Gjykata e Lezhës ka urdhëruar Prokurorinë të nisë hetimet ndaj kryebashkiakut të Mirditës, Ndrec Dedaj dhe zyrtarëve lokalë, Pjetër Pjetri dhe Gjet Shkurti. Ata janë paditur nga banorët e zonës së Kaçinarit për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Kjo është fitorja e parë e banorëve, të cilët prej 3 vitesh zhvillojnë betejën e tyre kundërt ndërtimit të HEC-ve, të cilat dëmtojnë mjedisin dhe lënë pa ujë për vaditje disa fshatra.
Kujtojmë se fillimisht procedimi penal u regjistrua në SPAK për veprat penale "Shpërdorim Detyre" dhe "Falsifikim Dokumentesh", pas kallëzimit të banorëve. SPAK kaloi çështjen për hetim në Prokurorinë e Lezhës. Kjo e fundit doli në konkluzionin se nuk ka elementë të veprës penale ndaj kërkoi pushimin e hetimeve. Këtë të enjte gjyqtari Artan Hajredinaj ka urdhëruar prokurorinë e Lezhës të hetojë të gjithë procedurën e ndjekur për dhënien e koncensionit për 5 hidrocentraleve në Kaçinar të Mirditës. Leja është dhënë në 2018, por kompania me administrator Ndue Shkurtin nuk është lejuar të nisë prej protestave të vazhdueshme të banorëve.