Politikë

Kuvendi shkarkoi Metën, reagon Presidenca: Asnjë surprizë, zero shqetësim nga vendimi antikushtetues!

9 Qershor 2021, 15:17| Përditesimi: 9 Qershor 2021, 17:39

  • Share

Presidenca ka reaguar pasi Kuvendi shkarkoi Presidentin Ilir Meta.  Zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi me një postimi në Facebook,  e ka cilësuar si vendim antikushtetues dhe qesharak votimin e sotëm në Kuvend.

Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se ka 'ka blerë' deputetët në Parlament, për të siguruar numrin e votave të mjaftueshme për shkarkimin e Metës, duke shkruar se "veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl".

Blushi shton se "Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhtarëve".

"Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër!

Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit.

Të paktën veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl!

Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti!

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar.

Një ftesë e sinqertë edhe për kolegët gazetarë: Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore!", shkruan Tedi Blushi.

Me 104 vota pro Kuvendi miratoi sot raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta për shkelje të rënda kushtetuese. Në seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë ku 7 prej tyre mungonin. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan.


Lajmi kryesor:

Kuvendi shkarkon me 104 vota Ilir Metën, Presidenti i parë në histori që ndëshkohet nga ligjvënësit! 'Fati' i tij në dorë të Kushtetueses! Rama: Largimin e tij e duan 90% e shqiptarëve


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?