Politikë

Zgjedhjet e 11 majit/ Kuvendi miraton zgjatjen e afatit të pasaportave dhe kartave ID të skaduara për diasporën! Bujar Leskaj i PD-së bashkon votën me PS! Dritë jeshile dhe për staf shtesë KQZ

27 Shkurt, 15:57| Përditesimi: 27 Shkurt, 20:27

  • Share

TIRANE-  Emigrantët që kanë një dokument biometrik, pasaportë apo ID shqiptare, edhe nëse ajo është e skaduar, do të mund të votojnë për zgjedhjet e 11 majit.

Me 76 vota pro, Kuvendi i dha sot (27 shkurt) dritën jeshile zgjatjes së afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të tyre biometrike, ID apo pasaportës duke ua hequr pengesën që edhe ata emigrantë që nuk i kishin rinovuar të votojnë.

Votën pro e dhanë vetëm socialistët, ndërsa opozita braktisi sallën në momentin e votimit. I vetmi që doli jashtë rreshti, qe demokrati Bujar Leskaj, që ngriti bashkë me kolegët socialistë kartonin jeshil.

“Unë besoj se dhe mungesa e tyre sot është alibi për zgjedhjet. Mjafton të shohësh pjesën e opozitës për të kuptuar që sot e kanë bërë gati deklaratën për të mos njohur rezultatin. Po njohën rezultatin s’do kenë kryetarin, po të mos jetë kryetari s’do të jetë pjesë e tyre. Nuk i ndihmojmë dot, vetëm tu bëjmë thirrje brenda dhe jashtë vendit të shprehin votën” tha deputeti Nasip Naço, kryetari i komisionit të Sigurisë para se 2 pr/vendimet të hidhen për votim

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se miratimi mundëson një pjesëmarrës shumë të gjerë të votuesve nga jashtë vendit që të regjistrohen në Platformën Elektronike të Regjistrimit.

"Numri i shtetasve shqiptarë me të drejtë vote të cilëve u ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimi ose mund t’u skadojë gjatë kësaj periudhe është 520 mijë shtetas”, tha Hoxha

Gjatë diskutimeve më herët në seancë plenare opozita pretendoi se zgjatja e vlefshmërisë së përdorimit vetëm për dokumentet e emigrantëve është diskriminues, pasi sipas saj, duhet të ishte zgjatur edhe për votues brenda vendit, ndërsa përsëriti kërkesën që të votonin edhe ata emigrantë që posedojnë vetëm një dokument biometrik të huaj.

Qeveria i trajton qytetarët në të "dorës së parë" dhe "dorës së dytë" tha deputetja e PD-sw, Jorida Tabaku.

Këtë socialistët e quajtën alibi për humbjen e 11 majit, ndërsa thanë se shifrat tregojnë që emigrantët e kanë mirëpritur procesin e votimit nga jashtë.

Ky është kompelski juaj, pendohesh pasi bën gjithçka, sepse mendon alibinë e radhës. Do doja që opozita të ishte më e fortë, më konkurruese. Por sa herë bëjnë marrëveshje, pendohen, mbyllin marrëveshje dhe ndërrojnë mendje, tha Gjiknuri.

Sipas këtij vendimi afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave që përfundon me datë 11 maj të zgjatet deri më datën 31 maj 2025 për shtetasit me banim jashtë vendit.

Emigrantët kanë kohë deri më 4 mars për t’u regjistruar në platformën e KQZ-së për të votuar për herë të parë nga vendet ku jetojnë. Atyre zarfi me fletën e votimit do t’u shkojë përmes postës në adresën e banimit, ndërsa kostoja e postës do të paguhet e gjitha nga shteti shqiptar.

Po ashtu Kuvendi miratoi me 75 vota pro edhe projektvendimin i cili parashikon një shtesë prej 80 punonjësish me kohë jo të plotë pune në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të përballuar fluksin e madh të regjistrimeve të shtetasve shqiptarë për të votuar nga jashtë vendit.

Votimi në seancën parlamentare të 27 shkurtit 
Prv/vendimi për zgjatjen e afateve të kartave të identitetit të diasporës u miratua me 76 vota pro. Deputeti i PD-së Bujar Leskaj bashkoi votën me socialistët për miratimin e aktit normativ nr.1 “Për një shtesë në ligjin nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar”
Me 75 vota pro dhe 1 abstenim Akti normativ nr.2 “Për një shtesë në ligjin nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”.
Ndërkohë me 75 pro dhe 1 abstenim u miratua Projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifiimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune në mbështetje të procesit të votimit nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për Zgjedhjet për Kuvend 2025” 

 Ndërkohë Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen dhe Diskriminimi”, me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste do të votohet në seancën e radhës.

 

1740675300_votim.jpg

Ora 20:15
Strategjia e Opozitës në Parlament/ Paradite zhurmë, kur vjen puna tek votimi braktisin karriget

1740683580_parlament.jpg

Foto: Seanca e Kuvendit, 27 shkurt 2025

Deputetët e opozitës braktisën edhe sot kuvendin në momentin kur u hodhën për votim pr/vendimet për shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit deri në fund të muajit maj.

Pak para votimit të pr/vendimeve vetëm 5 deputetë ishin në karriget e opozitës, ndër ta  dhe Bujar Leskaj, Monika Kryemadhi, Dash Sula, Fatmir Mediu, ndërsa gjatë paradites u përfshinë në diskutime e debate për votën e diasporës.

Më pas edhe ata u larguan duke mbetur vetëm Bujar Leskaj në krahun e opozitës, i cili ngriti kartonin me kolegët e shumicës për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të tyre biometrike, ID apo pasaportës duke ua hequr pengesën që edhe ata emigrantë që nuk i kishin rinovuar të votojnë.

Kjo nuk është hera e parë që Leskaj bashkon votat me socialistët, edhe në seancën e 31 janarit 2025 Leksaj votoi pro pr/ligjit për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për investimet e strategjike në Republikën e Shqipërisë”, që shtyn deri më 31 dhjetor 2026 afatin e aplikimit.

 

Ora 15:10
Kuvend/ Tabaku: Qeveria frikësohet nga vota e Diasporës, po përjashton 150 mijë shqiptarë nga zgjedhjet!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti sot në Kuvend shqetësimin lidhur me trajtimin e pabarabartë të shqiptarëve nga qeveria, veçanërisht atyre që jetojnë jashtë vendit.

Në fjalimin e saj ajo denoncoi përpjekjet e qeverisë për të përjashtuar nga procesi zgjedhor mbi 150 mijë shqiptarë të diasporës, duke i ndarë qytetarët në të "dorës së parë" dhe "dorës së dytë".

"Frika e qeverisë nga vota e diasporës është e qartë. Ata dinë të vlerësojnë meritën, ndershmërinë dhe punën e palodhur, ndaj qeveria bën gjithçka për t’i mbajtur jashtë votimi”, tha ligjvënësja demokrate. 

Duke iu referuar shifrave alarmante, deputetja demokrate tha se nga 237 mijë regjistrime të diasporës, 97 mijë persona janë refuzuar, ndërsa 40 mijë prej tyre janë përjashtuar në mënyrë unike.

"A nuk janë këta shqiptarë? Kjo është një padrejtësi e papranueshme dhe një standard i dyfishtë që qeveria e zbaton gjithmonë për të mbajtur pushtetin me çdo kusht”, theksoi Tabaku.

Tabaku gjithashtu preku problemin e emigracionit masiv, duke theksuar se mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar drejt Gjermanisë në 10 vitet e fundit, shpesh duke braktisur edhe shtetësinë shqiptare për të siguruar një jetë më të mirë. 

"Askush nuk ka ikur nga Shqipëria sepse ka dashur të largohet. Kanë ikur sepse nuk shohin të ardhme në këtë vend të kapur nga korrupsioni dhe oligarkia. Ata shqiptarë që sot mbajnë lart flamurin tonë dhe punojnë me ndershmëri nuk kanë të njëjtat të drejta si klientët e qeverisë. Ata nuk kanë përfituar asnjë favor, nuk kanë marrë koncesione, nuk kanë abuzuar me taksat, por janë më shqiptarë se ata që qeverisin këtë vend prej 10 vitesh", u shpreh deputetja.

Në fund të fjalës së saj, deputetja demokrate denoncoi edhe aferat e fundit korruptive të qeverisë, duke përmendur rastin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. 

"Dy ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, u thirr rektori i Universitetit për një aferë korruptive ku disa përfaqësues janë nën hetim. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes së sotme: ndërsa diaspora lufton për të drejtën e votës, këtu qeveria vazhdon të zhytet në korrupsion dhe abuzime", përfundoi ajo, duke këmbëngulur që qeveria të ndalë lojërat politike dhe të garantojë votën e diasporës.

Ora 12:35
Gjiknuri: Po kërkoni alibinë e radhës për humbjen, bëni marrëveshje dhe pastaj pendoheni! S'mund të votohet me dokument të huaj, nuk ndodh askund! Shqiptarët s'jetojnë pyjeve

 

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, i cili njëkohësisht është i mandatuari i mazhorancës për negociatat me opozitën për Kodin Zgjedhor dhe marrëveshjet që bëhen mes palëve për votën e Diasporës dhe ndryshime të tjera të nevojshme, akuzoi PD-në se me pretendimet që po bënte sot në Kuvend, po kërkonte një alibi.

Ai e quajti antillogjikë kërkesën e opozitës që të shtyhet afati i regjistrimit edhe për shqiptarët brenda Shqipërisë apo për dokumentet e skaduara të identifikimit për shtetasit brenda vendit.

Ai argumentoi se shifrat e opozitës për mungesën e dokumenteve te shqiptarët brenda vendit ishin të ekzagjëruara, pasi shumica i kanë ato sepse kryejnë veprime të nevojshme në subjekte apo institucione.

Kurse për ata që ende nuk i kanë, Gjiknuri tha se e kanë kohën dhe mundësinë për t’i bërë, pasi nuk ka më as radhë nëpër sportelet e aplikimit.

Fjala e Damian Gjiknurit:

Ky është kompelski juaj, pendohesh pasi bën gjithçka, sepse mendon alibinë e radhës. Do doja që opozita të ishte më e fortë, më konkurruese. Por sa herë bëjnë marrëveshje, pendohen, mbyllin marrëveshje dhe ndërrojnë mendje. Çfarë të them unë, ndaj përmenda edhe Zhvejkun. Qeveria bëri aktin normativ për shtetasit jashtë vendit, ata kanë nevojë, sepse një pjesë e tyre nuk kanë pasur  mundësi, kanë nevojë, kanë dokumente të shteteve të tjera. Ndaj u jepet afat, shtyhet afati i dokumentit të skaduara. Këta tani na thonë po këta brenda, të shtyhet dhe për këta. E kemi bërë herët e tjera, tani shtetasit shqiptarë brenda e dinë, një herë në 10 vjet rinovohen, nuk kushtojnë as nuk ka më radhë. Pse? Sepse në Shqipëri nuk bën dot veprime pa dokument të rregullt. Ndaj kjo që thoni nuk vlen. Mirë për shtetasit e huaj se nuk kanë mundësi. Tani le të themi, pensionistët a kanë dokument identifikimi, sigurisht që kanë se tërheqin pensionin, ata të asistencës, privatët dhe ata që punojnë në shtet. Ju thoni diskriminim, çfarë diskriminimi është ky.

Patjetër që kanë dokumente ata njerëz, ku jetojnë ata, në pyje? Ai që nuk e ka mundësin, ka kohën ta marrë. Për diasporën jam dakord, se janë jashtë. Po jo këta këtu. Ju po kërkoni alibinë e radhës, ua them unë, janë shifra për konsum, krijohet alibi, merret e trajtohet, e nesër të thonë me alibi aaaa ja shkak ishte kjo. Dëgjova dhe dokrra këtu. Janë absurditete logjike. Jam bashkëpunues me ju, ju e dini, e e thashë edhe me humor, të gjithë palët përgatiten për fitore. Kur humbin dalion e thonë aaaa na vodhën. Normalisht humbësi nuk pranon. Shqiptari në Kanada e Amerikë a voton dot atje me dokumente shqiptare? Pra ai që jeton jashtë, shqiptari, sipas jush të vijë me duart në xhepa dhe të votojë, ku e keni parë ju këtë?

Po këta që janë të pamundur, tetraplegjikë apo invalidë, pse mos t’ua japim këtyre të drejtën me postën ne?!

Po ai që është jashtë, apo të ndëshkohet pse nuk do opozita. Ju jap ca këshilla, se ka alibi më të bukura, këtë nuk e ha njeri, se njerëzit jetojnë në këtë vend dhe e shohin. Procesi i regjistrimit po ecën shumë mirë, shqiptarët që nuk jetojnë këtu duan të votojnë dhe të gjithë kemi sensibilizuar dhe bërë punë të mirë. Shpresoj ta kalojmë këtë çështje pa shumë debat”.

Ora 10:36
Zgjatja e afatit për pajisje me dokument elektronik të shqiptarëve jashtë, Ministri Hoxha: Të garantojmë të drejtën e votës edhe për 520 mijë shtetas që u skadon letërnjoftimi deri më 11 maj

 

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, foli në seancën plenare duke përcjellë për deputetët projekt vendimin e qeverisë për zgjatjen e afatit për pajisje me dokumente identifikimi shqiptarëve që jetojnë jashtë në rast se u skadon pasaporta apo letërnjoftimi elektronik deri më 11 maj. Hoxha ftoi deputetët të votojnë këtë projekt vendim që shqiptarët jashtë të kenë mundësi të votojnë në 11 maj edhe nëse në këtë periudhë u mbaron afati i ID elektronike.

"Po sjellim në seancë për miratim pas diskutimeve në komisionet dy akte normative që zgjaten afati i vlefshmërisë për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën deri në fund të maji 2025 që diaspora të votojë dhe të ushtrojë të drejtën e votës për 11 majin. Këto janë hapa ta domosdoshme për garantimin e votës për çdo qytetar. Vota është themeli i demokracisë dhe shtyllë e një shoqërie të lirë. Nuk mund të lejojmë që vështirësitë e rinovimin të bëhen pengesë për pjesëmarrjen në zgjedhje. Diaspora jep kontributin për vendin. Nuk janë vetëm qytetarë të Shqipërisë por ambasador. Detyra jonë të bëjmë çka është e nevojshme për përfshirjen e tyre në çdo vendimarrje.

Me këto akte përcjellim mesazhin që shteti amë mbetet i përkushtuar për të drejtat e qytetarëve kudo që jetojnë. Miratimi mundëson pjesëmarrje të gjerë për qytetarët jashtë republikës që do regjistrohen në platformën e KQZ. Kompania e prodhimit të dokumenteve po vijojnë punën me shtetas jashtë vendit. Numri i shtetasve shqiptarët me të drejtë vote që u ka kaluar afati ose që i skadon deri në 11 maj është 520 mijë shtetas. Edhe KQZ iu drejtua Këshillit të Ministrave me qëllim shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.

Çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç pa dallim ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kemi detyrim tu ofrojmë ndihmë dhe të mbrojmë të drejtat e shtetasve tanë. Këshilli i Ministrave propozon që afati i vlefshmërisë s ID dhe që mbaron deri  në 11 maj të zgjatet deri në 30 maj. Për të përmbushur vendimin historik që diaspora të ketë mundësi për herë të parë të votojë jashtë vendit", tha Hoxha. 

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mandarina me pesticide, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?