Kuvendi nis sesionin pas pushimeve, të hënën deputetët në seancë! KQZ-ja e re dhe ndryshimet në Kod sfidat e radhës

5 Shtator 2020, 14:37| Përditesimi: 7 Shtator 2020, 09:22

  • Share

TIRANË- "Politika nisi vrullshëm këtë fillim shtatori, e po ashtu puna e Kuvendit të Shqipërisë. Ligjvënësit do të rikthehen në seancë plenare pas pushimeve, ditën e hënën në orën 17:00".

Deputetët do duhet të ngrenë kartonin për një sërë çështjesh të rëndësishme në funksion të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm. Riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është pikënisja e punës për palët duke qenë se 19 tetori duhet ta gjejë KQZ  dhe me anëtarë të rinj.

Akoma janë hapur procedurat e aplikimit për kandidatët dhe javën e ardhshme pritet që PD të çojë përfaqësuesin e saj në Kuvend, për të ngritur Komisionin e Posaçëm që do bëjë përzgjedhjen e kandidatëve të KQZ-së së re. Marrëveshja e 5 qershorit solli nevojën për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, Kodit Penal, Ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për sinjalizuesit, Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ligji për funksionimin e prokurorisë dhe Ligji për Partitë Politike.

Puna përgatitore për këto amendamente nga ana e institucioneve është ende mbrapa, në kushtet kur kanë mbetur thuajse 6 muaj nga nisja e fushatës zgjedhore. Sfida e radhës legjislative lidhet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas ndryshimeve në Kushtetutë. Palët do duhet të përcaktojnë mandatet në zonat zgjedhore, koaliconet parazgjedhore, sa do të hapen listat, pjesërisht apo 100% si dhe pragun elektoral. Në faqen zyrtare ende nuk është bërë asnjë azhornim i Kodit Zgjedhor. 

E përpos çështjeve teknike e legjislative, për deputetët e opozitës parlamentare dhe PS sfida më e madhe është fitimi i një tjetër mandati në Kuvend. Deputetët e PS do duhet të japin maksimumin për t'i siguruar partisë së tyre një mandat të tretë, pas paralajmërimit të fortë që morën nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ua bëri të qartë se nëse nuk bëjnë gjithçka për partinë, nuk do të jenë në formacionin e ardhshëm.

Ndërsa deputetët e opozitës në Kuvend duhet të sigurojnë elektoratin e nevojshëm për të qenë sërish në këtë sallë, nëpërmjet subjekteve politike që kanë krijuar. Çfarë do të lehtësojë punën në Kuvend do të jetë pikërisht dakordësia mes dy palëve politike në mënyrë që gjithçka të realizohet para zgjedhjeve parlamentare.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?