Ish-kryeministri Sali Berisha

Loja e Berishës me dosjet, si e rrëzuan gjyqtarët e tij ligjin e lustracionit në 2010, pas 12 vitesh çon të njëjtën nismë ligjore në Kuvend 

1 Tetor 2022, 17:08| Përditesimi: 1 Tetor 2022, 17:12

  • Share

TIRANË- Partia Demokratike me në krye Sali Berishën ka depozituar në Kuvend një projektligj për pastërtinë e figurës, i njohur ndryshe si lustracion, i ngjashëm me ligjin e vitit 2008, i cili u rrëzuan në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese si në kundërshtim me Kushtetutën. Në 23 mars të vitit 2010, me kërkesë të disa deputetëve, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë ligjin e dosjeve të Berishës në mënyrë unanime. Votuan pro rrëzimit të ligjit anëtarët e atëhershëm Vladimir Kristo, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi, Vitore Tusha, Sokol Sadushi, Admir Thanza dhe Sokol Berberi. 

Duhet theksuar se shumica e gjyqtarëve ishin emëruar në Kushtetuese nga Partia Demokratike në Kuvend, sigurisht me vullnetin e Berishës. Vladimir Kristo, Sokol Berberi dhe Vitore Tusha ishin emëruar nga PD-ja në Kushtetuese në vitin 2007, ndërsa Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza u votuan sërish nga PD-ja për në Gjykatën e Lartë pasi u mbaroi mandati në Kushtetuese. Duke qenë të besuar të PD-së, ngrihen dyshime të forta për një lojë të dyfishtë të Berishës, duke propozuar ligjin e lustracionit nga njëra anë për të histori shantazhi dhe llogari politike, si dhe duke e rrëzuar dy vite më pas. 

Në vendimin me 40 faqe, Kushtetuesja ka argumentuar se ligji për pastërtinë e figurës parashikonte ndërprerjen e mandatit të Presidentit, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, deputetëve dhe ministrave, nëse rezultonin ish bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit ose nëse kishin mbajtur funksione të larta gjatë regjimit komunist. Sipas Kushtetueses, ky parashikim “cenon garancitë kushtetuese të mandatit të tyre dhe për rrjedhojë është në kundërshtim me parimin e kushtetutshmërisë dhe shtetit të së drejtës”.

Të 9 anëtarët e Kushtetueses kanë arsyetur se ligji për pastërtinë e figurës binte ndesh “me garancitë që Kushtetuta dhe ligjet organike ua njohin organeve shtetërore përkatëse... Gjykata arrin në përfundimin se rregullimet e ligjit  për pastërtinë e figurës, përsa i përket ngritjes, funksionimit dhe vendimmarrjes së Autoritetit të Kontrollit të Figurës, cenojnë kërkesat që rrjedhin nga parimi i shtetit të së drejtës dhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve”, thuhet në vendim. 

Gjithashtu, gjykata arriti në në përfundimin se ligji për pastërtinë e figurës kufizon të drejtën për t’u zgjedhur jo në përputhje me kushtet e kërkuara nga neni 17 i Kushtetutës dhe KEDNJ. “Sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se ligji për pastërtinë e figurës kufizon të drejtën e punës pa respektuar kërkesat e nenit 17 të Kushtetutës dhe KEDNJ... Bazuar në analizën e mësipërme Gjykata arrin në përfundimin se ligji për pastërtinë e figurës, objekt shqyrtimi, bie ndesh me parimet dhe garancitë kushtetuese të referuara më sipër, dhe për rrjedhojë duhet shfuqizuar”. 

12 vite më vonë, Sali Berisha ka referuar në Kuvend një projektligj me të njëjtën përmbajtje dhe parashikime si ligji i vitit 2008, i rrëzuar nga anëtarët e tij në Gjykatën Kushtetuese. Jo vetëm kaq. Por, referuar përmbajtjes së projektligjit, Sali Berisha është kujdesuar për të përjashtuar veten e tij si subjekt i veprimit të ligjit, duke hequr nga kategoritë pozicionin e sekretarëve të Partisë së Punës së Shqipërisë. Për vite me radhë, Berisha ka mbajtur pozicionin politik të sekretarit të Komitetit të Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë te Universiteti i Tiranë.

(Kliko këtu) Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të lustracionit

(Kliko këtu) Projektligji i propozuar nga Berisha në 2022

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rreza: 01/10/2022 23:42

    E rrezoi mafia e kuqe. Dhe po kjo mafie po mxjerr ne tjeter variant ligji per te kapur kundershtaret. Dallimi eshte se dje ju media i benit urra ndalimit te lustracionit per pashallaret e kuq. Sot, urra per te goditur pashallaret blu. E keni bere qyrk tashme dekradimin dhe imoralitetin dhe e vishni njesoj si kryemafiozi Rama.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?