeshin favorizimet për hotelet me 5 yje.

Amendamentet e Erion Braçes për Tatimi mbi të ardhurat 
- Të hiqet favorizimi i përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet me 5 yje dhe ‘brand name’.
- Tatimi për të ardhurat deri në 50 mijë lekë të mos fillojë nga 30 mijë lekëshi por të filloj nga paga 40 mijë lekë që prej vitit 2022 nuk do të paguaj tatim.

DEBATET E PAKETËS FISKALE 
Paketa fiskale e parë e mandatit të tretë të qeverisë, është ndër më të kontestuarat edhe brenda PS-së. 

Kritikat më të mëdha janë bërë nga Erion Braçe, Edmond Spaho dhe disa deputetë të tjerë të opozitës, kryesisht me fokus tek bujqësia.  Në Komisionin e Ekonomisë më 10 nëntor, me tone të ashpra dhe kundër paketës fiskale të vitit 2022 kryesisht asaj në bujqësisë ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe kërkoi TVSH 20% në shitje po aq dhe në blerje, në bujqësi pasi me skemën e prezantuar dëmtohet fermeri. Po në të njëjtin komision Braçe propozoi heqjen e favorizimeve për birrën. 

Kritikat e tij mbërritën edhe në Kuvend në 16 nëntor, kur u diskutua në parim buxheti e paketa fiskale ku tha se Fermerët po shtrydhen.  Të njëjtat propozime i përsëriti edhe në Komisionin e Ekonomisë më 22 nëntor 2021, kur u miratua paketa fiskale. 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Foltorja: 27/11/2021 10:46

    Taksimi qe po i behet pagave te popullit do marri ate qe meriton se shpejti. Kush punon me shume paguan me shume. Kjo eshte ajo qe po ben qeveria dhe jo kush merr me shume paguan me shume. Hiqja Lenes dhe futja Prenes. Populli shkemben taksimin me njeri tjetrin dhe qeveria tall bythen me propagande.

    Përgjigju
  • Den: 26/11/2021 16:02

    Kur ka berishat dhe llumin perballe ,normal qe fiton llumi me i piste.Po pse nuk ja ndryshon emrin partise sepse sa demokrat ishte enveri aq eshte dhe ky socialist

    Përgjigju
    • Vaso: 26/11/2021 19:52

      Sa bukur e ke thane o Den! Kush perfiton? Eshte e qarte: Rama dhe Lluca' Gjergj' si dhe te tjere' i kane pergatitur keto skema permes paketave ligjore per te zhvatur se pari pronen publike bujqesore' pyje' kullota (blektorine)' pemtore'ujore dhe liqenore (peshkim) etj. Dmth komplet metode kapje shteti ashtu si mesohet ne librat e jurisprudences. Psh' kush eshte ai fermer qe mund te kete 500 milion leke bukqesore? Askush. Por Llucat e Rames nga parate publike qe e kane krijuar terrenin se si do ti manaxhojne' nuk e kane shume problem. Dhe tjetra' cdo para kriminale qe ka ngelur pa pastruar' me ne fund do te riciklohet permes ketyre ligjeve dhe avantazheve qe krijon. Te vjen keq per zotin Brace qe gore e trajtonte Berisha me keq e trajtojne te vetet!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?