Sali Berisha

Kuvendi i Kullave

2 Dhjetor 2023, 12:21| Përditesimi: 2 Dhjetor 2023, 12:31

  • Share

Sali Berisha bën sikur votëbesohet, shtatë muaj pas humbjes së zgjedhjeve, që premtoi se do t’i fitonte të tëra dhe i humbi me turp të gjitha, në një formacion apolitik, ilegal, që nuk ka emër të regjistruar, nuk ka vulë e stemë, ka logo të manipuluar, seli të zaptuar, legalizuar me vjedhjen 7501;

nuk ka ligj që e njeh, rregullore që e zbaton, gjykatë që e legalizon, institucion që i hap dyert, partnerë ndërkombëtar që e presin, e dëgjojnë apo tek të cilët të shkojë dhe të ankohet; madje, të vetmin italian anonim që ka sot në krah, e ka si pazar të çmimit të heshtjes, të qepjes së gojës, për marrëveshjen Rama-Meloni; që vetë flet e vulos, vetë kërcënon, jep verdikte, pretenca, vendime e dënime;

dymbëdhjetë vjet filani, shtatë fistani e tetë fistëku, thotë përditë Saliu, që në mëngjes shfaqet si Ali, në mbrëmje shndërrohet në Kadi, në një shtëpi pa çati, ku të gjithë “fëmijët” i ngjajnë çuditërisht në vese e huqe babait hajdut, pa shpresë, pa të ardhme, pa të shkuar e të tashme, pa ideale, parime e besim, veç pazare, Kulla në këmbim të shitjes së zgjedhjeve, hidrocentrale, TEC-e e HEC-e në këmbim të tymit dhe flakës; përditë thirrje për revolucion, për protesta, mosbindje civile, marshime oqeanike e njerëz lumë, por oqeani i vetëm atyre anëve ka mbytur shtatë pashë nën tokë shpresat te Revolucioni, e lumi i vetëm atyre brigjeve ka lagur “barutin” pa ndezur, fitilin pa marrë, gurin e strallit pa shkëndijën e parë;

askush nuk e dëgjon, askush nuk e ndjek, askush nuk i përgjigjet, askush nuk e shikon; tallje me demokratët për të negociuar fatin e tij penal, për shkak të mos ikjes kur duhej në shtëpi, por të marrjes së udhëve si kalorës i vrerosur në pleqëri, hipur mbi një Rosinant gërdallë dhe për nder të Zonjës së Zezë, Marrëzi;

që nuk bind me askënd, që është më i vjetër se e vjetra dhe më i tripsur se çdo rreckë e grisur; nuk i shkon prapa askush me dy pare mend, veç pazarexhinjsh të vegjël me ambicie të mëdha, që shpresojnë që Saliu të bjerë nga Kali e, në mos kalit, t’i hipin mushkës a gomarit që do ngelë prej atij, si Sanço Panço që ndiqte në marrëzi zotërinë e tij, por Saliu nuk është Sojliu, ai i di, i njeh, i tall dhe përçmon, veç currila e ujit të shkojë në brazdën e tij, sepse pastaj ai ua rregullon, sapo t’i jepet mundësia, nëse do ketë mundësi për të dhe për ta, ngase këtë askush s’e di;

siç ka bërë 32 vite me radhë, të luajë me shpresat e njerëzve që me rrena i ushqen dhe mban; duke rritur, shumëfishuar, filiza të gënjeshtërt, në gjenezë, pa dritën e së të vërtetës në fotosintezë, aq e nevojshme për të menduarin njerëzor, si çdo frymor njerëzor.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?