Ligji i ndalon, fishekzjarrët shiten fshehurazi! Report Tv vëzhgon disa dyqane në Tiranë teksa festat e fundvitit po afrojnë

16 Dhjetor 2021, 16:46| Përditesimi: 16 Dhjetor 2021, 16:53

  • Share

“I mbaj këtu poshtë tavolinës tek cepi. Ajo kushtin 3 mijë lekë copa. Edhe këto 3 mijë lekë”, thotë shitësi ndërsa nxjerr fishekzjarrët nga poshtë tavolinës.

Në këtë mënyrë, fshehur poshtë tavolinës në një dyqan të vogël në Tiranë, ky zotëri nuk është i vetmi që tregton lëndë piroteknike, edhe pse prej 3 vitesh ndalohen ligjërisht.

“I mbaj në një vend, pak. Këto janë mbeturina magazinash, nuk ka më, nuk kanë mbetur më. Po të kishte më shumë, do kisha nga ato të trashat, të mirat fare”, vijon shitësi.

Vite më parë fishekzjarrët dhe kapsollat që fëmijët shqiptarë i blinin ende pa hyrë dhjetori, i sillnin fitime të shumta, por sot ky tregtar e ka të vështirë edhe t’i sigurojë për t’i shitur.

Në një komunikim publik, të ngjashëm dhe të përsëritur me ata të viteve më parë, Policia e Shtetit tha se ka hartuar plan masash për të ndalur tregtimin e lëndëve piroteknike.

“Plane të përbashkëta inspektimi dhe kontrolli të befasishëm në të gjitha subjektet e licencuara për magazinimin, tregtimin dhe përdorimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Do të përballen me ligjin”, deklaroi drejtori i rendit publik Ylli Vasili.

Në Shqipëri, prej dhjetorit 2018 ndalohet importi, eksporti, magazinimi, shitja dhe përdorimi i të gjitha substancave piroteknike dhe fishekzjarrëve, përjashtuar subjeket e licencuara për raste specifike. Megjithatë, nata e ndërrimit të viteve vijon t’i gjejë shqiptarët në sheshe e dritaret e shtëpive, duke hedhur fishekzjarrë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?