Më në fund media arriti ta kapë Bashën e ti marrë një intervistë. Pas udhëtimit të tij nga Holanda në Belgjikë, kreu i PD arrin të bëhet pjesë e kronikës mediatike shqiptare pas kaq kohë mungese. U desh të bëhej sebep kongresi i Partive Popullore që u zhvillua në Bruksel që Basha të futej sërish në fokusin e kamerës. Kishte shumë ditë që kreu i opozitës nuk ishte ndier. Që përtej zyrtarizmit të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit nga KQZ e për të cilat nuk dha asnjë koment, ashtu dhe për zhvillimet e mëtejshme në vend. Bashkë me ikjen e Bashës në Holandë dukej që dhe selia blu e kishte marrë pushim, pasi nuk ka patur deklarata apo qëndrime zyrtare. Siç duket partisë i është lënë detyrë të vijojë të mbledhin prova për masakrën zgjedhore ndërsa kryetari i PD ndodhet me pushime të zgjatura jashtë shtetit.
Vetëm ditën e kaluar pati një cicërimë të Bashës për tragjedinë në Velipojë ku natyrisht thjesht do të bënte lidhjen e krimit me politikën dhe vetëm kaq. Në këtë aspekt, prononcimi parë mediatik pas kaq kohësh i liderit të opozitës padyshim paraqet interes. Por ndërsa ndjek intervistën duket sikur po flet ndonjë vëzhgues i huaj i cili jep gjykime për ngjarjet në Shqipëri. Basha flet dhe për mbështetjen e madhe që ka nga Partitë Popullore dhe mbi këtë bazë PD do të vijojë përpjekjet e saj për demokracinë në vend. Po kaq i ftohtë sa një burokrat i Brukselit, Basha tregohet edhe për çështjen integrimit të vendit në familjen evropiane. “Burokracia e BE ka mënyrën e saj si i përcjell mesazhet”, shprehet Basha ndërsa komenton mos arritjen e një date konkrete për Konferencën Ndërqeveritare për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Në këtë logjikë, sipas kreut të opozitës shqiptare, nuk qenka bërë pengesë as vetoja e Bullgarisë, por thjesht cënimi i parimeve demokratike nga maxhoranca dhe deformimi i rezultatit të zgjedhjeve. Nuk dihet nëse e ka mësuar dhe vendimin e parlamentit të Holandës për t'i dhënë mbështetje Shqipërisë në çështjen e integrimit përderisa konsideron se janë bërë përparime në drejtim të demokratizimit të vendit dhe luftës kundër krimit e korrupsionit, por për këtë çështje kryetari i PD nuk ka asnjë prononcim. Mesa duket ka qene me pushime të thella dhe kaseta është rindezur sërish tek tema e masakrës zgjedhore.