Presidenti Ilir Meta

Politikë

Kuvendi la jashtë gazetarët, Meta: I papranueshëm, praktikë si e Lukashenkos! Po dëmtohet integrimi në BE! Mediat paralajmërojnë protestë

8 Qershor 2021, 11:51| Përditesimi: 8 Qershor 2021, 14:35

  • Share

TIRANË- I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik e ka quajtur presidenti Ilir Meta vendimin e Kuvendit për të lënë jashtë Komisoneve, gazetarët. Një vendim i tillë, për kreun e shtetit, është i ngjashëm me praktikat e presidentit Bjellorus, Lukashenko e që sipas tij dëmtojnë seriozisht integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Mes të tjerave, Meta ka hedhur akuza në drejtim të Kuvendit të cilët nesër në 9 qershor, do të vendosin për “fatin e tij” në Presidencë.

“I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara. Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.

Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”, shkruan Meta.

Sipas ndryshimeve të fundit në Byronë e Kuvendit, gazetarët do t’i ndjekin aktivitet vetëm nëpërmjet rrjetit të transmetimit në një sallë të posaçme për gazetarët çka pengon kontaktin e afërt me deputetët. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër edhe të gazetarëve të cilët e kanë konsideruar si cenim të fjalës së lirë dhe pengim të punës së tyre. Mes 10 anëtarëve të Byrosë së Kuvendit që kanë votuar për këtë vendim, për distancimin e gazetarëve nga Kuvendi në sesionin e ardhshëm parlamentar, vetëm kreu i kuvendit Gramoz Ruçi rezulton të jetë deputet në mandatin e ardhshëm. Ndërsa 9 të tjerët nuk kanë arritur të fitojnë një mandat deputeti, si Alket Hyseni, Anastas Angjeli, Besnik Baraj, Myslim Murrizi, Vasilika Hysi, Vilma Bello, Alban Zeneli, Ervin Bushati dhe Nimet Musai.

Ora 13:31
Kuvendi i la jashtë/ Gazetarët paralajmërojnë protestë para seancës plenare për shkarkimin e Metës

Vendimin e Kuvendit për t’i lënë jashtë Komisioneve dhe seancën plenare, gazetarët e kanë quajtur absurd, për këtë arsye kanë paralajmëruar se do të protestojnë.

“Vendimi i Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar gazetarët e akredituar nga aksesi i komisioneve parlamentare është cenim i pastër i punës sonë dhe lirisë së medias! Përmes një organizimi spontan, sencibilizues ditën e mërkurë datë 08/06/2021 ftohen të gjithë gazetarët që janë të akredituar në Kuvendin e Shqipërisë që në orën 09:30 para seancës plenare të marrin pjesë në një protestë kundër kësaj vendimarrjeje!

PS. Janë të lutura redaksinë e televizioneve të mundësojnë akses për këtë protestë! Kjo është një betejë për fjalën e lirë dhe raportimin e pavarur”, thuhet në njoftim.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 09/06/2021 03:24

    Perkrah gazetaret,kjo eshte shkelje e lirise se shtypit,mendimit e fjales.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?