Andoni: Lajmi s’është 'Meta', por depolitizmi i KQZ dhe vota e emigrantëve

8 Korrik 2019, 19:50| Përditesimi: 8 Korrik 2019, 19:56

  • Share

Në një fjalë të gjatë, por që i shkonte seriozitetit të rastit, si edhe arsyetimit se ku vajti marrëdhënia e grupimit socialist me presidentin e vendit, kryeministri Rama ka rreshtuar disa argumente, që e legjitimojnë largimin e tij. Kuptohet të gjithave u ka veshur edhe metaforat e nevojshme të retorikës së tij për të zbritur retorikën e ditëve të fundit të presidentit Ilir Meta. Megjithatë, në mes të rreshtave, gjëja më e këndshme dhe që u kumtua si premtim i kryeministrit ishte depolitizimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mbi të gjitha: votës së emigrantëve dhe të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Këto të dyja janë risitë, që deri tani janë përmendur shpesh, por tashmë konfirmonin edhe ato që PS-ja ka artikuluar kohë më parë. Kuptohet se sistemi nuk preket sepse të dyja partitë e mëdha e shikojnë si më të arsyeshmin në kushtet e vendit, por duke besuar fjalën e Ramës, do të ndërhyhet realisht në çështjet kryesore të administratës së fushatës elektorale dhe zhvillimit të zgjedhjeve.

Realisht është një nga lajmet e mira, që e shtyn tej, komisionin për shkarkimin e Metës pasi vota e emigrantëve mund të jetë realisht ndikuese për zgjedhjet tona, pasi është e pamundur të ndikohet nga politika dhe t’i bëhet presion nga Shqipëria. Largësia, por më shumë vizioni i tyre, prej jetesës në vendet e huaja i bën dhe më racional në gjykime. Nga ana tjetër, kjo mund të hapë mundësinë, që nëse partitë në të ardhmen do të ulin pragun e hyrjes në parlament, atëherë grupime të reja politike të thyejnë monopolin e madh të dy partive kryesore. Dhe, ky mund të quhet realisht lajm i mirë.

Por, nuk mbaron këtu. Nëse propozimet e dikurshme do të marrin jetë, atëherë do të ketë depolitizim të strukturës që do merret me zgjedhjet dhe e gjithë administrata e zgjedhjeve do të përgjysmohet. Të shpresojmë se ky vullnet do të shkojë deri në fund, ndërsa në krizat e tyre të zakonshme, politikanët të mos e harrojnë premtimin. Bindja e Ramës është se këtij procesi mund t’iu shkohet deri në fund dhe tashmë mbetet nëse sfida e tij do të jetë substanciale apo thjesht për demagogji.

Ndaj, në atë që u tha dje në seancën për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar ndaj presidentit Meta, lajmi ishte ngritja e procesit për shkarkimin e tij, por premtimi me diksion bindës se do të depolitizohet Komisionin Zgjedhor dhe të gjithë strukturat e tij. Këtë kanë pritur me kohë shqiptarët, por edhe e gjithë bota e civilizuar, kur flitet për zgjedhjet tona, që janë aq të përfolura, të nëpërkëmbura dhe pa klas e mbi të gjitha gjithmonë të kritikuara nga OSBE/ODHIR. (Javanews)

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?