Arben Kraja, drejtuesi i SPAK, deklaroi sot se Prokuroria speciale ishte në vulgun e hetimeve të “nxehta” që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, por edhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
E si shtesë të kësaj deklarate, zoti Kraja tha se ka pasur kërcënime ndaj prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të Gjykatës Speciale Kundër Krimit dhe Korrupsionit, nga subjekte të hetimit që janë pjesë e krimit të organizuar apo zyrtarë nën hetim.
Në fakt të njëjtën gjë e deklaroi edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, pak ditë më parë, gjatë eventit jubilar të Gjykatës Kushtetuese. Madje ambasadorja amerikane shkoi edhe më tej, ku ju drejtua direkt kërcënuesve, duke thënë që të mos guxojnë të ngrenë dorën ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve specialë.
Që ka presion ndaj drejtësisë, edhe pse nuk është normale, ka qenë dhe është e pritshme. E siç e dimë, ky presion bëhet 24/7 në konferencat për shtyp, studio televizive apo edhe rrjetet sociale, nga autoritete të rëndësishme të politikës, gazetarisë dhe opinionit publik. E përbashkëta e tyre, është se këta persona janë ose nën hetim në SPAK, ose kandidatë për të qenë nën hetim, ose mbështetës e eunturazh i këtij grupi interesi.
Ky presion publik, i cili është bërë me emra dhe mbiemra, në çdo vend të botës do të cilësohej ligjërisht shantazh ndaj drejtësisë, e për këtë ka një nen të veçantë në Kodin Penal të Republikës.
Por gjithsesi, ajo që kreu i SPAK tha sot, ndryshon nga presioni publik. Pasi ai përmendi termin “kërcënime”. Po kush i kërcënon prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK? Ata ose do të duhet të hetohen menjëherë për këtë vepër penale, ose do të duhet të bëhen publike se nga ku vijnë këta kërcënime.
Por në këtë suazë shtrohet pyetja: Një prokuror që merret me hetime ndaj njerëzve të pushtetshëm nga kush kërcënohet më shumë, apo si mundet që një njeri i drejtësisë të luftojë me botën e errët e të pushtetshme të abuzimit?
E këtu na vjen shembulli i shkëlqyer i martirëve të luftës së ligjit ndaj antiligjit. Ku nga përfaqësuesit më të famshëm të kësaj lufte janë Giovani Falcone e Paolo Porselino. Të dy të vrarë barbarisht nga një prej organizatave më të frikshme në botë siç është Cosa Nostra sicciliane, por në lidhje e partneritet me njerëz shumë të fuqishëm në kupolën e pushtetit.
Sot, ne e kemi më të qartë skemën, pasi janë bërë libra pafund, dokumentarë e filma mbi këto histori mbresëlënëse për njerëzimin.
Përpara Falcones dhe Borselinos, Cosa Nostra vrau me makinë bombë të parin drejtues të “SPAK-ut siçilian”, përkatësisht “Pool antimafia” të Palermos, Rocco Chinnici, i cili ishte shefi dhe mentori i Giovani Falcone-s.
Doktor Chinici, një jurist penal i nivlit të lartë dhe me një integritet të paprekur, i bëri pyetje Falcones se nëse shteti do të na lërë vetëm në luftën ndaj Mafias, ne çfarë duhet të bëjmë? Falcone ju përgjigj: Duhet të vazhdojmë, pasi ne e kemi bindje dhe s’mund të lëmë punën në mes! E shefi ja ktheu: Giovani, atëherë ne jemi “të vdekur që ecim”. Po, ashtu jemi, ja ktheu Falcone. E shumë pas kësaj bisede, shefi i antimafias së Palermos humbi jetën bashkë me eskortën e tij nga shpërthimi i një makine me 75 kilogram tritol brenda. Pas Chinici, u vra Presidenti i Rajonit të Siçilisë, Piersanti Matarella, vëllai i Presidentit të sotëm të Italisë, i cili anuloi të gjitha kontratat e mafias në punët publike. Pak më pas, po me një atentat makabër u vra Pio della Torre, deputet i Siccilisë, i cili i pari propozoi të famshmin 41 bis, apo burgun e ashpër për mafiozët, të cilin e çoi deri në fund Giovani Falcone.
E gjithë kjo furi apokaliptike e kasapëve korleonezë: Totto Riina dhe Bernardo Brovenzano, i futi tartakutin jo vetëm siçilianëve, por gjithë Italisë. Qeveria dërgoi në këtë situatë si prefekt për të zgjidhur situatën heroin e luftën ndaj “Brigade Rosse” gjeneralin e karabinierëve, Carlo Alberto dalla Chiesa. Pas 100 ditësh si prefekt i Palermos, gjenerali i vra nga një komando killerash të klanit të Corleones.
Në këtë situatë tmerri, frike, e natyrisht kupe, Paolo Borselino e Giovani Falcone, që ishin të vetmit që qëndruan në luftë, vendosën që e vetmja qëndresë është të jenë në rrugën e ligjit. E kjo vendosmëri, bënë që shumë prokurorë të tjerë të vinin e të bashkoheshin me ta, që nga Antonio Caponetto, Giuseppe Ayala, e deri te i njohuri Luigi Soreca, që shërbeu në Tiranë si ambasador i Bashkimit Europian.
E të gjithë bashkë arritën të bënin letrat, të hetonin, të arrestonin e të gjykonin me maksiprocesin e famshëm të gjithë kupolën e Cosa Nostra-s. Të cilët u dënuan thuajse të gjithë me burgim të përjetshëm. Pas këtij gjyqi, i penduari Buschetta i thotë Falcone-s se ti firmose fatin tënd tragjik. E prokurori ja kthen: Ndoshta, por edhe fundin e klanit të Tooto Rinës, dhe që sot asnjë mafioz nuk do të livadhisë më, por do të futet në burgje të tmerrshme e pasuria do t’i sekuestrohet. Nuk kaloi shumë dhe ndodhën dy ngjarjet e tmerrshme: Capaci dhe Via D’amelio, ku u vranë Giovani Falcone e Paolo Borselino.
Të cilët, hetimet, pas dënimit të kupolës i çuan lart fare, deri në krye të shtetit.
Por edhe pse u vranë, ajo që ata prokurorë, apo gjykatës që dënuan njerëzit e fuqishëm ishin më rrënuese jo vetëm për mafia-n, por edhe zyrtarë të lartë që u hetuan, e disa u dënuan në procese që vijojnë akoma.
Sa për ilustrim: Marcello del Ultri, njeriu më i afërt i Silvio Berlusconit është dënuar në shkallë përfundimtare për lidhje me mafien. Pikërisht nga hetimet që nisen dy prokurorët heronj. Të cilët kishin thuajse të gjithë shtetin kundër, kishin në radhë të parë konferencën e Prokurorëve apo këshillin e Lartë të Drejtësisë. i cili nuk e miratoi kandidaturën e Falcones për Prokuror drejtues të Palermos apo drejtues të Antimafia. Më pas politikën.
Por përvec politikës e drejtësisë, ata kishin kundër edhe një pjesë të rëndësishme të opinionit publik që i gjykonte si “jakobinë në kërkim të famës”. Madje edhe shkrimtari i madh Leonardo Sciascia, shkroi disa artikuj që kritikonte jo pak prokurorët antimafia, çka entuziazmoi shumë armiqtë e Falcones.
E sot, prokurorët tanë të SPAK, kanë pro, në krah pra, shumicën e opinionit publik shqiptar, të cilët nuk duan t’i shohin si heronj, por si gjykatës, duan të ndalojnë që politikanët e korruptuar të vijojnë të mbajnë pronat e milionat e vjedhura. Kanë pro fuqinë më të madhe botërore si SHBA-në. E cila ka lënë Yuri Kim, diplomaten kryesore në Tiranë si “Truprojë” te SPAK dhe Gjykatës Speciale. Këto benefite nuk i patën kurrë Falcone e Borselino, që megjithatë gjetën hapësirën e duhura për të ndërmarrë aktet që bënë histori.
Një gjykatës e prokuror, histori bën me dosje hetimi e mandate arresti, apo vendim dënimi. Pasi kur braktis togën e drejtësinë do ta politizojë dështon. Falcone nuk e bëri kurrë, edhe pse ju kërkua vazhdimisht. Miku i ngushtë i Falcones, prokurori i famshëm i Nju Jorkut Rudi Guliani shkatërroi Cosa Nostra-n në SHBA me “Pizza Connection”. Aq u bë i famshëm sa arriti të bëhet kryebashkiak i Nju Jorkut për tre mandate, e më pas i hyri politikës së ditës, që i hoqi shkëlqimin e prokurorit, ashtu si boja e flokëve në imazhet e famshme kur mbronte Donald Trumpin pa asnjë lidhje me realitetin. Kemi edhe ne raste kur prokurorët kanë hyrë në politikë, janë bërë edhe ministra. E ky akt, fshiu menjëherë karrierën e njeriut të ligjit.
Një prokuror, ka vetëm një mënyrë për të vepruar; dosjen hetimore e kërkesën për gjykim, një gjyqtar vendimin e tij. Ai e bën ose luan, ose lepur.