'Lin Delija në shtëpi', ekspozita në Shkodër 25 vjet pas vdekjes

10 Mars 2019, 08:23| Përditesimi: 10 Mars 2019, 08:45

  • Share

Lin Delija në ditët e sotme dhe natyrisht, në këtë 9 mars, do të jetë përsëri në shtëpinë e tij, në Shkodrën e mrekullueshme dhe madje në mjedisin e tij më të parë, në hapësirën katolike ose në Muzeun Dioqezian në Shkodër. 

Tom Delija, moderatori i ekspozitës me titull “Lin Delija në shtëpi” e organizuar nga Kisha Katolike në Shqipëri, Shkodër dhe Shoqata Lin Delija në Shkodër, shprehet entuziast për bashkëpunimin me Shoqatën Kulturore "Lin Delija, në Antrodoko, pranë Romës dhe me Armando Nicoletti-n, iniciator i përhershëm dhe mik i piktorit shqiptar, në Antrodoko. Ekspozita, me prezantimin e vizatimeve dhe skicave të Lin Delisë, të cilat janë portrete e figura të shumta e të njohura të qytetit ku jetoi, Antrodoko janë të ardhura enkas për të krijuar atmosferën figurative në Muzeun Dioqezian. Ekspozita përmbush qëllimin e gjithkaherëshëm të prezantimit në vazhdimësi të veprave të Lin Delisë dhe mbajtjen gjallë, në kujtesën qytetare shkodrane e, asaj përfshirëse shqiptare, si dhe në memorien e arteve pamore të punës dhe emrit të piktorit, jeta e të cilit kaloi përmes kalvarit të vuajtjeve shpirtërore e artistike.  

Nga prilli 1994, kanë kaluar 25 vite, që artisti shqiptar, i cili banoi e jetoi në Antrodoko nuk jeton, por përpjekjet për ta bërë të njohur krijimtarinë dhe filozofinë e tij të jetës, për të mbijetuar në mes të besimit fetar dhe besimit në pikturë, vazhdojnë pandërprerje. Antrodoko, Tirana dhe Shkodra janë pikbaza të shëndetshme, ku arti i tij i paraqitet publikut shqiptarë, prej dhjetë vitesh. Dhe është fat i lumë që institucione dhe njerëz, në ditët e sotme, janë të lidhur fort me personalitetin, jetën dhe artin e tij. Antrodoko i ruan emrin, veprën dhe pamjen e tij me qeleshen e shqiptarit si të një artisti shenjtor, pasi e gjithë ajo krahinë lidhet ngushtësisht me kujtesën mbi artistin.

Ai me mendje kah atdheu, kryesisht kah Shkodra, në heshtje kah familja që u persekutua egërsisht, ndërtoi një akademi arti, krijoi me qindra telajo në pikturë, udhëtoi në trena duke skicuar e vizatuar portrete e figura të bashkudhëtarëve të tij të jetës. Arti i Lin Delisë gjendet sot në një muze serioz, i cilësuar "Carlo Cessi e Lin Delija", në Antrodoko. Ai u ndërtua me besimin e sigurt të shtetit italian se po i jepte vend nderi një piktori shqiptar e profesionist, që meditoi si një artist europian në Antrodokon me qiell e ujë të pastër. Lin Delija i ka lënë trashëgimi atij qyteti, ku atmosfera figurative e njeriut dhe mjedisit tingëllojnë qartë. Ato ruhen me dashuri dhe respekt nga qytetarët antrodokanë. Qyteti dhe banorët e kthyen në një personazh të njohur dhe në një personalitet, për artin, temat, subjekte dhe jetën e të cilit flitet në shkollat e këtij vendbanimi italian.

Lin Delija me artin e vet i përket artistëve të artit modern figurativ të shek. XX. E gjithë pamja e artit të tij u zhvillua nën aureolën e fizionomisë së jetës vetjake.  Ai u lidh aq shumë me të sa dallojmë dhe dy arsyet objektive në shkak të saj. Së pari ai ishte një artist i huaj në një vend të huaj dhe së dyti ai pikturoi i mbështetur figurativisht dhe ideologjikisht në dy hapësira të fenomeneve njerëzore. Hapësira e parë i përket edukimit të tij me besimin katolik dhe i kushtoi vepra të shumta sakrale-pra me subjekt shenjtëror ose thjeshtë fetar. Ai në rininë e vet ishte i veshur dhe i betuar si student françeskan. Me pikturimin e sakrales tregoi se nuk e tradhtoi askurrë besimin e tij. Ato janë vepra madhore në artin e vet, pasi shprehen qartë për vazhdimësinë e kësaj teme të hershme në historinë njerëzore. Nëse arti bizantin i Mesjetës dhe arti klasik i Rilindjes europiane theksuan vazhdimisht heronjtë dhe skenat biblike, Lin Delija i vazhdoi ato, duke i`u dhënë një këndvështrim të kohës që jetoi, duke i`u dhënë koherencën e ngjyrave, materialitetin dhe jehonën e stileve moderne të shek. XX. Në këtë arsye bëhet një nga vazhduesit e trajtimit të subjekteve sakrale të kohës moderne të jetës së tij.  Portreti i Krishtit i gjendur në Muzeun a Artit të Vatikanit, është një shprehje e gjallë e krijimit plot energji emocionale ndaj kësaj figure madhore, si një subjekt i shenjtë kryesor.

Hapësira e dytë i përket të gjitha ndjesive figurative, të cilat i zbulojmë në pikturat ku zënë vend temat e jetës së përditshme, ku subjekte, personazhe, e fizionomi shqiptarë e italianë referojnë gjallëri e lëvizje të ndërthurura bashkërisht. Ato shprehin ekspresivisht jetën në rrugë të gruas dhe të burrit. Skenat befasuese të kafeneve, të teatrove, të vagonëve të trenave, të danseve në eksteriere, figurat elegante të grave plot emocion artistik, apo figurat e njerëzve të njohur e të zakonshëm të kthyer në shenjtorë. Shumë tema të tjera të inkorporuara në subjekte e personazhe janë një impresion i veçantë, janë një gjuhë vetjake e Lin Delisë, janë një jetë në penela e ngjyra në studion e tij, por edhe në studion e madhe të jetës së zakonshme, ku shpesh herë iu vesh petkun sakral. Ai e shpenzoi jetën krijuese për të pasqyruar njeriun në lëvizje, në pamje, në atmosferë, duke i zbuluar portretin moral dhe aktiv të ndryshimeve të veta.

Lin Delija i përket atij lloj artisti që "Nëse dikush mund të bëjë diçka, pikturën e bën edhe më mirë…". Me këtë besim shprehet kritiku amerikan i artit të shek. XX Leo Steinberg, pasi kishte dashuri dhe nderim për aftësitë e arteve pamore. Ai mendonte se “Ata jo vetëm pasqyrojnë jetën, por ata e bëjnë jetën. Ai gjithashtu besonte se artistët modernë ishin më shumë të shqetësuar në krijimin e një arti të mirë sesa rreth shpenzimit të jetës mbi kanavacë". Kjo e bëri atë t’i shqyrtonte veprat e artit me shumë seriozitet, duke i parë në kontekstin kulturor të kohës kur ishin krijuar, si dhe duke e shëmbëllyer me të gjithë historinë e artit. Por Lin Delija-artisti figurativ, ekspresiv në penelatë, shpesh herë elegant dhe i lëngshëm në ngjyrë, disa herë i ashpër me të, kur subjekti i përket dhimbjeve njerëzore, shprehet në "kundërshtim" me Leo Steinberg, pasi ai me vetminë e një të huaji e shpenzoi jetën e tij i shqetësuar mbi kanavacë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në fillim të viteve 40 studentët shqiptarë u kthyen në Shqipëri, pasi shumë prej tyre e lidhën aso kohe jetën me Luftën Nacionalçlirimtare që drejtohej nga PKSh-ja. Ndokush mbeti jashtë kufijve të saj, por disa syresh që u kthyen u bënë aktivë të drejtpërdrejtë në këtë luftë, si dhe të tjerë u bënë reformatorë të artit të ri apo të metodës së Realizmit Socialist. Metoda gjeneroi brenda Shqipërisë situata krejt absurde, të trishta dhe të frikshme për mjedisin artistik.

Lin Delija u arratis. Ai ishte student françeskan i kuvendit “Gjuhadol” në Shkodër, u rrit në një familje punëtore. Gjatë viteve 1945–1950, ai bashkë me mjedisin e madh fetar të Shkodrës u dhunuan. Kur ishte në shërbimin ushtarak, nga frika e burgosjes apo e ekzekutimit fizik u arratis drejt Jugosllavisë, e më pas nga Jugosllavia udhëtoi drejt Italisë, ku u diplomua në Akademinë e Romës. U vendos në Antrodoko dhe në vitet 80 u bë i njohur. Lin Delija ishte piktor ekspresiv e modern. Subjektet hyjnore i trajtoi me frymën e jetës së përditshme. Deri në vitet 90, kohë kur ra sistemi komunist, familja e tij në Shqipëri vuajti nëpër internime.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?