Sali Berisha

Lëreni Berishën në mbretërinë e tij 'Xuxu'

31 Mars 2022, 12:55| Përditesimi: 31 Mars 2022, 12:57

  • Share

Diku larg në Afrikë, ekziston akoma dhe sot e kësaj dite, një fis që e quan vehten “mbretëri” me emrin e çuditshëm “Xuxu”. Ata jetojnë në kasollet e tyre, kanë zgjedhur edhe një “mbret”, që edhe pse është plakur, edhe pse i ka rënë fuqia aq sa nuk mban dot në duart e tij heshtën, nuk pranon të largohet. Disa herë, atje në vendbanimin e fisit që bën jetë si në parahistori, kanë vajtur grupe xhirimi, kanë pyetur “mbretin” se “përse nuk rri i qetë, dhe postin e tij t’ja japë dikujt tjetër, pasi ishte plakur”. Por mbreti i “Xuxu”, e kupton, qesh, dhe thotë se “më duan gjithë anëtarët e fisit, nuk mund të largohem, i bindem dëshirës tyre”.

Tek shikoja intervistën e pazakontë të mbretit të fisit “Xuxu”, mu kujtua Berisha, kryetari i një partie politike në një vend në Europë. Mu kujtua dita kur u bë kryetar partie (mbret) dhe koha kur ka patur pushtet. Asnjë ndryshim nuk konstatova me mbretin e fisit “Xuxu” në Afrikën e largët, diku mes pyjeve të dendura tropikale. Ka mbi 7 muaj, që i janë vënë pas Sali Berishës, e përjashtuan, i kërkojnë të largohet nga partia, grupi parlamentar, nga selia, nga politika, i kërkojnë të mos rikandidojë më për kryetar, për ti lënë rrugën e lirë të rinjve, por më kot. Mbreti “Xuxu” në Shqipëri, ka vendosur të mos largohet, të mos dëgjojë njeri tjetër veç “votës së anëtarësisë”.

Partinë duke e trajtuar si “mbretërinë e tij”, po tenton të përjetësojë pushtetin brënda saj. Mendoj se duhet ta lëmë Berishën të mbretërojë në “Xuxu”-në e tij, derisa të zgjohen nga përgjumja, ata që ai i quan “anëtarësia ime”. Eshtë humbje kohe në fakt, të merresh me vendimin e SHBA-së, apo vendimin e strukturave të partisë tij, si dhe me reagimet e tjera që synojnë ribashkimin dhe rinovimin absolut të asaj force politike. Sali Berisha ka arritur ta fusë në kolaps total atë parti, aq sa do të duhen vite që ajo të rikthehet në forcë konkuruese dinjitoze. Një tjetër pasojë e pariparueshme, mbetet zbehja e rolit dhe fuqisë saj si opozitë.

Sali Berisha e ka kthyer tashmë, partinë e tij 20 vjet mbrapsh, në kohët e “arta” të tij. Ai është i lumturuar, pasi ka arritur të rikthehet, të rimarrë “frenat” e partisë, të rimarrë selinë, logon, vulën, zyrën, gjithçka mendonte se kishte humbur. Ai është rikthyer në “mbretërinë” e tij, dhe as mendon të largohet ndonjëherë prej saj, derisa e “do shumica e anëtarësisë”.Ndaj lëreni Sali Berishën, të qetë në “mbretërinë e tij “Xuxu”, dhe imagjinatën e tij të shfrenuar me rikthimin në pushtet……..

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?