Edi Rama, Fatos Nano dhe Sali Berisha

Opinion

Lideri dhe numri 'dy', dallimi thelbësor mes PS-së dhe PD-së

12 Qershor 2021, 18:38| Përditesimi: 12 Qershor 2021, 18:41

  • Share

Nëse kryeministri aktual Edi Rama nuk do të ishte përjashtuar nga PD-ja kur u bë pjesë në ditët e para të lindjes së saj, sot me siguri, s’do të kishte “Rilindje” as në PS dhe as në Shqipëri.

Sot shumë njerëz të mërzitur nga politika e tranzicionit të tejzgjatur, të zhgënjyerit me të gjitha forcat politike, besojnë se të gjithë politikanët tanë janë njësoj, partitë po ashtu; ato nuk dallojnë fare nga njëra-tjetra. Madje ka nga ata që besojnë se edhe politikanët janë bërë bashkë dhe e mbajnë shumë mirë pushtetin ekonomik, duke u alternuar një herë në tetë vite.  Disa “analistë” recitojnë’  bukur fjalimet e liderit historik, duke pretenduar, se po i japin leksione publikut, prandaj shprehin habi sot se pse ky ‘alternim’  nuk u përmbush nën udhëheqjen e PS-së nga Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për ‘masakër zgjedhore’, pavarësisht heshtjes së organeve kompetente.

Megjithatë, jo për nga arritjet sesi Shqipëria u bë dikur pjesë e NATO-s ose e Traktatit të Varshavës, por nga demokracia e brendshme, koncepti dhe filozofia mbi liderin si dhe për njerëzit që zgjidhen në strukturat më të larta drejtuese, PS-ja dhe PD-ja dallojnë dukshëm karshi njëra-tjetrës.

Partia Socialiste mbledh sot Kongresin, në një përvjetor të veçantë të saj. Kur u nda 30 vjet më parë nga e kaluara komuniste, për të nisur reformimin me kalimin e viteve në një parti të modelit të së majtës europiane, as lideri i saj i parë, Fatos Nano, nuk do ta kishte besuar se në tre dekada PS-së do t’i besohej qeverisja e vendit, për pesë mandate (dy nën udhëheqjen e tij dhe tre të fundit nën udhëheqjen e Edi Ramës).

Ky skepticizëm, ndonëse Partia Demokratike mori një mbështetje popullore në vitin 1992 dhe kishte mbështetje të gjerë ndërkombëtare, nuk zgjati shumë. Nuk zgjati as 6 muaj! PD-ja humbi zgjedhjet lokale, pastaj burgosi nën akuzë për korrupsion kreun e PS-së (i pari dhe i fundit politikan i dënuar në tre dekada i cili fitoi më vonë pafajësinë), dhe kur humbi referendumin e ‘94, ndoshta nga frika e humbjes së pushtetit, pa mundur dot të ngrejë një model të qartë ekonomik që mungon edhe sot e kësaj dite, lejoi firmat piramidale për “të pasuruar dhe lumturuar shqiptarët” në kohë rekord. Mirëpo sërish nga pasiguria për të mbajtur pushtetin dhunoi zgjedhjet e 1996-ës, sipas vlerësimit të ndërkombëtarëve aq sa humbi edhe besimin e tyre, duke e dorëzuar  pushtetin pas trazirave të ’97.

Ajo që i dallon qartazi PS-në nga PD-ja është krahasimi thelbësor mes drejtuesve të tyre, sesi ato kanë reaguar pas humbjes së zgjedhjeve. Vetëm njëra prej dy partive të mëdha nuk e ka diskutuar kurrë liderin, madje në tërë historinë e saj nuk ka mundur dot të gjejë kurrë dot as një numër “dy”, apo disa anëtarë me peshë që të mbeten aty, si pika referimi të një partie të madhe.

Faktet historike janë të freskëta. PS-ja e udhëhequr nga Nano rikthehet shpejt në pushtet dhe një vit më pas ekipit qeverisës së socialistëve do t’i bashkohej ai i cili do të merrte më vonë drejtimin e saj, Edi Rama. Gjatë qeverisjes së parë të socialistëve, Fatos Nano pati përplasje të shumta dhe të ashpra me kundërshtarët politikë. Betejë të ashpër ai pati edhe brenda radhëve të tij. Për të shmangur tensionet, para dhe gjatë mandatit të parë, me pëlqimin e Nanos,  Shqipëria nxori tre kryeministra, Bashkim Finon, Ilir Metën dhe Pandeli Majkon. Pas përplasjeve me Ilir Metën, ky i fundit krijoi fraksion dhe parti të re, dhe besohet se kjo krisje ndikoi në humbjen e dytë të PS-në, pas asaj që pritej në vitin ‘92. Pas tetë vjet në opozitë, me një lider të ri, PS e bindi sërish Metën për të rikthyer të majtën në pushtet. Lideri alternativ  i dalë nga PS-ja bashkëqeverisi në mandatin e parë me PS-në dhe me votat e së majtës është aktualisht President i Republikës (ai sapo u shkarkua nga Kuvendi falë votave dhe vullnetit të deputetëve, që dolën nga listat e partive të opozitës).

Pas dy mandateve dhe dorëzimit të pushtetit me largimin e Fatos Nanos, PS e zgjodhi ndryshe nga PD-ja liderishipin e saj të ri, pasi, ai jo vetëm nuk mori dot bekimin e liderit historik, por u përball me kritika të forta prej tij. Senatorët e përjetshëm të kësaj partie, ose numrat “dy”, Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Rexhep Mejdani etj (përfshirë edhe të ndjerë si Dritëro Agolli, Bashkim Fino), me ose pa kritika mbetën përjetësisht pjesë e debatit brenda PS-së.

Por, pavarësisht kritikave ndaj pasardhësit, me pëlqimin e Edi Ramës siç e pranoi ky i fundit, edhe lideri historik Fatos Nano do të rikthehej për të kontribuar tek e njëjta parti.

Në 30 vite ka pasur shumë përplasje brenda llojit, por pak drejtues të lartë dhe ish-ministra i janë larguar PS-së. Ndër të paktët dhe më të spikaturit është Kastriot Islami. E kritikuan lidershipin, krijuan parti të tjera ose jo, emra me peshë dhe me kontribut në PS, të vjetër dhe të rinj, si Arta Dade, Ben Blushi, Petro Koçi, Ditmir Bushati, Pandeli Majko etj, ose ikën nga politika, ose mbetën aty.

Si ndryshim, Partia Demokratike gjatë qeverisjes së saj, në të dy periudhat post-komuniste, e ka udhëhequr vendin me të njëjtin emër dhe stil lidershipi. Te kjo parti numri dy është konsideruar gjithmonë formal. “Gara” e pretenduar apo edhe e promovuar si shumë demokratike krahasuar me rivalët, nga analistë që recitojnë thjesht lidershipin, ngre jo vetëm pikëpyetje të shumta, por faktet tregojnë të kundërtën, lidhur me demokratizimin e saj. Dhe nëse

PD-ja nuk pëlqen dot numrin “dy” , si mund t’i gjejë numrat e tjerë! Zgjedhjet për kryetarin e ri do të mbahet nesër. Nuk diskutohet rikonfirmimi i Lulzim Bashës, pasi rizgjedhja e tij është e sigurt, ndërsa entuziazmi për mundësinë e rikthimit të ish liderit historik, Sali Berisha, pas një sinjali që dha ky i fundit, tregon frymën me të cilën është ngritur PD, me gjasë për të trembur para zgjedhjeve garuesit ose çdokënd që kalon “kufirin”, se aty nuk diskutohet njëshi, aty mungon numri “dy”.

Pikërisht nga fryma mbi të cilën është ngritur dhe sesi ka funksionuar PD-ja, Basha mbetet sot alternativa e vetme dhe më e mirë që afron PD-ja për t’a udhëhequr sërish këtë parti. Sepse, pranohet gjerësisht, aty askush nuk bën karrierë pa marrë “bekimin” e liderit historik. E ngritur mbi këto parime, partia është vetë udhëheqësi dhe vetë elektorati dhe vetëm ai e di, secili nga rivalët e Bashës në parti, do ta ketë të pamundur të udhëheqë deputetët e dalë nga listat e zgjedhjeve të fundit.

Ata në fakt janë pushteti i vetëm i PD-së sot. Rreth 60 deputetë të zgjedhur më 25 prill, me mbështetësit e tyre në PD që janë pjesa më e madhe e anëtarësisë, kanë në dorë fatin e kryetarit të ri. Kështu, zgjedhjet për kryetarin e ri në PD, do të ishte mirë të mos mbaheshin fare.

Sfida e Bashës do të jetë, që të mbajë pas 13 qershorit në parti emrat që kërkojnë ta sfidojnë, si Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.  Pas zgjedhjeve, qoftë edhe nëse njëri prej tyre largohet ose krijon fraksion, PD-ja mund të përballet me një tjetër goditje: nëse nuk llogarit rrezikun e largimit të senatorëve të tjerë të pakënaqur me drejtimin e saj, si Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Arben Imami, Genc Ruli etj, çka do të ndikojë në tkurrjen e mëtejshme të kësaj partie.

Sfida më e madhe e PD-së, nëse i duhet të zgjedhë mes reformimit dhe deformimit, është që të zgjedhë mes lidershipit dhe demokracisë së brendshme. A duhet të ketë lidershipi respekt për numrin “dy” dhe për senatorët që kanë dhënë kontribut, për njerëzit që kanë mbajtur dhe kanë peshë aktualisht në parti, të tjerë dhe të rinj me energji dhe potencial, pavarësisht nëse ata ngrenë kritika me stilin e udhëheqjes ose nuk pajtohen me modelin e “lidershipit”. Alergjia që ka shoqëruar udhëheqjen e PD-së që prej krijimit ndaj kriticizimit karshi “liderit legjendar”, e bën këtë parti të  mos e njohë kurrë dhe të mos pajtohet me një numër “dy”.

Vetëm në zgjedhjet e fundit, ish-drejtues të lartë, numra “dy” të PD-së, ose ish-deputetë me peshë, si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Muslim Murrizi dhe Rudina Hajdari, konkurruan me parti të reja, në “opozitë me opozitën”. Ish-ministrat më jetëgjatë dhe me më tepër peshë në radhët e PD-së, si Ritvan Bode, Majlinda Bregu, Genc Ruli etj, ose iu bashkuan politikave qeverisë të PS-së, ose u larguan nga angazhimi i partisë së tyre. Më herët kanë ikur, kanë krijuar fraksion ata që konsideroheshin numri “dy”, bashkëthemelues ose emra që kanë mbajtur me postet më të larta në radhët e PD-së, si Bamir Topi, Eduart Selami, Genc Pollo, Tritan Shehu etj. Akoma më herët kanë ikur për mungesë fryme Neritan Ceka, Arben Imami, Preç Zogaj, Spartak Ngjela etj. Po ashtu, disa nga numrat “dy”, ose bashkëthemelues, pretendentë për të marrë drejtimin e PD-së ndër vite, si Gramoz Pashko, Azem Hajdari, ose Sokol Oldashi, e mbyllën karrierën pas një fati tragjik.

Mbi këtë këndvështrim PS-ja, sot në Kongres, po ashtu edhe nga ky dallim thelbësor prej partisë rivale,  po i krijon terren të ardhmes së saj “post-Rama”, lidershipit të ri, si dhe numrave “dy” të cilët do të mbajnë peshën e saj. Erion Veliaj besohet se po ‘stërvitet’ në udhëheqjen aktuale të bashkisë së Tiranës, për të qenë ai pasues i lidershipit të PS-së. Pavarësisht disa kontradiktave që Veliaj ka pasur deri tani me Ramën, PS-ja si ndryshim nga PD-ja, ka edhe numra “dy” për të mos e diskutuar kurrë liderin, garën dhe debatin e brendshëm. Pra, PS, beson ndryshe nga filozofia aktuale e PD-së se nuk demokratizohet partia duke e zbuluar dhe e zgjedhur liderin brenda një muaji, përmes zgjedhjeve formale.

Nuk është fjala për Gramoz Ruçin, nëse i referohemi kryetarit aktual të Kuvendit, i cili nuk mbajti asnjë post për më shumë se dy dekada dhe mbeti në parti si një nga numrat “dy të përjetshëm” të saj, edhe kur partia ndryshoi frymë dhe emra kryetarësh.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?