Bashkia Shkodër ka mbajtur këtë të enjte konferencën e parë të partnereve në kuadër të iniciativës "Shkodra N’Fokus", ku mori pjesë, Francesco Faccio, drejtori i Akademisë "Comau", lider botëror në robotikë dhe inovacion industrial.
Faccio tha se "kemi shumë për zemër këtë projekt në Shkodër aq sa jemi të gatshëm të kontribuojmë edhe në financimin e projekteve inovative në teknologji në Shkodër".
Gjatë kësaj konference, ekspertët e Bashkisë Shkodër kanë paraqitur para donatorëve 18 projekte, të cilat janë gati për financim në territorin e Bashkisë Shkodër.
Kryebashkiaku Bardh Spahia, u shpreh se "“Shkodra n’Fokus” do të thotë një qytet që nuk largon, por fton të rinjtë të punojnë, të jetojnë këtu për ta bërë qytetin tonë të dashur akoma më të mirë. Është hera e parë për mua që i drejtohem një audience të tillë me qëllimin për të bërë bashkë sa më shumë miq vendas dhe të huaj për Shkodrën. Miq, të cilët, shpresoj, se do të na japin besim e mbështetje për të çuar përpara projektet tona".
Kjo konference që zhvillohet për herë të parë në Shkodër ka si qëllim gjetjen e urave të bashkëpunimit me ministritë e linjës, donatorë, ambasada të huaja që operojnë në Shqipëri, bizneset, me qëllim gjetjen e formave të financimit të projekteve prioritare të hartuara nga Bashkia e Shkodrës.