Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj

2800 shkodranë pa adresë/ Lleshaj thirrje vendorëve: Të zgjidhet problemi brenda pranverës

11 Mars 2019, 16:02| Përditesimi: 11 Mars 2019, 16:09

  • Share

300 mijë shqiptarë janë regjistruar në adresarin e adresave ndërsa qarku që ka ende 2809 persona pa adresë është Shkodra. Ky konstatim është bërë nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë një takimi me prefektët dhe drejtuesit e pushtetit vendorë mbajtur në ministrin e Brendshme.

Lleshaj ka kërkuar që edhe për qarkun e Shkodrës kjo situatë të zgjidhet brenda pranverës që përkon edhe me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në qershor. Ky adresa sipas Lleshajt duhet të implentohet në terren duke shënuar cdo banesë, lagje, rrugë apo shesh dhe kjo me tabela të standardizuara dhe jo ndryshe nga një rrugë në tjetrën e nga një qytet në tjetrin, duke ndalur tek shembulli Laç, Laq.

Një tjetër detaje që Lleshaj është ndalur i përket 100 vjecarëve të cilët sipas regjistrit rezultojnë plotë 1000 të tillë që janë gjallë, por ai ka kërkuar të verifikohen realisht në terren. Më tej ai është ndalur edhe tek listat “Sa i përket afishimit të listave që është përgjegjësi e bashkive, unë kam parë në shumë bashki që ky detyrim ka nisur të zbatohet, mbetet me rëndësi që përveç afishimit, duhet lehtësim sasior të detyrimit për të afishuar listat, ato të bëhen lehtësisht të kuptueshme, ka mbyllur fjalën e tij ministri.

Fjala e plotë e Lleshajt 
Sot çdo shtetas shqiptar ka një adresë të vlefshme

Fjala dhe ndërhyrja e Ministrit të Brendshëm Lleshaj me prefektët, drejtues e përfaqësues të Njësive Vendore dhe të Zyrave të Gjendjes Civile për Adresarin, listat zgjedhore, masat për turizmin.

Eshtë kënaqësi që ju kemi sot për të kredituar një proces që është zhvilluar me sukses gjatë 2 muajve të fundit, por edhe për të lançuar një kërkesë dhe një nismë tjetër që ka të bëjë me implementimin e sistemit të adresave në Republikën e Shqipërisë.

Jemi mbledhur këtu në këtë sallë në dt.21 dhjetor 2018 për të evidentuar një problematikë të madhe që lidhej me numrin e shtetasve shqiptarë të cilët nuk kishin një adresë të vlefshme në regjistrin e Gjendjes civile, një numër i cili vijonte që prej vitit 2004 të ishte ekstremisht i lartë, rreth 300 mijë qytetarë të këtij vendi nuk kishin një adresë. Po flitet që nga viti 2004 deri në vitin 2018. Në datën 21 dhjetor 2018 ne jemi mbledhur këtu dhe kemi kërkuar që të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor, zyrat përkatëse të Gjendjes civile, prefekturat, Policia e Shtetit, të gjithë aktorët të angazhoheshin në një aksion të rëndësishëm i cili kishte për qëllim që çdo shtetasi shqiptar t’i jepte edhe një adresë bashkë me identitetin e tij, pra ta kompletonte identitetin e çdo qytetari të këtij vendi edhe më një adresë të vlefshme.

Sigurisht që në ato ditë u duk disi e tepruar pritshmëria për të mbyllur këtë proces brenda muajit shkurt 2019, por në fakt rezultati flet ndryshe, pra flet për faktin që po, ishte e mundur, u realizua objektivi i madh kombëtar që shtetasit shqiptarë të kenë një adresë të vlefshme dhe sot rezulton një gjendje krejtësisht e re ku pothuajse nga 300 mijë shqiptarë që në dhjetor 2018 nuk kishin një adresë të regjistruar, sot ky numër ka shkuar pothuajse drejt zeros. Sigurisht drejt zero, por jo zero për arsye se ka disa raste të shkëputura por në nivel qarku, 4 vetë kanë mbetur në një qark, 22 në një qark tjetër, nuk po i përmend qarqet për të mos i vënë në pozitë të vështirë, 38, 90, 4, 16, 30, 2809, 55, 44. Pra është vetëm një qark që është në këtë nivelin 2809 persona pa adresë dhe ky është në fakt ai qarku për të cilin kam dobësinë më të madhe, qarku i Shkodrës, por kështu është fakti dhe këtij fakti s’mund t’i fshihemi dhe shpresojmë që personat përgjegjës, kryetarët e bashkive, drejtuesit e zyrave përkatëse të Gjendjes civile, bashkë me zyrat urbanistike, të marrin masat që këtë ta çojnë në zero përpara se ne të jemi të detyruar për të aktivizuar masa të tjera të karakterit ligjor, të cilat do të bëjnë të mundur të detyrojnë këtë punë, për arsye se kjo nuk është një çështje e vullnetarizmit të kujtdo, por është një detyrim ligjor, i cili, siç dini edhe ju, duhet të kishte mbaruar në vitin 2016, por më mirë vonë se kurrë!

Synimi është që ky proces të përfundojë pikërisht në këtë pranverë me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët e këtij vendi të mos shkojnë pranë qendrave të votimit si anonimë pa identitet, por të shkojnë si persona të cilët kanë një identitet të qartë, ku përveç emrit, mbiemrit, nr. të identitetit, ka edhe një adresë përkatëse të vlefshme, e cila do të mundësojë dhe kontribuojë në mënyrë të dukshme për t’u eliminuar edhe mangësi që janë evidentuar në proceset e mëparshme zgjedhore, lëvizja e paligjshme etj., etj., një lloj migrimi i votuesve nga një qark apo një bashki në një tjetër. Dhe me këtë masë ne krijojmë kushte objektive që ky proces të mos mundë të ndodhë më në Republikën e Shqipërisë.

Dhe për këtë çështje të parë, falënderoj të gjithë ata që kanë punuar me përkushtim dhe me intensitet të lartë. Sigurisht ky proces ka pasur edhe disa viktima të tij, pra edhe janë marrë masa për disa zyra të gjendjes civile apo drejtues të tjerë të cilët nuk kanë performuar në përputhje me planin dhe me pritshmërinë. Dhe shpresoj që edhe këto pak gjëra që kanë mbetur të mbyllen në ditët në vijim në mënyrë që dëmi i shkaktuar nga procesi të jetë zero ose mundësisht sa më i vogël. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të jemi konsekuentë për të marrë masa ndaj kujtdo i cili neglizhon dhe nuk mundëson qoftë edhe për një qytetar shqiptar që të kemi një adresë të vlefshme. Kjo është çështja e parë, pra është një histori shumë pozitive, ju përgëzoj të gjithëve për bashkëpunimin. E di që jeni angazhuar personalisht të gjithë kryetarët e Bashkive, prefektët dhe struktura të tjera. Mirënjohje, falënderim dhe kjo është dhe një shenjë  e madhe inkurajimi që nëse i bëjmë përpjekjet bashkë edhe rezultatet janë të rëndësishme dhe këtu nuk ka asnjë lloj vlere diskutimi politik apo partiak, këtu bëhet fjalë për një shërbim ndaj qytetarëve të këtij vendi të cilët si të gjithë qytetarët e Europës  kanë të drejtë për identitet të qartë edhe të shkruar.

Një proces tjetër i cili lidhet me të parin por që duhet realizuar në kohë është ai që ka të bëjë me implementimin në terren të sistemit të ri të adresave të Republikës së Shqipërisë. Pra Adresari i famshëm, i cili tashmë është i realizuar në letër duhet të realizohet në terren dhe kjo do të kërkojë përsëri një angazhim të madh të të gjithë strukturave që janë marrë me të , këtu do të shtohen  edhe  zyrat e Urbanistikës së të gjithë Bashkive me qëllim që në të gjitha rrugët, sheshet, parqet, qytetet, fshatrat  e Shqipërisë të kemi të gjithë sinjalistikën, e cila tregon ku fillon qyteti X dhe ku mbaron qyteti. Emërtimit të rrugëve, emërtimit të shesheve, numrat e banesave, të  shtëpive, të bizneseve në mënyrë që të heqim njëherë e mirë dorë nga sistemit i adresave si Pallati me Shigjeta, 200 metra djathtas. Pra adresa është një libër i tërë por të shkojmë te ai sistem dhe kjo kërkon që ne të vendosim kudo që ligji e kërkon tabelat me shkrimet përkatëse për rrugët, për sheshet dhe të tjera me radhë. Kjo i shërben të gjithë shërbimeve publike që ne synojmë të modernizojmë dhe të përmirësojmë në dobi të qytetarëve  për arsye se sot është vështirësi e madhe ose shumë  e madhe që të mbërrijë një letër në një adresë të caktuar, një pako ose një dërgesë postare në një adresë të caktuar, një njoftim  për gjyq e të tjera me radhë dhe në këtë mënyrë do të shmanget informaliteti i madh që ka të bëjë me rezidencat në përgjithësi. Këtu kemi probleme pra të shërbimeve, kemi dhe shumë probleme që lidhen me sigurinë  e vendit për arsye se kemi ende raste kur nëpër shtëpitë, banesat, pallatet, rrugët e të tjera banojnë njerëz për të cilët askush nuk di se kush janë, nga vijnë dhe çfarë bëjnë. I gjithë ky proces i shërben pra edhe përmirësimit të shërbimeve, edhe përmirësimit të parametrave të sigurisë në dhe së treti i shërben funksionimit të një sezoni turistik normal për arsye se të gjithë e dinë se turistët sot në botë nuk vijnë me shoqërues vendas por kanë dëshirë që të jenë të pavarur dhe që të jenë të pavarur  duhet t’i besojnë emërtimeve, hartave, rrugëve e të tjera me radhë.

Ky është aksioni i madh i radhës për të cilin unë kërkoj mirëkuptimin dhe angazhimin tuaj. Jam i bindur tashmë për atë sukses që u arrit dhe për atë përkushtim  që u tregua  në fazën e parë të tij, edhe në fazën  e dytë do të jetë angazhimi i të gjithëve prej jush. Sigurisht që procesi është proces i detyrueshëm ligjor dhe jo thjesht një proces i vullnetit të lirë të secilit prej nesh, por një proces detyrimi ligjor dhe në të do të aplikohen sanksionet përkatëse nëse do të kemi devijime nga përmbushja  e përgjegjësive ligjore. Janë shumë, është një regjistër i tërë i rrugëve  të Shqipërisë prandaj duhet që më në fund të kemi një regjistër kombëtar të gjithë rrugëve, sa rrugë ka ky vend, një regjistër kombëtar të fshatrave, të qyteteve dhe kështu me radhë.

Do të jetë përgjegjësi e Gjendjes Civile për t’i  hartuar dhe për t’i mirëmbajtur këto regjistra, por përgjegjësia juaj është që këto emërtime t’i vendosni fizikisht në  terren sipas një standardi që tashmë është miratuar nga Qeveria. Të gjitha elementet e mbishkrimeve të rrugëve, të shesheve, të shtëpive duhet të provohen në mënyrë të standardizuar , sipas atyre parametrave teknikë, pra jo të vendosim etiketa letre me shkrime të ndryshme, me gjuhë të ndryshme, me gramatikë të ndryshme por do të jenë të gjitha të prodhuara sipas një standardi të cilin do ta vendosë Gjendja Civile për sa i përket shkrimit, ndërkohë që standardi teknik është përcaktuar nga vendimi i qeverisë. Pak a shumë do të prodhohen siç prodhohen targat e makinave. Ashtu siç i vëmë një mbishkrim automjetit tonë do t’i vëmë një mbishkrim edhe shtëpisë tonë, rrugës tonë, sheshit tonë apo katit tonë, apo qytetit tonë. Qyteti meriton  dy-tre tabela në hyrje dalje, duhet që të jenë patjetër, të standardizuara e kështu me radhë.

Me këtë hap besoj që do të bëjmë një shërbim të madh ndaj vendit tonë, i cili do të afrohet dalëngadalë drejt një standardi normal, të cilin e ndeshim në çdo vend tjetër të këtij kontinenti.

Dhe për këtë afatin, duhet të vendosim një afat, pasi unë nuk kam parashikuar një të tillë dhe do të isha i interesuar që së bashku të ndajmë opinione rreth një afati që do të jetë pastaj i detyrueshëm për tu zbatuar, pra të mos vendosim në mënyrë arbitrare një datë, unë besoj se nuk duhet shumë punë, nëse secili kontribuon për këtë dhe në momentin që do të vendosim këtë datë, zbatimi i saj do të jetë çështje detyrimi të madh shtetëror dhe çështja e tretë dhe e fundit që doja të diskutojë ka të bëjë me masat organizative në shërbim të zgjedhjeve të reja vendore që realizohen në muajin qershor.

Ministria e Brendshme është e angazhuar në zbatim të përgjegjësive të saj ligjore për të përmbushur detyrimet që ka kryesisht në drejtim të krijimit dhe të gjenerimit të listave të zgjedhësve, të cilat janë gjeneruar sipas përcaktimeve ligjore në kohën e duhur, sigurisht tashmë janë të pastra, nuk i kanë më ato kodet misterioze 999, 888 apo 000 por kanë adresa të qarta për qytetarët, ende ka nevojë për rifinitura ta vogla  për sa i përket personave me moshë mbi 100 vjeç psh., të cilët janë të përcaktuar, por që përveç se duhet të jenë të përcaktuar nga regjistri, duhet të përcaktohen dhe në terren dhe strukturat e gjendjes civile, në bashkëpunim edhe me të tjerë me policinë e shtetit dhe strukturat e tjera vendore, duhet që të verifikojnë realisht në terren praninë e numrit të mbi 100 vjeçarëve, të cilat sipas të dhënave është një numër impresionues janë mbi 1 mijë veta, por duhen verifikuar realisht në terren se ku janë, kush janë, në mënyrë që të mos kemi dhe pasaktësira në këtë proces.

Sa i përket afishimit të listave që është përgjegjësi e bashkive, unë kam parë në shumë bashki që ky detyrim ka nisur të zbatohet, mbetet me rëndësi që përveç afishimit, duhet lehtësim sasior të detyrimit për të afishuar listat, ato të bëhen lehtësisht të kuptueshme nga qytetarët përmes renditjes mbi bazën e alfabetit, vendosjes në kushte të përshtatshme në vende të përshtatshme për tu lexuar dhe të mbrohen nga  dëmtues të ndryshëm që nuk mungojnë herë pas here në mjediset tona. 

Këto kisha për të diskutuar dhe duke ju falënderuar për vëmendjen, jam i interesuar për kontributet tuaja lidhur me këto pika dhe kryesisht me pikën e dytë që ka të bëjë me realizimin në terren të sistemit të adresave, ajo që kërkova dhe negociata e vetme që do të bëjmë është data, kur do të kemi një datë, në të cilën në Shqipëri do të kemi të unifikuar të gjithë mbishkrimet e rrugëve, shesheve, qyteteve, shtëpive, rrugëve sipas standardit dhe ndërkohë do të jenë hequr ato mbishkrime të tjera ku ende kemi nga ato që komuna filan, ndërkohë që termi komunë është zhdukur nga harta, në kuptimi si njësi administrative vendore, ku diku shkruhet me “ç”, diku me “c”, diku shkruhet “Laç” e diku “Laq”, etj që të arrihet në një standardizim dhe të tregojmë atë nivel, i cili duhet ta kemi dhe ne e kemi normalisht, por duhet ta realizojmë në terren.

Faleminderit dhe tani jam i hapur dhe jam i interesuar për të dëgjuar komente për këtë çështje!

Konkluzionet e ministrit Lleshaj në fund të takimit:

Tetori duket vonë sepse jemi tre vite me vonesë nga detyrimi ligjor. Ka kaluar afati në fakt, afati ka qenë i vendosur nga ligji, por ne se kemi  respektuar. 

Tashmë duhet të besojmë, tetori mund të ishte një moment kompromisi me kusht që në tetor të vendoset numri i fundi i shtëpisë së fundit në Shqipëri dhe ndërkohë të bëhen hapa më para, puna të ndahet me faza, p.sh. vendosja e emërtimeve të qyteteve dhe fshatrave do të jetë të themi në një afat më të shpejtë sepse nuk kemi 100 mijë qytete dhe fshatra, kemi një numër të caktuar qytetesh dhe numër të caktuar fshatrash, të cilët duan nga një tabelë hyrjeje dhe daljeje të çdo rruge që hyn dhe del nga qyteti dhe nuk ka 100 hyrje apo dalje, por zakonisht kanë nga një rrugë hyrjeje që pastaj të nxjerr në kahun tjetër, pastaj emërtimin e rrugëve të brendshme të qyteteve dhe më fund emërtimi i shtëpive individuale dhe duhet të informojë dhe për një iniciativë që është në proces në Ministrinë e Brendshme, e cila ka të bëjë me lidhjen të gjitha shërbimeve publike me pasjen e një adrese të vlefshme. 

Sot kemi një situatë paradoksale ku në shumë dokumente zyrtare kërkohet adresa zyrtare dhe nuk vendoset adresa p.sh. leja e qarkullimit, e cila ka disa rubrika që duhen plotësuar nga ai që e lëshon, emër, mbiemër, etj dhe ndër to ka dhe adresë. Dhe kur vjen puna tek adresa autoritetet tona shënojnë thjesht Tiranë ose Shkodër, është njëlloj si të thuash Ballkan, të thuash vetëm Tiranë ose Shkodër nuk është adresë. 

Ne po punojmë për të bërë një iniciativë ligjore që t'i detyrojë të gjithë ata që ofrojnë shërbime që të mos ofrojë shërbimin nëse qytetari nuk ka një adresë të vlefshme sipas regjistrit, do të thotë noteri nëse do shesë një shtëpi nuk do ta shesë zona kadastrale me ca numra që nuk i kupton kurrkush, por do të thotë rruga x, numri kaq, kodi postar ky dhe këtë adresë do ta marrë direkt në regjistrin e gjendjes civile, nëpërmjet aksesit që do i jepet, po kështu dhe ai i ALUIZNI-t, Hipotekës, patentave, etj pra të gjitha shërbimet duhet të lidhen me adresën, ashtu siç lidhen me emrin, nuk do të pranohen si opsion ai që ka njerëz pa shtëpi. 

Nuk mund të ketë njeri që bën pasaportën e këtij vendi që të mos ketë dhe detyrimin për të pasur një rezidencë, kur shkojmë miq diku jashtë dhe ku shkojmë për një natë duhet të shënosh rezidencën ku do shkosh dhe hoteli vlen si rezidencë, sepse na regjistrojnë si banorë të atij vendi qoftë dhe për një natë. 

Ai që merr pasaportën e një vendi, se s’bën duhet të ketë një rezidencë të vlefshme të atij vendi nëse nuk do ta ketë do të vendosim sanksione, do ti krijohen dhe probleme në kufi me kalimin, nëse ai figuron një njeri që ka pasaportë shqiptare, por nuk ka një adresë rezidence të identifikuar në Shqipëri. Ky është një standard i vjetër sa qytetërimi në fakt; që njerëzit kanë një adresë, janë të detyruar të identifikohen se ku jetojnë.

Unë mora si shembull Shkodrën vetëm për arsye se Shkodra është pak më prapa në këtë proces dhe nëse Shkodra e shef tetorin si të mundshëm për tu realizuar unë them që gjithë të tjerët duhet ta pranojnë si datë të mundshme për tu realizuar, ndërkohë do të bëjmë një grafik me hapa të ndërmjetëm që të themi p.sh. që shtëpitë duhet të mbarojnë në tetor, emrat e rrugëve në gusht, emrat e qyteteve në Korrik; në mënyrë që të fillojmë të bëjmë gjërat e mëdha dhe duan kohë më pak për të mbërritur tek më të detajuarat, por që janë dhe me më shumë volum. 

Ju falënderoj shumë për praninë, mendimet dhe kontributin e dhënë deri tani dhe shpresoj se do ta shtyjmë më para këtë proces drejt asaj që ramë dakord!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?