Laura, njihuni me italianen që la Bolzanon për Roskovecin! Flet për Report Tv: Shqipëria, vend i sigurt dhe miqësor

10 Nëntor, 15:13| Përditesimi: 10 Nëntor, 15:22

  • Share

Fier- Shumë shqiptarë kanë braktisur ndër vite vendin, në kërkim të një jete më të mirë përtej brigjeve, në Itali, por jo të pakët janë edhe italianët që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar.

Në mesin e tyre, është Laura Sturaro, 44-vjeçarja që la Bonzanon për dashurinë, duke zgjedhur pas thuajse dy dekadash martesë të jetojë në vendlindjen e bashkëshortit shqiptar.

Laura Sturaro është e martuar me Altin Gjokën, nga Roskoveci i Fierit prej thuajse 20 vitesh ndërsa 4 vite më parë ka ardhur të jetojë në Shqipëri. Këtë nëntor, ajo ka arritur të marrë edhe nënshtetësinë shqiptare.

Laura nga martesa me Altinin, ka tre vajza që kanë lindur në Itali e që tashmë jetojnë bashkë me nënën e tyre në fshatin Kurtjan të Roskovecit.

Krahas gjuhës të mësuar në mënyrë perfekte, për shkak të jetesës për më shumë se 2 dekada me Altinin, Laura dhe vajzat e saj po mësojnë edhe zakonet shqiptare.

Për Report Tv Laura thotë se ka vendosur të jetojë në Shqipëri, pasi për të është një vend më i sigurt dhe njerëzit më miqësorë.

“Është një vend i qetë për njerëzit këtu jetoj dhe gjej qetësi. Njerëzit janë shumë të mirë, nuk kam patur problem me njerëzit, ata të ndihmojnë” thotë ajo.

Edhe vajzat, duket se janë përshtatur shumë mirë me jetesën në Kurtjan të Roskovecit.

“Tre vajzat e mia e duan shumë Shqipërinë dhe thonë që ne nuk ikim më në Itali. Vajzat kanë lindur në Itali, dy prej tyre po mbarojnë gjimnazin në Kurtjan, ndërsa njëra po punon nga shtëpia, tregon Laura.

Në banesën e vogël në fshatin Kurtjan, Laura kujdeset edhe për vjehrrën e saj 76 vjecare, nënën e Altinit, i cili jetesën vijon ta ndajë mes Shqipërisë e Italisë për shkak të punës.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?