Inter dhe Lazio i janë kundërpërgjigjur fitores së djeshme të Romës dhe mes këtyre 3 skuadrave, ku 2 dy do të marrin pjesë, ka një garë të fortë sa i përket pjesëmarrjes në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Ishte një ndeshje delikate për zikaltrit, pasi Chievo ishte kompakt në pjesën e parë duke mos lejuar hapësira për sulmuesit e Inter, por pas pushimit ishte goli i të përhershmit Mauro Icardi që zhbllokoi gjithçka duke lehtësuar punën për vizitorët.
Goli në fillim u anulua për pozicion jashtë loje, por pas konsultimit me VAR, goli u quajt i vlefshëm dhe pak pas tij erdhi edhe goli që vulosi fitoren për Inter me anë të Perisic në minutën e 61’.
Inter e menaxhoi mirë rezultatin dhe vetëm në fund rrezikoi disi, kur Chievo shënoi golin në fund të ndeshjes, teksa kishte edhe pesë minuta shtesë për t’u luajtur, por Inter u mbrojt mirë duke marrë tri pikë të rëndësishme.
Lazio ka mposhtur 4-0 Sampdorian, duke shënuar nga dy gola për çdo pjesë loje, 2 të fundit nga Ciro Immobile, që ngjitet në kuotën e 29 golave dhe garon për “Këpucën e Artë” në Europë, vetëm 1 më pak se Messi dhe 2 më pak se Salah që kryeson.