POGRADEC- Report Tv ishte sot në ambientet e zjarrfikëses së Pogradecit. Kushtet në të cilat ndodhet kjo zjarrfikëse janë tërësisht të mjerueshme. Duke nisur me godinën ku muret janë të plasaritura dhe me lagështi në të gjitha anët. Një sobë e vjetër druri shërben për të mbajtur ngrohtë ambientin.
Zjarrfikësja e Pogradecit ka 4 mjete, një autobot qumështi i modifikuar, një mjet i degraduar dhe një automjet i mirëfilltë pune. Grupi i shërbimit përbëhet nga 3 persona.
Kjo është panorama që na vjen nga “heronjtë e zjarrit”që krahas punës së vështirë që kryejnë ku u duhet të luftojnë më flakët përballen dhe me mungesën e kushteve bazë. Në godinë shihen në një cep të varura dhe disa uniforma të zjarrfikësve, pjesë-pjesë të djegura dhe të vjetërsuara.
Shefi i zjarrfikëses, Armand Gora pohon për Report Tv mungesën e stafit dhe të mjeteve. Ai shton se në këto kushte puna është e vështirë. Madje në stinën e verës thotë ai se e kanë të pamundur të përballojnë emergjencat.
“Momentalisht ne kemi 4 automjete, 2 janë automjete të mirëfillta të zjarrfikëse dhe 2 të tjera janë pothuajse jashtë përdorimit, një është autobot qumështi e përshtatur. Kemi nevoja por më shumë edhe për efektivë. 3 jemi në grupin e shërbimit lind nevoja vjen grupi i gatshëm. 12 jemi gjithsej, Pogradeci trefishohet gjatë verës dhe kemi shumë nevojë sepse nuk i përballojmë dot”, tha Shefi i zjarrfikëses Pogradec Armand Gora
Pas 14 ditëve nga zjarri i fuqishëm që shkrumboi 12 apartamente në Pogradec, Gora shprehet se pavarësisht kushteve tepër të vështira stafi i zjarrfikëses bëri të pamundurën.
“Ajo situatë nuk anashkalohej, ne bëmë të pamundurën sepse zjarri favorizohej nga era. Detyra jonë ishte të mos lejonim përhapjen e zjarrit dhe ruajtëm ambientet e tjera. Ne kemi bërë kërkesë për rregullim të godinës dhe shtim stafi”, tha Armand Gora.
Shefi i Zjarrëfikses pohon se i kanë dërguar një kërkesë drejtorisë së përgjithshme dhe ministrisë së brendshme për përmirësimin e kushteve dhe shtimin e stafit.