Lëreni Bashën të jetë 90 për qind me Ramën

25 Korrik 2020, 19:52| Përditesimi: 25 Korrik 2020, 19:55

  • Share

Gjatë mbledhjes së Këshillit Politik, Edi Rama ka pyetur Oerd Bylykbashin, se ku e kishte parë modelin e këtij koalicioni, që kemi ne në Shqipëri, prej vitit 2009. Bylykbashi i shpëtoi situatës duke thënë se e kishte lexuar në një libër te La Sapienza për sistemet elektorale.

Po dje Gjiknuri i kërkoi përsëri shpjegim të gjenin një model të ngjashëm si ky që duan të ruajnë dhe Bylykbashi i tha Letonia.

Letonia na fakt ka sistem propocional rajonal me lista të hapura dhe koalicione paraelektorale, por me listë të përbashkët. Siç i ka propozuar PS ndryshimet.

Pastaj në daljen në konferencën për shtyp, “trojka” e opozitës përmendi Kosovën.

Eshtë e njëjta histori. Edhe Kosova ka sistem propocional kombëtar me lista të hapura, me koalicione paralektorale me listë të përbashkët. Haradinaj u bë bashkë me socialdemokraët në një listë. Pacolli me Nismën në një listë. E kështu me radhë. Kështu i duan dhe socialistët koalicionet, si Letonia si Kosova, si Gjermania, si Franca, si Italia…Si gjithë bota.

Tani kjo tortura që socialistët i bëjnë PD-së që të gjejë një model si kolacioni që kërkon të ruajë, duhet të marrë fund, për shumë arsye.

Por mbi të gjitha edhe për arsyen, se PD me pranimin e listave të hapura, i ka dhënë Partisë Socialiste më shumë se sa plotësimi i një kërkese.

I ka dhënë së pari legjitimitetin e ndryshimeve kushtetuese. Deri para pak ditësh, jo vetëm ata që kërkonin hapjen e listave “ishin agjentë të Edi Ramës”, por mbi të gjitha “kush prekte Kushtetutën luante me zjarrin”. I vetmi argument procedural që kishte Ilir Meta dhe PD ishte se Kushtetuta nuk mund të preket një vit para zgjedhjeve dhe se po të prekej do merrte flakë vendi. Luli pati mirësinë të mos thoshte këtë radhë, që “do kalojnë mbi trupin tim”.

Tani që opozita e rrugës, u tërhoq nga kjo betejë, pra pranoi të ndryshohej Kushtetuta, por e ka të paqartë si e do koalicionin, me listë të përbashkët, apo listë të përbërë, nuk duhet të bëhemi kaq mizorë, të merremi gjithë ditën me gafat e tye.

Demokratët dhe socialistët bashkohen sot në së paku 90 për qind të ndryshimeve që duhet të bëhen për reformën zgjedhore, dhe për procedurën se si duhet të bëhen. Nuk është fundi i botës se nuk ranë dakord për një pikë. E rëndësishme është, që ata janë të përfshirë në këtë proces, dhe po japin idetë e tyre.

“Kalë beteje” këtu ishte procedura për ndryshimin e Kushtetutës dhe ky “kalë” u ndërrua gjatë betejës. Tani të tjerat janë thjeshtë debate.

Nga ana tjetër Lulzim Basha i ka dhënë Edi Ramës dhe një trofe jo aq të merituar, siç është beteja për hapjen e listave. Edhe pse Edi Rama ja pat lënë një vit më parë iniciativën Lulzim Bashës, të propozonte çfarë të donte, për reformën zgjedhore dhe ai ta firmoste, Basha nuk e udhëhoqi këtë proces, por u morr zvarrë prej Edi Ramës deri në fund. Dhe në fund pranoi dhe listat e hapura dhe po debaton për tipin e koalicionit.

Më 2017 ai pranoi të hiqeshin fare koalicionet, dhe nuk e pati problem. Tani koalicionet nuk do hiqen, por do jenë me një listë të përbashkët siç kanë qenë 20 vjet në Shqipëri dhe siç janë në gjithë botën.

Së fundmi duhet thënë se Basha po shpenzon energji dhe për të ruajtur imazhin e Ramës. Angazhimi i gjithë energjive politike për t’i mbushur mendjen popullit, se PS nuk do t’i hapi listat 100 për 100 është qesharak.

Hapja e listave sipas draftit të ndryshimeve kushtetuese është e detyrueshme të hapet jo më pak se  70 për qind. Kjo nuk ndalon askënd t’i hapë 100 për 100 dhe Basha ka rast ideal të diskreditojë Ramën, kur ti thotë: “Unë i hapa 100 për 100 të mijat, ti vetëm 70 për qind”.

Por për këtë duhet të presë deri sa të fillojnë zgjedhjet dhe të shikojë çfarë do bëjë Rama. Se ai vdes të bëjë surpriza.

Tani ky kujdesi i PD, që i qan hallin PS, pse si do listat 100 për 100 të hapura, në fakt tregon më shumë se ata duan të gjejnë një shkak të thonë “nuk i hapim as listat, se PS nuk i do 100 për 100”, pasi mundësia që jep ndryshimi kushtetues i jep mundësi secilit, të operojë sipas dëshirës në nivelin e hapjes. Se po ti linte lisat e hapura ku ta gjente këtë rast të artë, që t’ia kalonte së paku një herë Edi Ramës.

Qoftë dhe për këtë shkak më duket pa vend tortura që Edi Rama i bën PD, duke u tallur me debatin e tipit të koalicioneve apo nivelit të hapjes së listave.

Rama i ka marrë ato që ka dashur nga ky proces. Madje nga ky proces ne kemi dhe një President që është kthyer nga Haxhi Qamil, në anti- Haxhi Qamil dhe që ka pranuar që, Parlamenti “ilegjitim” mund të votojë Reformën Zgjedhore. Kemi një Kryetar opozite që është dakord të preket Kushtetuta për gjëra që ai do,… etj. Tani Basha vërtet i do listat 100 për 100 të hapura, por nuk ka pse të jetë 100 për 100 me Ramën në çdo gjë. 90 për qind boll është.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?