“Ku është Europianizmi? Është pyetja e tij sikundër është dhe liria e tij, ndaj nuk ka largim nga kjo pyetje për Kadarenë. Ai dëgjon atë dhe hedh sytë lart mbi bronzin e Skënderbeut. Pyetja flet andej dhe që prej muzgut të mbarsur ndryshe, brenda bronzit të tij. Ndërsa hoqi për më shumë se gjysmëmijëvjeçar vuatje dhe zi të patreguar, Europianizmi mblidhet një ditë dhe fshihet brenda të padukurës të Skënderbeut, tani një monument madhështor”. Duke shtruar hipotezat e tij kërkimore rreth veprës së Kadaresë në këtë mënyrë, Dr. Anastas Kapurani ka mbledhur të gjitha fijet lidhëse në gjithë krijimtarinë e Ismail Kadaresë që rrëfejë tiparin europianist të shqiptarëve.
Pasi ka bërë një udhëtim të mirëfilltë studimor, Kapurani ka zbuluar në tekstin dhe kompozimin letrar se bindja e europianizmit të gjithëkohshëm të shqiptarëve është edhe thelbi i krijimtarisë së tij. Studiuesi, mishërimin e thelbit europianist të shqiptarëve, e konsideron si vetë lirinë e fjalës së shkrimtarit, i cili vetëm nga ky pikëvështrim mund ta mbronte fjalën e tij edhe gjatë diktaturës.
“Përmes kësaj të çare zbulonjëse ngrihet tani liria e fjalës së penguar drejt e nga shtrati –pa shtrat i këtij abyss-i të humnershëm ndryshe. Por ajo largohet, jo thjesht që të largojë napën e këtij muzgu llahtarë. Ajo ngrohet që ta bëjë këtë napë copë e cikë dhe t’i hapë udhë që të vijë në dritë e gjithë e vërteta. Çfarë e bën lirinë fjalës së penguar një peshë të tillë dërrmonjëse. Kjo liri ka gjithë hapësirën që arti i madh kuturos të ketë. Ajo është prani sovrane që lëviz nga e këtushmja që kemi deri në agun e fillimit të madh.“, -shkruan studiuesi Anastas Kapurani, duke ndjekur lirshmërinë e shprehjes në dukje nëntekstuale të autorit tek “Piramida e Keopsit”, apo tek veprat e tjera si “Nëpunësi pallatit të ëndrrave”, “Ura me tri harqe” e të tjera e të tjera vepra në listën e gjatë të krijimtarisë së Kadaresë.
Duke komentuar temat, simbolet dhe figurat e shkrimtarit, studiuesi Kapurani bën një vëzhgim nga brenda të mendësië së shkrimtarit dhe kudo ndesh me argumentin se tërësia e veprave të Kadaresë trajton në mënyrë të pashmangshme temat e të sotmes dhe të së kaluarës europianiste të shqiptarëve. Kështjella, për shkrimtarin është vetë Europa.
Evokimi i urave të lashta, a nuk janë jo gjë tjetër veçse evokimi i lidhjeve që shqiptarët kanë me Europën. Baladat evokojnë apokalipsin që ka ndërprerë marrëdhëniet me Europën.
Perandoria Otomane, përhskruhet si gjëma më e madhe që ka tronditur rrënjët e Europianizmit. Por, nëse identiteti europian i shqiptarëve do studiohej nga Anastas Kapurani si një qëndrim ideologjik i Kadaresë në veprat e tij dhe jo si një e vërtetë që buron prej të gjitha strukturave të krijimtarisë, studimi do të ishte i dështuar. Teza e Kapuranit mbështetet në studimin e të gjitha strukturave të veprës, duke përfshirë fabulën, temën, personazhet, dialogun mes tyre dhe stilemat letrare e gjuhësore.
“Kjo e vërtetë zanafillore është e tërë liria e njeriut europian. Po qysh i qaset njeriu kësaj të vërtete. Duke shkelur me mundim dhe pa u ndalur nëpër shtegun që metafora parake çel. Shprehet autori, duke pasur parasysh pasqyrimin e fabulave kadareane në veprën letrare.
“Këtu është vendi ku edhe kryhet metamorfoza e vështirë e lirisë së fjalës së penguar, dhe kjo liri bëhet vetëdijë, e folurë, fjalë dhe i flet zemrës së njeriut: duke shkuar nëpër këtë shteg me dritë”, shkruan Kapurani.
Çështja e identitetit europian dhe mëria Qose-Kadare
Për lexuesin e Kadaresë është bërë tashmë e qartë se Kadareja ka qenë dhe është në kërkim të përkatësisë së kahershme të Shqipërisë në Europë, duke përbuzur, injoruar dhe satirizuar të gjitha ngjarjet historike që tronditën identitetin europian të shqiptarëve. Kjo bindje, e përforcuar nga kërkimet këmbëngulëse për fazat e lulëzimit dhe rënies së kombit shqiptar, e ka bërë Kadarenë që t’i mbajë sytë përherë nga Perëndimi, i bindur se ai vet dhe kombi i tij kanë një identitet europian të përcaktuar që në zanafillë të mijëvjeçarit.
Ky këndvështrim i Kadaresë për identitetin e shqiptarëve ka krijuar dhe një mëri të madhe me shkrimtarin dhe personalitetin e madh kosovar Rexhep Qosjen. Kadare ka kritikuar esenë e Rexhep Qosjes “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, ku Qosja është përpjekur të argumentojë se shqiptarët vetëm përgjysmë i përkasin qytetërimit europian.
Në këtë vepër, sipas Qosjes shqiptarët s’kanë pse të shtiren si europianë, ngaqë ata “i takojnë qytetërimit islamik, jo më pak se qytetërimit të krishterë”.
Kadare ka reaguar ashpër ndaj këtij përcaktimi të Qosjes, duke u shprehur se: “I turbullt, i cekët dhe i pasaktë, akademiku bie në kundërshtim me veten dhe shkrimet e tij të mëparshme ku ai me të drejtë, ka qenë ithtar i vendosur i tezës se atdheu është një, e fetë janë tri, pra, nuk janë fetë ato që kushtëzojnë identitetin, por tjetër gjë. E megjithatë, kur vjen puna për të vërtetuar europianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët “islamik” dhe “i krishterë” thua se një shqiptar i krishterë mund të jetë europian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi!”.
Libri i Anastas Kapuranit
Në 600 faqe studim, në librin “Kadare, liria e fjalës së penguar”, botuar nga “Albas”, Dr. Anastas Kapurani ka “investiguar” kërkimet letrare të Kadaresë ku ka zbuluar një prirje të qartë për të përcaktuar identitetin e pandërprerë europian të shqiptarëve. Në të vërtetë në veprën e Kadaresë, personazhet nuk kanë një orientim të prerë fetar, qoftë myslimani Ebu Qerimi tek “Pallati i ëndrrave” apo Stresi tek “Kush e solli Doruntinën” janë përherë të veshur me një histori e ngjarje të atillë që ka një lidhje gjithëkohore e shkakësore me Europën. Të jetë kjo një këmbëngulje apo kokëfortësi e Kadaresë për ta parë çështjen në këtë mënyrë?
Sipas Dr. Kapuranit, metafora e veprës është një energji e shkrimtarit që e tejkalon bindjen individuale të tij. Është një mekanizëm që zbulon në thellësi se çfarë fshihet në sipërfaqen e ngjarjeve. Dr. Kapurani shprehet se
“Metafora është kjo energji e paepur dhe kjo është bota që kjo metaforë edhe i jep trajtë edhe i hap udhë të vijë në dritë që prej muzgut të harresës.” Po pse duhet marrë si një e vërtetë dhe me peshë historike ajo që zbulohet prej metaforës. Dr. Kapurani e studion metaforën e Kadaresë si një proces që nuk ndërpritet me mbylljen e siparit të veprës. Kështu që imazhi i metaforës vjen i plotë në dritë. Po cila është mençuria që na flet që prej shtegut të së vërtetës që metafora hap?
Kapurani ka një përgjigje edhe për këtë:
”Metafora thotë në thelb një gjë: asnjë e vërtetë nuk është ndonjëherë e gjithë e vërteta. Drita zbulonjëse që ndrin në shtegun e metaforës është atje vetëm që të shënjojë ndaj një të vërtete edhe më të madh që vazhdon të mbetet e fshehur në muzgun e harresës. Kjo është mençuria, pus e thellë e energjisë shkatërronjëse të metaforës dhe kjo është e Thënuara që vjen që prej gjirit të saj të zjarrtë. Si kjo e Thënurë themeltare dhe si kjo mençuri udhërrëfyese, metafora parake hap rrugë kah së vërtetës dhe ndaj është shtati shkëmb i lirisë tjetër lloj. Kjo liri mblidhet brenda Europianizmës dhe bëhet atje i tërë shpirti i saj me dritë dhe vetë qenia e gjuhës së saj”. Shkruan Kapurani. Liria e Ismail Kadaresë si shkrimtar sipas studiuesit Kapurani është pikërisht përbrenda europianizmit për të cilin Kadare këmbëngul se është thelbi i identitetit të shqiptarëve dhe një zinxhir i pakëputur për më shumë se 500 vjet.