Adriatik Llalla dhe SPAK

“Llalla”, nga mllefi në indiferencë dhe SPAK që nuk kap dot as “peshqit e mëdhenj” në …akuarium

7 Dhjetor 2020, 14:23| Përditesimi: 7 Dhjetor 2020, 14:25

  • Share

Kur lexon sekuestrot me emrin e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, mllefi i lë vendin inatit, inati zëvendësohet me dëshpërim, dëshpërimi me trishtim e trishtimi me indiferencë.

Pse? Toka, ara, apartamente, makina, me mijëra euro, dhe flasim vetëm për ato të dukshmet të sekuestruara, të njeriut qe duhet të mbronte njerëzit pikërisht nga ajo që bënte vetë (ende supozim) korrupsioni.

Sepse nuk beson njeri qe i ka blere me rroge. Po të tjerët? Sa e sa të tjerë si Llalla e jo vetëm si ai.

Ja ku nga mllefi kaluam ne inat, pasi i gjithë rendi ynë shoqëror ka nga pak “llalle” brenda.

U deshën kaq e kaq vite, beteja, angazhim deri përtej Atlantikut, që të viheshin sekuestro ne ca ara të ish kryeprokurorit.

Po ta llogarisim, edhe me matematiken e Lul Bashës, duhen mijëra vjet për të dërguar para drejtësisë vetëm të korruptuarit e drejtësisë që paguheshin për të vënë drejtësi e ishin (janë?) më të padrejtët.

Po të tjerët? Vetëm t’i listosh si tituj, kryeministra, ministra, drejtorë, politikanë, kryetarë bashkish, kryetarë komunash, shefa, inspektorë, kryepolicë, kontrollorë…mbaron boja e printerit.

A do hetohen ndonjëherë vallë?

Ja ku inati ia la vendin dëshpërimit. E teksa sheh, se pavarësisht drejtësisë së re, pavarësisht betimeve e përbetimeve se korrupsionit dhe mitmarrjes do t’u këputet ndonjë kokë, askush nga ata që kanë “firmë” në dorë, as ia ndjen të bëjë ndonjë ditë pushim nga “punët”, dëshpërimi ia lë vendin indiferencës.

“Nga hiçja, malli dhe Birçja”, thonë në ca zona të Shqipërisë. Ok, duhet të kënaqemi që diçka lëvizi.

Por synimi duhet të jetë të ndalojë, ndjesë, të frenojë disi, çka ndodh ngado që kthen kokën.

Pra, drejtësia e re, nuk i gjen peshqit e mëdhenj vetëm në det të hapur, të shpërndarë andej këtej, por edhe në akuarium. Mjafton të fusë dorën. Qe nga indiferenca të kalohet në besueshmëri.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?