Kuvendi rezolutë me 16 pika për nisjen negociatave: Do plotësojmë të gjitha kushtet nga lufta ndaj korrupsionit tek ligji i ri për mediat

25 Shtator 2020, 17:10| Përditesimi: 25 Shtator 2020, 22:05

  • Share

TIRANË- Shqiptarja.com zbulon 16 pikat e një projektrezolute, e cila do të miratohet nga Kuvendi, për procesin e nisjes së negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE si dhe mbi disa kushte për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Në dokument ritheksohet se procesi i negociatave dhe anëtarësimi mbetet objektivi madhor i Shqipërisë, ndërsa i kërkohet qeverisë të thellojë reformat integruese. Në projektrezolutë Kuvendi deklaron angazhimin që të bashkëveprojë dhe të monitorojë të gjitha institucionet e përfshira, të cilat kanë për detyrë plotësimin e kushteve për nisjen e bisedimeve.

Kushtet e thekura në projektrezolutë janë forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit, ndryshimi i ligjit për mediat sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, zbatimin e reformës zgjedhore, transparencë në financimin e partive dhe fushatave elektorale, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, përfundimin e ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe adresimin e rekomandimeve të Task Forcës të Veprimit Financiar (FATF) për forcimin e luftës kundër financimit të terrorizimit.

Në dokument, Kuvendi angazhohet të garantojë dhe të fuqizojë integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese si dhe të forcojë veprimtarinë diplomatike me parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në funksion të njohjes më të mirë të zbatimit të reformave.

-Projektrezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për nisjen e negociatave
1. Përshëndet vendimin historik të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë.
2. Vlerëson progresin e arritur në reformat që lidhen me integrimin evropian, të cilat mundësuan plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe vendimin përkatës të Këshillit të Bashkimit Evropian .
3. Rikonfirmon se procesi i negociatave dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Evropian është objektivi madhor i politikës së jashtme së Republikës së Shqipërisë dhe kryeson axhendën e saj kombëtare, si një vend që synon dhe është i angazhuar plotësisht për konsolidimin e demokracisë, respektimit të parimeve të shtetit të së drejtës, të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe minoriteteve, të dialogut politik, të transparencës, të gjithëpërfshirjes dhe të ekonomisë funksionale të tregut, që përbëjnë vlerat e përbashkëta mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian;
4. Rikonfirmon qasjen e tij se përparimi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë bazohet në hartimin dhe zbatimin plotësisht të reformave transformuese dhe të pakthyeshme.
5. Thekson se dialogu konstruktiv politik brenda kuadrit institucional kushtetues është thelbësor, për konsolidimin e demokracisë funksionale dhe për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
6. Mori në dijeni për Planin e Veprimit për plotësimin e përparësive të përcaktuara në Përfundimet e Këshillit të Bashkimit Evropian të 25 marsit 2020
7. I kërkon Qeverisë dhe të gjithë institucioneve të tjera përgjegjëse që të konsolidojnë reformat e arritura dhe të thellojnë më tej reformat për plotësimin e përparësive të vendosura në Përfundimet e Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 25 mars 2020.
8. I kërkon Qeverisë që të koordinojnë institucionet përgjegjëse dhe raportojnë në Kuvend një herë në tre muaj, mbi zbatimin e këtij e këtij Plani Veprimi.
9. Inkurajon zyrën e Kryenegociatorit të vijojë bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim paraqitjen objektive në institucionet evropiane dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian të arritjeve dhe përparimin e reformave të realizuar.
10. Angazhohet që të monitorojë zbatimin e Planit të Veprimit duke forcuar më tej veprimtarinë e organeve nëpërmjet të cilave Kuvendi ushtron përgjegjësinë e tij në procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si Komisioni për Integrimit Evropian dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian, me qëllim forcimin e dialogut gjithëpërfshirës dhe rritjen e transparencës në këtë proces.
11. Angazhohet që të bashkëveprojë dhe të monitorojë me përgjegjësi të lartë të gjitha Institucionet e përfshira të cilat kanë për detyrë të marrim masat për trajnimin me përparësi të

gjatë kushteve prioritare si: zbatimin e reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, duke siguruar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale; të siguroj vazhdimësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, përfshirë opinionet përkatëse të Komisionit të Venecias; të ketë përfunduar ngritjen e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëpërmjet bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe përmes plan veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Forcës të Veprimit Financiar (FATF), si dhe amendimin e ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
12. Angazhohet të garantojë dhe të fuqizojë integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe të krijuara me ligj.
13. Angazhohet të forcojë ndërveprimin dhe veprimtarinë diplomatike me parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në funksion të njohjes më të mirë të zbatimit të reformave nga ana e vendeve anëtare dhe opinionit të tyre publik.
14. Angazhohet të vazhdojë të shqyrtojë me përparësi dhe në një proces të gjerë konsultimi, kuadrin ligjor që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian si dhe të gjitha nismat të cilat janë pjesë e axhendës së anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare..
15. I bën thirrje shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe të gjithë aktorëve shoqërore të përfshihen në mënyrë përmbajtjesore në diskutimet e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe në platformat e tjera, në funksion të mirinformimit mbi këtë proces me përparësi madhore në interes të vendit.
16. Mbi bazën e arritjeve në zbatimin e përparësive kyçe të Planit të Veprimit, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë inkurajon Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të tij në marrjen e vendimit për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare sa më shpejt brenda vitit 2020.

(Kliko këtu për lexuar Raportin dhe projektrezolutën e plotë )

 

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pronesi me drejtesi: 25/09/2020 21:48

    Nje mga ato qe qeveria po i shet BE eshte edhe kompesimi i ish pronareve me pyje kullota livadhe gjerdhe kanale etj.

    Përgjigju
  • Ops: 25/09/2020 20:41

    Pas 7 viteve e kenaqe

    Përgjigju
  • AltinTop: 25/09/2020 18:34

    Keni pas 30 vite ne dispozicion per plotesuar kushtet... dhe as qe ju interesojne ti plotesoni... tani meqe nuk ju hap kush deren pa i plotesuar, filloni me Lubime neper DW apo BILD qe ti shesim shqiptarve genjeshtrat e radhes...

    Përgjigju
  • Diu: 25/09/2020 18:15

    Po Çfare do luftoni ku onderdimene?? Sa kohe qe Braçja dhe Balla shesin vende pune kurr sdo keni besimin e njerezve

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 25/09/2020 17:55

    Nuk mund ta çoj Shqiperine drejt BE-s nje klase politike e degjeneruar ne thelbin e saj,e korruptuar plotesisht deri ne ekstrem,prej 30 vjetesh vrasese e pangopur jetesh e shpresash.VETEM KUR KLANSEKTI PS,PD,LSI TE SHKOJE PRAPA DIELLIT DHE TU MERRET PASURIA ATEHERE SHQIPERIA JONE KA LINDUR PER SE DYTI HERE.

    Përgjigju
  • hasani: 25/09/2020 17:27

    rezoluta me llafe te bykura beni plot ju, por realiteti eshte se nuk beni asgje ne terren, keshtu qe mos harxhoi kot frymen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?