Më 8 qershor 1876 u nda nga jeta në moshën 71 vjeçare shkrimtarja e mbi 70 romaneve, kritikja letrare dhe gazetarja e shquar franceze George Sand (Amantine Aurore Lucile Dupin).
Me këtë rast, gazeta “Le Rappel” ka botuar, të hënën e 12 qershorit 1876, në ballinë, fjalimin mbresëlënës të shkrimtarit dhe politikanit të shquar francez, Victor Hugo, lexuar në momentin e varrimit të zonjës Sand nga miku i tij Paul Meurice, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ne morëm nga Nohant-i përmes telegrafit lamtumirën e Victor Hugo-së drejtuar George Sand-it :
“Unë vajtoj një të vdekur dhe përshëndes një të pavdekshme.
E kam dashur, admiruar, adhuruar; sot, në qetësinë e shenjtë të vdekjes, e vështroj.
E përgëzoj sepse ajo që ka bërë është madhështore, dhe e falënderoj sepse ajo që ka bërë është e mirë. Mbaj mend që një ditë i kam shkruajtur : Faleminderit që keni një shpirt kaq të madh.
A e kemi humbur ?
Jo.
Këto figura të larta zhduken, por nuk harrohen. Madje, mund të themi se ato bëhen të vërteta (realizohen). Duke u bërë të padukshme në njërën formë, ato bëhen të dukshme në tjetrën. Shndërrim sublim. Forma njerëzore është një okultacion (maskim). Ajo fsheh fytyrën e vërtetë hyjnore e cila është ideja. George Sand ishte një ide : ajo gjendet jashtë trupit, tashmë e lirë; ajo vdiq, ja tashmë e gjallë.
Patuit dea. (Hyjneshë – Perëndeshë)
George Sand zë një vend unik në kohën tonë. Disa janë burra të mëdhenj; ajo është gruaja e madhe.
Në këtë shekull që ka për ligj (mision) përfundimin e revolucionit francez dhe fillimin e atij njerëzor, barazia gjinore duke qenë pjesë e barazisë së burrave (njerëzve), një grua e madhe ishte e nevojshme. Kësaj gruaje iu desht të dëshmonte se ajo mund të mbartë të gjitha aftësitë tona mashkullore pa humbur asgjë nga aftësitë e saj engjëllore; të jetë e fortë pa pushuar së qeni e butë : George Sand është kjo dëshmi.
Duhej dikush që të nderojë Francën, pasi shumë të tjerë e turpërojnë atë. George Sand do të jetë një nga krenaritë e shekullit dhe të vendit tonë. Asgjë nuk i ka munguar kësaj gruaje plot lavdi. Ajo ishte zemërmadhe si Barbès, mëndjendritur si Balzac, shpirtmadhe si Lamartine.
Renditja e kryeveprave të saj është e panevojshme. Pse të bëhemi plagjiaturë e kujtesës publike? Ajo që karakterizon fuqinë e tyre është mirësia. George Sand ishte e mirë; gjithashtu atë e kanë urryer. Admirimi ka një armik, urrejtjen, ashtu si entuziazmi ka përbuzjen. Urrejtja dhe përbuzja e vënë në pah, duke dashur të bëjnë të kundërtën. Fishkëllima llogaritet nga pasardhësit si një zhurmë lavdie. Kush është kurorëzuar është gjuajtur me gur. Është natyrshme, dhe fyerjet e ulëta maten mbi madhështinë e brohoritjeve.
Qeniet si George Sand janë mirëbërëse publike. Ato kalojnë, dhe sa fare pak janë larguar, shohim në vendin e tyre, i cili dukej bosh, të lindë (mbijë) një realizim i ri i progresit.
Sa herë që vdes një nga këto krijesa të fuqishme njerëzore, ne dëgjojmë si një tingull të jashtëzakonshëm krahësh (fletësh) : diçka ikën, diçka ndodh.
Toka, si qielli, ka eklipset e saj; por këtu poshtë, ashtu si më lart, rishfaqja ndjek zhdukjen. Pishtari i cili ishte një burrë apo një grua dhe që është shuar në këtë formë, rindizet në formën e idesë. Atëherë kuptojmë se ajo që menduam se ishte e fikshme në fakt është e pafikshme. Ky pishtar rrezaton më shumë se kurrë; tani, ai është pjesë e civilizimit; ai hyn në qartësinë (kaltërsinë) e gjerë njerëzore; i shtohet asaj; dhe era e shëndetshme e revolucioneve e lëkund atë, por e bën gjithashtu të rritet; sepse frymët misterioze që shuajnë dritën e rremë ushqejnë realen (të vertetën).
Punëtori është larguar; por puna e tij është bërë.
Edgar Quinet vdes, por filozofia sovrane lë varrin e tij dhe, nga maja e këtij varri, këshillon njerëzit. Michelet vdes, por pas tij qëndron në këmbë historia e cila gjurmon rrugën e së ardhmes. George Sand vdes, por ajo i lë të drejtat e grave mes nesh, duke u bazuar në gjeninë e tyre. Kështu plotësohet revolucioni. Qajmë të vdekurit, por të vëmë re ngjarjet; faktet përfundimtare lindin falë këtyre mëndjeve krenare pararendëse. Të gjitha të vërtetat dhe të gjitha drejtësitë janë nisur rrugës drejt nesh, dhe pra kjo është zhurma e krahëve (fletëve) që ne dëgjojmë.
Le të pranojmë atë që na lënë të vdekurit tanë të shquar kur largohen prej nesh; dhe, me kokën drejt të ardhmes, le të përshëndesim, të qetë dhe të zhytur në mendime, ardhjet e mëdha që na njoftojnë këto nisje të mëdha.”