A ju ka ndodhur ndonjëherë që të emigroni? Të gjendeni në mes të detit në një gomone të mbushur me njerëz edhe me mafiozë, të cilët janë gati të të zhdukin. Keni gjetur për të ngrënë, një punë, apo një shtëpi ku të qëndroni? Kjo është historia e 41-vjeçarit nga Fieri, Eltjon Bida, i cili në romanin autobiografik “Ishte një herë një klandestin” në gjuhën italiane rrëfen aventurat e tij, nga momenti i nisjes nga Shqipëria para 25 vitesh, deri tek sukseset e tij në Itali.
“Kur flisja me shokët edhe shoqet e mia edhe se si kam ardhur në Itali, në thoshin të gjithë që duhet që ta shkruaja historinë time. Edhe në fakt ja dola. Libri nis që ditën e parë që u nisa. Ishte viti 1995. Nis me kontrabandierët, që takova për të bërë dokumentet false, por dështova. Kur u ktheva nga Vlora, i thashë tim eti, që nuk kthehem më atje. Nuk kam më të ardhme. Im at më ndihmoi. U nisa me gomone, udhëtimi zgjati katër orë. Në fillim nuk ke frikë fare, por kur je mes të detit mendon, “o kokë, çfarë më bëre”, shikon vetëm ujë, errësirë, edhe një dallgë të vijë dhe do të përfundoje në mes të detit. Në anën matanë na prisnin dy shqiptarë, na kërkuan lekë të tjera edhe më pas na çuan në magazinë”, shprehet Eljton Bida, autori i librit.
Ndonëse, ishte vetëm 17 vjeç kur mori udhën e emigrimit. I kujtohen edhe sot ndryshimet e para, që ka parë në shtetin fqinj.
“Kur isha mbi gomone u bëra pishman. Ndërsa, kur arrita në Itali ndjenja që kisha ishte shumë e madhe, sepse arrita në vendin që kam ëndërruar. Isha shumë i lumtur, aty pashë ndryshimin, pashë në atë kohë se si putheshin në rrugë një burrë e grua, që në Shqipëri kjo nuk ndodhte, plus pashë pastërtinë dhe edukatën. Më pëlqeu menjëherë Italia...”, shton Bida.
Sot Bida është babai i dy fëmijëve. Edhe pse nuk përfundoi dot as gjimnazin në vendin e tij, ai na tregon se flet 6 gjuhë të huaja. Prandaj nuk resht së thëni, se në asnjë vend të botës nuk ta mbyllë askush derën nëse ke dëshirë, që të punosh për të realizuar ëndrrat e tua.
“Në fillim Për disa vite kam punuar në ndërtim. Për 13 vjet punova si recepsionist në hotel. Në ditët e pushimit shkruaja librin. Derisa ja arrita qëllimit, që tani të shkruaj tërë ditën. (qesh) Unë them se nëse një emigrant lexon këtë libër, nga ajo që dëshmon, se “nëse sillesh mirë edhe të ke dëshirën për punë, mund të arrish të jesh një emigrant, që bën një jetë të lumtur”. Unë këtë e tregoj se çfarë ndodh, muaj pas muaj. Ëndrra ime është që emigrantët duke lexuar këtë libër, të mësojnë edhe si si mund të arrijnë të realizojnë një ëndërr...”, vijon ai.
Historia e Eltjon Bidës, i cili ka lind në fshatin Bashkim të Fierit, ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave italiane.