I nderuar Shkëlqesia juaj Z. President,
Uroj që kjo letra ime tu mos u marr shumë kohë nga angazhimet e tuaj të rëndësishme kushtetuese në cilësinë e Presidentit të Republikës.
Detyra juaj kushtetuese, edhe pse zgjidheni nga Parlamenti duke qenë se jemi Republikë Parlamentare, ju qëndroni mbi palët, përfaqësoni Unitetin Kombëtar dhe garantoni respektimin e Kushtetutës dhe po ashtu mbroni interesat dhe të drejtat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, si brenda dhe jashtë vendit.
Kohët e fundit keni vizituar edhe arbëreshët që janë pjesë vitale e historinë dhe identitetit tonë kombëtar shqiptar.
Arbëreshët, janë dëshmia më e madhe e identiteti kombëtar, më e bukur dhe më e rrallë, që sado kalon koha, ajo mbetet e skalitur aty, në gjuhë, tradita, histori dhe kostume.
I nderuar Shkëlqesia juaj Zoti President, në raport me zgjedhjet, ju në kuptim kushtetutës nuk keni kompetenca të mëdha, përveçse të drejtën e dekretimit të datës. Megjithatë, roli juaj në raport me Kushtetutën dhe detyrën që keni është mbi palët, simbol i Unitetit Kombëtar dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.
Shqipëria ka prodhuar në mënyrë të vazhdueshme flukse emigrantësh nga fillimi i viteve ’90 e deri në ditët e sotme. Nuk dua të analizojmë arsyet e emigrimit, por kryesorja mbetet ajo ekonomike si pasojë e dështimit të klasës politik në këto vite të gjata tranzicioni për të ndërmarr politika suksese qeverisje sa here kanë pasur radhën dhe fatin që të qeverisin Atdheun.
Po ashtu, pa analizuar në detaje, kontributi i emigrantëve shqiptarë ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i vazhdueshëm për vendin sidomos me dërgesat e tyre duke ndihmuar seriozisht ekonomitë e familjeve shqiptare, urbanizimin e Shqipërisë dhe po ashtu edhe vetë ekonominë e Shqipërisë.
Edhe pse këto janë të dhëna të faktuara, emigrantëve ju mohohet e drejta bazë kushtetuese: e drejta për të votuar dhe për tu votuar aty ku janë. Pra, ku flasim për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë duhet të flasim edhe për të drejtën e tyre për të qenë të përfaqësuar në vendimmarrjen e vendit, jetën politike dhe në proceset demokratike të vendit.
Gjithashtu, tashmë kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që kërkon implementimin e të drejtës për të votuar të shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Në fakt, Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që nuk e ka bërë të mundur ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Absurditeti i këtij realiteti, në fakt antidemokratik ka krijuar situate absurditet që edhe ata që bëjnë pjesë në Shërbimin Diplomatik të Republikës ose të tjerë më funksione Ushtarake në Forumet e Nato-s nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Pra, në kushtet aktuale, nëse nuk shkojnë në ditën e votimeve në Shqipëri edhe pse përfaqësojnë në nivele të larta Republikën nuk mund të votojnë.
Shqiptarët që jetojnë janë pjesë vitale dhe pazëvendësueshme e interesit kombëtar, unitetit kombëtar dhe po ashtu të konfigurimit kombëtar.
I nderuar Shkëlqesia juaj Zoti President, duke qenë që përfaqësoni unitetin kombëtar dhe po ashtu interesin kombëtar, në cilësinë tuaj Kushtetuese duhet të kërkoni një takim me forcat politike në vend që të marrin angazhimin e tyre po kushtetuese për të gjetur një konsensus për implementimin e ushtrimit të drejtës të votës dhe të përfaqësimit për shqiptarët që jetojnë jashtë, të cilët pavarësisht se ku jetojnë kanë një lidhje të fortë juridike me Republikën përmes raportit të Shtetësisë dhe po ashtu një lidhje solide kombëtare me Atdheun për shkak të Kombësisë.
I nderuar Shkëlqesia Juaj Zoti President, shpresoj se kjo letra ime mos tu pengoj nga angazhimet e tuaj a Kushtetuese.
Me respekt
Alban Daci, emigrant