'Loja, shembja e qiellit' i shkrimtarit Bashkim Shehu botohet edhe në Itali

5 Korrik 2019, 20:47| Përditesimi: 5 Korrik 2019, 20:51

  • Share

Një i dënuar në komunizëm, një i persekutuar, por edhe një dënues, që gjer në vdekje, shkon me idenë, se ka bërë gjënë e duhur, janë tre prej personazheve që ngrenë në këmbë romanin më të fundit të autorit Bashkim Shehu.

Sapo është botuar në Itali nga “Rubbettini” romani "Loja, shembja e qiellit" i shkrimtarit Bashkim Shehu, me titullin "La rivincita" (Shpagimi), i përkthyer në italisht nga Paolo Rago,

Më 27 qershor u bë edhe prezantimi i parë i këtij romani në Fano, në Itali, në prani të autorit Bashkim Shehu dhe me mbështetjen e prof. Matteo Mandala, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar "Passaggi".

Romani "Loja, shembja e qiellit" u botua në shqip nga Botimet Toena në vitin 2013 dhe po gjatë këtij viti u vlerësua me çmimet: "At Zef Pllumi" dhe "Autori më i mirë i vitit".

"Loja, Shembja e qiellit" trajton një histori personale në kohën e diktaturës, ndërsa prek edhe persekutimin e klerit katolik. Shehu pohon se romani nuk është autobiografi, edhe pse në faqet e tij jeta e personazheve kryesorë ka elementë të ngjashëm me jetën e vetë autorit. Autori e cilëson këtë, roman të vështirë, pasi i është dashur të transformojë ngjarje të periudhës së diktaturës duke i rrëfyer ato nëpërmjet gjuhës së letërsisë.

Bashkim Shehu djali i ish kryeministrit të diktaturës, Mehmet Shehut, që më pas vrau veten ka vuajtur edhe vet në burgjet e diktaturës.

Bashkim Shehu Loja shembja e qiellit-shqip

“Ka disa ngjarje që m’i kanë treguar bashkëvuajtësit. Unë do t’ju thosha këtë në thelb, të vërteta historike në romanin “Loja, shembja e qiellit” janë sa thuhen në shënimin në fillim. Pra persekutimi i klerit, apo episodi që është me gjyqin, ku babai i djalit që dënohet nxjerr sytë në gjyq. Dhe përderisa janë vënë atje, janë vënë qëllimisht dhe janë pjesë e romanit. Autori kaq duhet të thotë dhe jo më tepër, sepse të tjerët nuk kanë rëndësi.”, është shprehur Bashkim Shehu, autori i librit "Loja, shembja e qiellit".

Kopertina e librit ne italisht

Ky libër ishte romani që i dha shkrimtarit Bashkim Shehu çmimin letrar "Balkanika" duke e çmuar si shkrimtari më i mirë i Ballkanit në vitin 2015. "Loja, shembja e qiellit" meritoi çmimin special të jurisë të Prix Méditerrané Etranger, më 2018, pas botimit të tij në frëngjisht.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?