'Ligjet' ngrihet nënkomisioni për vakancat në KLP e KLGJ, Alibeaj: Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK

21 Maj, 10:34| Përditesimi: 21 Maj, 13:08

  • Share

Kuvendi ka rinisur këtë të martë procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve nga radhët e avokatisë dhe shoqërisë civile për plotësimin e 3 vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 3 vendeve vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Komisioni i Ligjeve votoi ngritjen e nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së, me anëtarët socialistë Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi, ndërsa nga radhët e opozitës Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi.

Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, në komisionin e Ligjeve, teksa po diskutohej për ngritjen e nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së akuzoi mazhorancën se po tenton që të emërojë në drejtësi njerëzit e saj me qëllim për të kapur SPAK.

‘Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka skualifikuar 6 kandidatë. Në pamje të parë ka një gjë ose Avokati i Popullit ka dështuar për të vlerësuar kriteret e kushtet dokumentacionit, ose sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, një vartës i mazhorancës, në një kohë shumë të shkurtër ka vepruar politikisht. Nga analiza sesi parlamenti i është qasur sistemit gjyqësor kjo është një lëvizje politikisht e orientuar atë që ka ekzekutuar Sekretari i Përgjithshëm. 

Kjo tregon se cila është qasja juaj me sistemin e pavarur. Vazhdon e njëjta histori për të kapur organet e drejtësisë. Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm spastrohen ato që nuk janë në oborrin e mazhorancës dhe lihen ata që nuk janë në oborrin e mazhorancës. Janë shkualifikuar 4 nga kandidatët që Avokati i Popullit i ka renditur me pikë më lart. Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK'- tha Alibeaj.

Megjithatë nënkomisioni i ngritur ka të drejtë që me 4 vota të rikthejë në garë kandidatët e skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Kur mungon konsensusi, emrat nga lista zgjidhen me short dhe nëse Kuvendi dështon në 3 votime radhazi që të zgjedhë me 84 vota anëtarët e rinj të KLGJ-së e KLP-së, quhen automatikisht të emëruar ata që shorti i ka zgjedhur për raundin e tretë.

Kuvendi ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve nga radhët e avokatisë, për plotësimin e 2 vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 2 vendeve vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Lista përfundimtare u publikua të hënën 20 maj dhe janë skualifikuar nga gara 6 kandidatë duke ndryshuar dhe listën renditëse të pikëzimit të bërë nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Avokati i Popullit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjonçaj ka skualifikuar nga gara kandidatët Përparim Kalo, Alban Alimema, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj dhe Alban Tushe.

Në listën përfundimtare që i paraqitet Komisionit të Ligjeve, nga e cila do të përzgjidhen 2 anëtarët e rinj në KLGJ në vendin e parë renditet Eris Hysi e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola. Ndërsa listën e kandidatëve për dy vende në KLP e kryeson Erind Mërkuri ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola.

Dispozitat ligjore parashikojnë që 4 kandidatët për 2 vende vakante në KLGj dhe 2 në KLP i nënshtrohen votimit në seancë plenare pasi zgjidhen nga kjo listë me konsensus politik (4 vota pro) nga 5 anëtarët e nënkomisionin të ligjeve.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?