TIRANË- Iu desh vetëm një ditë për të dekretuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por Kreu i shtetit është shprehur se nuk do të japë bekimin e tij për ndryshimet kushtetuese, të cilat prej dy ditësh ndodhen në tryezën e Presidentit. Por, ndonëse Ilir Meta është shprehur se do të ushtrojë të gjithë funksionet e tij kushtetuese për të ndaluar ndryshimet kushtetuese, të cilat u miratuan më 30 korrik, është vetë Kushtetuta, ajo e cila e ndalon kreun e shtetit të kthejë këto ndryshime, nëse ato miratohen nga ligjvënësit në Kuvend.
Konkretisht neni 177 pika 6 e Ligjit Themeltar të Shtetit e cila thotë se “Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës”.
Për këtë arsye, ndonëse për procedurë, ndryshimet kushtetuese i janë dërguar për dekretim Kreut të Shtetit, me vulën e Metës ose jo, ligji do të hyjë në fuqi, sipas afateve të përcaktuara në dispozitat ligjore dhe pasi të botohet në Fletoren Zyrtare.
Tashmë, hapja e listave është e pakthyeshme. Mbetet vetëm vullneti i opozitës jashtëparlamentare për të pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për tu ulur dhe dakordësuar për mënyrën sesi do të detajohen në Kodin Zgjedhor ndryshimet që parashikojnë hapjen e listave.
Realitetin e ri, nuk e zhbëjnë dot për të paktën një vit, pasi vetë Kushtetuta, ajo të cilën Meta zotohet se do ta mbrojë me çdo kusht, parashikon që rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum.