“Cefa”, Arvizu takon Topallin

19 Prill 2012, 20:03| Përditesimi:

  • Share
TIRANË – Pas takimeve me kryesocialistin Rama dhe kryeministrin Berisha, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka takuar sot pasdite kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Takimi, i cili vjen disa ditë pas tensionit në Kuvend gjatë votimit për anëtarin e ri të KLD-së.

Sipas zyrës së shtypit të KUVENDIT, tema e bisedimeve ishte axhenda e Parlamentit dhe e punës së komisioneve gjatë kohëve të fundit.

Kryetarja e Kuvendit bëri një përmbledhje të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili ka kaluar dhe votuar disa blloqe nenesh dhe amendamentesh, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, post zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011.

Kryeparlamentarja Topalli e siguroi ambasadorin amerikan se me gjithë punën që është bërë, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka mundësitë që ta përmbyllë punën e vet me sukses brenda afatit të caktuar, pra muajit prill.

Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit, foli edhe për ecurinë e reformës parlamentare.

Zonja Topalli theksoi se “Grupi i Punës ka një mandat që e detyron të punojë në modelin e Rregullores së Parlamentit Evropian dhe në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë”. Biseda vazhdoi edhe me diskutime të zhvillimeve të tjera të fundit në Parlament, thuhet në njoftimin e Kryesisë së Kuvendit.

Ambasadori amerikan në këto takime ka diskutuar me palët për zhvillimet më të fundit politike në vend, kur javën e fundit Kuvendi u shndërrua rishtas në strehën e mosmarrëveshjeve mes opozitës dhe mazhorancës.

Mënyra e votimit të Elvis Cefës për postin në KLD ishte arsyeja e përplasjes më të fundit në Kuvend.

(aq/shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?